Socialistja, Zegjine Caushi ka pranuar prenotimin e një apartamenti në zemër të Tiranës pas vetëm një viti në detyrë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Deputetja, nga Kuvendi, shënjestroi kreun e PD-së, Sali Berisha se ka përhapur dezinformim lidhur me apartamentin, duke iu referuar lajmeve që qarkulluan së fundmi për pasurinë e blerë.
Çaushi deklaroi se ka lidhur një kontratë për blerjen e apartamentit, dhe se ndërtimi nuk ka nisur akoma.
Sipas të dhënave të publikuara në media deputetja ka regjistruar rishtazi në Hipotekë një apartament luksoz në një nga zonat e lakmuara të kryeqytetit.
Apartamenti në fjalë sipas raportimeve kap vlerën e deklaruar prej rreth 240 mijë eurosh.
Sipas të njëjtave burime, prona ka një sipërfaqe të konsiderueshme prej 128 m² dhe ndodhet në zonën e “Shkollës së Kuqe”.
“Sali, ti duhet të jesh i fundit që të vish këtu dhe në atë foltore dhe të flasësh në atë protestë. Më gjej një vend në botë ku protestohet kundër qeverisë dhe kundër opozitës së saj.
Ajo foltore nuk është podium për zakonin tënd të vjetër dezinformimin. Më shiko në sy! Siç dezinformove shqiptarët pak minuta më përpara për Reformën Territoriale, ashtu i dezinformove edhe për shtëpinë time.
Ndryshe nga ti Sali, nuk kam privatizuar asnjë pëllëmbë toke shqiptarëve por kam lidhur një kontratë për prenotim apartamenti, i cili nuk ka nisur por ti di vetëm të dezinformosh.
Ndryshe nga si e ke transmetuar ti në ato mediat e tuaja ku pastron paratë e pista, ndryshe në sipërfaqe dhe ndryshe në çmim.”, tha ajo.














