Presidenti i Republikës Ilir Meta u është drejtuar sot me një letër kryeministrit Edi Rama, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, SPAK-ut, kreut të policisë dhe disa zyrtarëve të tjerë.
Me anë të kësaj letre, kreu i shtetit u kërkon atyre që të reagojnë sa më shpejt për mbrojtjen e qytetarëve që identifikohen si debitorë nga subjektet financiare jo banka.
Mesa thuhet në letër, çështja evidenton problematika të ndryshme veçanërisht lidhur me “faktin e rëndë të mungesës së transparencës dhe dijenisë së qytetarëve të konsideruar si debitor për detyrime financiare, e që, sipas tij, po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke cenuar cilësinë e jetës së shumë familjeve shqiptare”.
LETRA E PLOTË
Të nderuar,
Presidenti i Republikës është njohur me një shqetësim tepër serioz të ngritur nga Qëndra “Konsumatori shqiptar”, përmes shkresës së tyre të datës 11.02.2022.
Me problematikën e paraqitur shkresërisht prej kësaj qendre në mbrojtje të të drejtave të konsumatorit, jam njohur nga afër edhe në takimin e zhvilluar me drejtues të kësaj qendre në datën 22.02.2022, ku m`u parashtruan raste konkrete të vendimeve jo transparente të institucioneve financiare jo banka, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura prej konsumatorëve.
Kjo çështje evidenton problematika të ndryshme veçanërisht lidhur me faktin e rëndë të mungesës së transparencës dhe dijenisë së qytetarëve të konsideruar si “debitorë” për detyrime financiare, e që po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke cenuar cilësinë e jetës së shumë familjeve shqiptare.
Për më tepër dhe lidhur me të njëjtën problematikë, jam njohur dhe me shqetësimet dhe qëndrimet më të fundit publike të ngritura nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë , mbi fenomenin e përhapur masivisht të mbledhjes së detyrimeve nga subjekte që shpesh herë prezantohen edhe me atributet e një përmbaruesi gjyqësor, të palicensuar dhe/apo pa mbikëqyrje të organeve shtetërore e që abuzojnë me të drejtat e debitorëve; të asaj që publikisht është etiketuar si “zhvatje përmes kredisë”, nga subjekte financiare jo banka, që duhet të jenë nën mbikëqyrjen e rreptë, të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse; apo siç është bërë dhe publike, fenomeni i shoqërive tregtare që bashkëpunojnë me institucionet financiare jo banka dhe ushtrojnë veprimtarinë duke keqpërdorur në mënyrë flagrante të dhënat personale të qytetarëve të nxjerra nga data baza shtetërore, për t`u përdorur më pas si një mjet “shantazhi” për shlyerjen e shumave, origjina, vërtetësia, apo vlera reale e të cilave vihet në dyshim.
Lidhur me këto shqetësime të ngritura publikisht, prita në një takim edhe përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë . U njoha prej tyre me shqetësimet e mijëra qytetarëve, veçanërisht nga shtresat në nevojë, të cilët hasin vështirësi për të përmbushur detyrimet e shitura si të transferuara, për t`u mbledhur më pas nga institucione financiare jobankare, në mungesë transparence, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për këta qytetarë.
Gjithashtu, në këtë takim m`u vunë në dispozicion kopje e akteve shkresore përmes të cilave Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë përgjatë periudhës 2021-2022 ka kërkuar dhe ka vënë në dijeni instancat respektive shtetërore (si Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Bankën e Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë etj.), përmes të cilave ka kërkuar jo vetëm trajtimin administrativ, por dhe hetimin penal të problematikave të shfaqura e të rasteve të evidentuara prej tyre si shkelje e ligjit.
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore,
Qëndrimet dhe shqetësimet e përsëritura të bëra publike nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, por dhe të dhëna të tjera të bëra publike në median e shkruar, elektronike dhe atë vizive, informojnë me të dhëna konkrete për një situatë tepër alarmante, një akuzë publike për lejimin e një aktiviteti të mashtrimit publik , e cila kërkon domosdoshmërisht që institucionet publike përgjegjëse të kenë një reagim të shpejtë dhe publik, real dhe të ndjeshëm, duke nisur fillimisht nga një verifikim i situatës dhe shtrirjes së saj.
