Procesi zgjedhor në Kosovë po i afrohet fundit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet të shtunën në orën 11:00 për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara më 7 qershor.
Mbledhja vjen pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kërkonin rinumërim të plotë të votave brenda PDK-së.
Vendimi i Supremes i ka hapur rrugën KQZ-së për të përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor dhe për të shpallur rezultatet finale.
Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje është forca më e votuar dhe pritet të ketë 53 deputetë në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të përfaqësohet me 7 deputetë.
Pas publikimit të rezultateve përfundimtare, do të vijojë procesi i certifikimit nga KQZ, duke i hapur rrugë procedurave kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re të Kosovës.














