Kryetari i PD, Lulzim Basha e ka cilësuar një fitore të qytetarëve të Kavajës tërheqjen e kandidatit të PS nga zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës.“Falenderimi im është për qytetarët fisnikë të Kavajës, që vendosën tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të kthyer monizmin në qytetin që përmbysi diktaturën komuniste. Falenderoj ata qindra mijëra kavajas demokratë e luftëtarë të lirisë, që me qëndresën e tyre u bënë një barrierë psikologjike e pakapërcyeshme e planeve ogurzeza të mafias dhe krimit”, ka thënë Basha nga çadra e protestës.
Ai është shprehur se, qytetarët e Kavajës vendosën të refuzojnë fasadën e shëmtuar kriminale që iu ofroi Rilindja dhe Edi Rama më datë 7 maj. “Edi Rama e njohu refuzimin tuaj masiv për të qenë pjesë e fasadës së diktuar nga krimi më 7 maj. Ky është paralajmërimi më i madh dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë e shqiptarëve”, ka thënë Basha.
Më tej, Basha ka ritheksuar se, zgjidhja e vetme për krizën politike është qeveria teknike dhe ndarja e qeverisë aktuale me krimin. “Përsëris ftesën time për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike. rruga e vetme është ndarja me krimin dhe drogën, dy faktorët kryesorë për destabilizimin e Shqipërisë dhe zgjedhjet. Rruga e vetme për t’u bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan zgjedhje të lira është qeveria teknike. Rruga e vetme është dialogu i vërtetë për zgjedhje të lira politike”, ka thënë Basha.