Deputetja demokrate dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar pas denoncimit për shenja dhune ndaj Niko Qarkajt, një prej qytetarëve të arrestuar pas protestës përpara Parlamentit të Shqipërisë.
Tabaku thekson se Qarkaj ka deklaruar që në momentin e ndalimit se vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në qeli ka përjetuar kriza.
Sipas deputetes demokrate, situata bëhet edhe më e rëndë pas konstatimit të avokatit të tij, i cili ka deklaruar se në trupin e të ndaluarit ka shenja të qarta dhune, të cilat nuk dyshohet se janë shkaktuar nga vetë ai, por nga një ndërhyrje e jashtme.
Ajo kërkon që rasti të hetohet menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke përcaktuar se çfarë ka ndodhur, kush ka ushtruar dhunën dhe cilët persona kanë lejuar që ajo të ndodhë.
Tabaku është bashkuar gjithashtu me kërkesën e avokatit Serjani që Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit të verifikojnë rastin dhe të raportojnë në mënyrë të detajuar mbi trajtimin e Niko Qarkajt gjatë qëndrimit në paraburgim.
Në cilësinë e drejtueses së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, deputetja e PD-së njofton se do të kërkojë urgjentisht zhvillimin e një dëgjese parlamentare me ministrin e Brendshëm. Sipas saj, në këtë dëgjesë duhet të trajtohet jo vetëm rasti i Niko Qarkajt, por edhe denoncimet për përdorimin e përsëritur të dhunës ndaj protestuesve.