Për fat të keq deri më tani, të paktën publikisht, nuk konstatoj të jenë ndërmarrë masa për të adresuar këtë problematikë, përveç kallëzimit penal që Ministria e Drejtësisë ka bërë në shkurt 2020 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shoqëri, administratorë dhe funksionarë të disa prej këtyre shoqërive të mikrokreditit të licencuara, që veprojnë në këtë fushë . Edhe për këtë çështje penale, nuk gjendet një informacion publik që të informojë në mënyrë transparente nëse çështja është ende në hetim penal, apo ka përfunduar dhe cila është mënyra e përfundimit të saj.
Jo vetëm kaq, por dhe media vizive, e shkruar dhe elektronike ka denoncuar publikisht këto fenomene, por sërish nuk kam konstatuar ndonjë reagim apo angazhim serioz të institucioneve shtetërore përgjegjëse për verifikimin, ndjekjen apo marrjen e masave, administrative, penale, apo dhe legjislative nëse do ishte e nevojshme, për të frenuar çdo situatë që realisht paraqet rrezik potencial për dëmtimin gjerësisht të interesave të shtetasve apo të financave publike.
Siç prezantohet nga këto dy organizma si Qendra “Konsumatori shqiptar” dhe bëhet publike nga qëndrimet dhe denoncimet e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, të gjitha këto veprime çojnë në një dëmtim serioz të interesave të qytetarëve, të cilët përballen përditë e më shumë me pasoja të shumëfishta financiare, psikologjike dhe sociale.
Sipas qëndrimeve publike të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, mashtrimi është kthyer në një fenomen masiv dhe prej e kësaj skeme mund të jenë prekur 10 mijë, 30 mijë, apo 100 mijë qytetarë, ndërkohë që organi i prokurorisë ka dy vite që heton lidhur me çështje të kësaj natyre dhe ndaj disa subjekteve, por ende pa ndonjë rezultat konkret të bërë publik.
Për gjithë sa më sipër, si President i Republikës, duke konstatuar këtë situatë apatie të institucioneve shtetërore, në respekt të parimeve dhe të drejtave themelore të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, ju drejtohem me këtë shkresë, për të kërkuar angazhimin tuaj për verifikimin në themel dhe në mënyrë shteruese të këtij fenomeni; evidentimin e përgjegjësive për çdo shkelës të ligjit; mbikëqyrjen me efikasitet të këtij tregu dhe marrjen e masave për ushtrimin e aktivitetit të mbledhjes së detyrimeve vetëm nga subjektet të licencuara dhe siç përcakton ligji, duke mundësuar kështu mjete mbrojtëse procedurale për qytetarët; marrjen e masave të menjëhershme për goditjen e çdo fenomeni që përbën shkelje të ligjit; apo dhe evidentimin e mangësive apo boshllëqeve në kuadrin rregullator, me qëllim që të arrihet pa vonesë, në një zgjidhje të qëndrueshme, të arsyeshme, ku më së pari të frenohet kjo situatë, të evidentohen mangësitë dhe përgjegjësitë, gjithmonë në interesin më të lartë të qytetarëve dhe në përputhje me ligjin.
Kjo situatë, kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të lartë institucionale, nga secili prej institucioneve shtetërore që ka detyrë si licencimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e mikrokredisë, apo të shërbimit përmbarimor, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij fenomeni që rrezikon apo mund të jetë kthyer në plagë për atë pjesë të pamundur të shoqërisë shqiptare, që detyrohet të marrë kredi për mbijetesë.
Banka e Shqipërisë por dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kanë autoritetin që të verifikojnë sipas fushës së përgjegjësisë të gjitha ankesat që lidhen me subjektet financiare jo banka dhe të gjitha indiciet që lidhen me veprimtari të paligjshme në dëm të interesit të qytetarëve, përmes aplikimit të praktikave të ndaluara apo/dhe mashtruese, që përdorin dhe ushtrojnë mjete apo procedura të panjohura nga ligji material dhe procedural; që aplikojnë trysni, presion për të arritur në aplikimin e interesave shproporcionale për rritjen e detyrimeve në mënyrë fiktive; dhe të marrin masa konform ligjit ndaj subjekteve që mund të kenë abuzuar me to, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, apo në kundërshtim me kushtet dhe kriteret për të cilat janë të licencuara këto subjekte.
