Dy nga mediat më të mëdha europiane, gjermania Der Spiegel dhe britanikja The Guardian, i kanë bërë jehonë mbështetjes që këngëtarja shqiptare me famë botërore i ka dhënë protestës qytetare në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht te qëndrimi i saj kundër ndërtimit në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit.
Në një artikull me titullin “Dua Lipa del kundër planeve shqiptare të klanit Trump”, Der Spiegel shkruan se një resort luksoz i planifikuar nga dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, në një zonë të mbrojtur natyrore, “po i nxjerr shqiptarët në rrugë”, ndërsa thekson se Dua Lipa u ka dhënë mbështetje protestuesve.
Media gjermane citon deklaratën e këngëtares në podcastin “Service95 Book Club”, gjatë bisedës me politologen dhe filozofen shqiptare Lea Ypi, ku Dua Lipa e cilëson si “shqetësuese” mundësinë që një qeveri “të ndryshojë thjesht një ligj për të anashkaluar kushtet e mbrojtjes së mjedisit”.
“E gjej kaq frymëzuese të shoh sa shumë u intereson njerëzve kjo çështje”, ka thënë Dua Lipa, duke iu referuar protestës qytetare që prej javësh zhvillohet në Tiranë. Ajo ka shtuar se ekonomia e vendit duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë “që t’u shërbejë njerëzve”.
Der Spiegel shkruan se protestat në Shqipëri u ndezën nga planet për ndërtimin e një hoteli luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, në bregdetin jugperëndimor të vendit, projekt i lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Sipas medias gjermane, protestat nisën pasi në fund të muajit maj në plazhet e Zvërnecit u shfaqën tela me gjemba dhe buldozerë.
Edhe The Guardian i ka kushtuar një artikull të gjatë ndërhyrjes së Dua Lipës, duke shkruar se “Revolucioni i flamingove” në Shqipëri ka fituar mbështetësen e tij më të shquar deri më tani. Media britanike thekson se ylli i popit ka shprehur admirim për lëvizjen protestuese kundër resortit të mbështetur nga familja Trump.
Sipas The Guardian, Dua Lipa i ka quajtur protestat e shqiptarëve kundër resortit të Kushner “frymëzuese”, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për transparencën e qeverisë shqiptare pas ndryshimeve ligjore që hapën rrugën për ndërtime në zona të ndjeshme mjedisore.
“Ajo që në fakt më shqetëson është parimi se qeveria mund ta ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, ka deklaruar Dua Lipa.
Media britanike shkruan se projekti prej miliarda eurosh parashikon ndërtime të mëdha në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë, si dhe mijëra vila në gadishullin e Zvërnecit. Të dyja zonat konsiderohen të rëndësishme për ekosistemet dhe jetën e egër, përfshirë shpendët shtegtarë dhe flamingot.
The Guardian nënvizon gjithashtu se eurodeputetët e kanë paralajmëruar Shqipërinë se bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian mund të rrezikohen nëse nuk respektohen standardet mjedisore.
Ndërhyrja e Dua Lipës, sipas medias britanike, është pritur me entuziazëm në ditën e 45-të të protestave në Tiranë. Aleksandër Trajçe, drejtues i organizatës PPNEA, e ka cilësuar deklaratën e këngëtares “fantastike” dhe “në kohën e duhur”, duke theksuar se shumë të rinj shqiptarë janë frymëzuar nga qëndrimi i saj.
Protesta që nisi 46 ditë më parë për Zvërnecin nuk është më vetëm një protestë mjedisore. Ajo është shndërruar në një lëvizje që kërkon dorëheqjen e pakushtëzuar të kryeministrit Edi Rama. Por, sa i përket betejës fillestare kundër projektit të Kushner në zonën e mbrojtur, Der Spiegel dhe The Guardian po kontribuojnë që “Revolucioni i flamingove” të marrë një fytyrë të njohur ndërkombëtare: Dua Lipën.
Mbështetja publike e saj i ka dhënë jehonë të re kauzës së qytetarëve shqiptarë, duke e kthyer çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit në një debat europian për mjedisin, transparencën dhe përgjegjësinë e qeverisë./ Lapsi.al














