Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar mënyrën se si u administrua dje në Kuvend projekt-marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar të papranueshme procedurën e ndjekur për aksesin në dokument.
Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, ku u vendos përjashtimi me 60 ditë i kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, Korreshi deklaroi se pretendimet e mazhorancës se deputetët kishin mundësi ta konsultonin marrëveshjen përpara votimit nuk përputhen me realitetin.
Sipas tij, ai dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, shkuan për të parë dokumentin, por konstatuan se nuk mund ta merrnin në dispozicion, ndërsa duhej të prisnin në radhë për ta lexuar.
“Vota jonë ka qenë kundër, sepse siç e kemi deklaruar edhe dje, unë me zotin Bardhi kemi shkuar dhe kemi konstatuar një situatë krejt ndryshe nga fjalët e shokut Niko, i cili na tha që kundrejt firmës së konfidencialitetit mund të merrnim akt-marrëveshjen dhe ta konstatonim. Gjetëm realitet krejt të kundërt. Jo vetëm që nuk mund ta merrnim, por duhet të viheshim në radhë si për vajguri, 140 deputetë, për ta lexuar një nga një akt-marrëveshjen. Kjo nuk është normale”, u shpreh Korreshi.
Deputeti demokrat theksoi se dokumenti nuk ishte sekret, por vetëm konfidencial, duke argumentuar se çdo deputet duhet të ketë mundësinë të njihet me materialet përpara se të ushtrojë të drejtën e votës.
Duke komentuar edhe episodin me Agron Shehajn, Korreshi tha se përdorimi i termit “rrëmbim” për marrjen e kopjes së marrëveshjes është i ekzagjeruar.
“Fjala rrëmbim më duket shumë e rëndë. Ambientet janë pranë ambienteve të Parlamentit ku aksesojnë deputetët. Nëse materiali do të ishte kaq konfidencial, duhet të ishte kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ai që ta aksesonte dhe ta mbante dokumentin, jo një punonjës parlamenti”, deklaroi ai.
Në përfundim, Korreshi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të dokumentit, duke theksuar se deputetët, si votues të aktit, duhet të kenë përparësi në akses ndaj tij.
“Kush ka më shumë rëndësi sipas jush? Një deputet që duhet të votojë atë akt apo një punonjës parlamenti që nuk e voton atë akt? Ma shpjegoni. Atëherë ne qenkan ‘lëng groshe’ deputetët”, tha ai me ironi.