Banka e Shqipërisë, si autoriteti licensues dhe mbikëqyrës i bankave, por dhe i subjekteve të tjera të mikrokredisë, duhet të përmbushë sipas Kushtetutës dhe ligjit, rolin mbikëqyrës të saj, duke përdorur në kohën e duhur dhe në mënyrë objektive dy instrumente kryesore të saj, si atë për rregullimin dhe vendosjen e standardeve dhe politikave që përcaktojnë funksionimin sipas ligjit të këtyre subjekteve, ashtu dhe verifikimin dhe vlerësimin nëse subjektet e licencuara prej saj përgjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre, kanë ndjekur dhe zbatuar standardet dhe politikat e vendosura nga Banka e Shqipërisë, apo jo.
Gjithashtu, është e nevojshme që çdo veprimtari e paligjshme të hetohet dhe të vihen jo vetëm para përgjegjësisë civile/administrative, por edhe përpara përgjegjësisë penale të gjithë ato subjekte apo individë të përfshirë në to, në rast se përgjatë ushtrimit të detyrës/veprimtarisë kanë konsumuar vepra penale të ndëshkueshme sipas legjislacionit penal në fuqi.
Për këtë organet e ndjekjes penale duhet të përmbushin funksionin e tyre kushtetues, ku përpos ngarkesës së lartë në punën e tyre, duhet të orientojnë më shumë burime njerëzore për të kryer një hetim të plotë, të gjithanshëm, objektiv dhe në përputhje me afatet e parashikuara nga legjislacioni procedural penal. Hetimi i kësaj çështje brenda një afati të arsyeshëm diktohet nga rëndësia e çështjes, që vjen dhe nga shtirja e gjerë e fenomentit apo/dhe pasojave negative, që nga një nga hetim penal i thelluar mund të rezultojnë veprimtari që kryhet në kundërshtim me ligjin.
Ashtu sikundër, i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të bashkëpunojë ngushtësisht me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, por dhe me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë, për zyrat apo individët e licensuar në këto profesione, që rezultojnë të angazhuar në skema të pandershme dhe në kundërshtim me ligjin, për të ndërmarrë të gjitha veprimet verifikuese dhe për të vendosur para përgjegjësisë administrative apo penale për përmbaruesit gjyqësorë apo avokatët që bashkëpunojnë në skema për mbledhjen e detyrimeve në shkelje të procedurës, kërkesave të ligjit, duke shkelur të drejtave të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Përveç sa më sipër, nëse për trajtimin e kësaj situate kërkohet ndërhyrje legjislative apo plotësim i kuadrit rregullator me aktet e munguara nënligjore, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, individualisht sipas fushës së përgjegjësisë, apo në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe në konsultim me gjithë institucionet e tjera, duhet të hartojnë e paraqesin pa vonesë draft propozimet përkatëse në organet vendimmarrëse, në mënyrë që të saktësohet, plotësohet, përmirësohet, apo forcohet çdo normë rregullatore, për të bërë të mundur që asnjë subjekt, individ, apo funksionar të mos abuzojë pikërisht për shkak të normave të paqarta rregullatore, mungesës së tyre, apo të normave që krijojnë vend për keqinterpretim dhe abuzim.
Si President i Republikës, shpreh vullnetin dhe mbështetjen institucionale që kjo çështje të marrë vëmendjen e duhur e institucioneve tuaja, për një zgjidhje të themeltë e përfundimtare dhe për këtë kërkohet ndër të tjera reagim dhe bashkëpunim institucional.
Bashkëlidhur shqetësimet e ngritura së fundmi nga Qendra “Konsumatori shqiptar” dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Duke ju uruar punë të mbarë, shpresoj në një reagim të shpejtë nga ana juaj!”