Në selinë e Partisë Demokratike ka nisur procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve dhe anëtarëve të sekretariateve.
Gjatë mbledhjes, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se kandidatët në garë do të sjellin një frymë të re dhe një ripërtëritje të strukturave drejtuese të partisë.
Për postin e Sekretarit të Përgjithshëm garojnë Flamur Noka, i cili synon një mandat të ri, dhe deputeti Saimir Korreshi.
Në garën për sekretariatet bie në sy përfshirja e disa figurave të reja. Një nga zhvillimet më të komentuara është kandidimi i deputetit Klevis Balliu për postin e sekretarit organizativ, edhe pse më herët ai kishte zhvilluar fushatë për një post nënkryetari. Balliu garon për këtë funksion përballë Agron Lokës, ndërsa posti mbahej deri më tani nga Ervin Minarolli.














