Kryedemokrati Sali Berisha komentoi deklaratën skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunovic se do të kishte bërë spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1998.
Berisha deklaroi se ajo duhet të shpallet non grata, ndërsa shtoi se qëndrimi i saj tregon mendimin e vërtetë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të cilin e cilësoi si “padronin” e Edi Ramës.
“Ne kërkuam menjëherë shpalljen non grata dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe spastrimit etnik nga një ministre e vendit që ka kryer këto akte. Për sa kohë rri në atë kabinet ka shprehur mendimin e padronit të Ramës, Aleksandër Vuçiç. Se të marrësh një monstër si ajo në kabinet, e cila dëshmon me gjakftohtësinë më të madhe shpreh keqardhjen se nuk u kompletua gjenocidi në Kosovë, do të thotë të kesh vetë atë mendësi.”, tha Berisha.
Kryedemokrati kritikoi gjithashtu edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se heshtja e tij për këtë skandal tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë së tij.
“Së dyti, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme, prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit. Ndërkohë që shpall non grata qytetarë të Prizrenit se marrin pjesë në protestë, non grata deputetë të RMV, përfaqësues të shqiptarëve, në aktin më të turpshëm, nuk guxon të shpallë non grata. Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës, regjim vasal ndaj Beogradit. “, tha Berisha.














