Nazmi Shahini, i njohur edhe me mbiemrin Drazhi, është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë nga GJKKO.
Sipas SPAK, Shahini dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që ka vepruar gjatë viteve 2020–2021, i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar se grupi dyshohet të ketë trafikuar në total rreth 8.1 ton drogë, përfshirë kokainë dhe kanabis. Lëndët narkotike transportoheshin nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe vendeve të tjera evropiane.














