Nga Boldnews.al
Qeveria gjeti rrugën më të thjeshtë dhe të gabuar të mashtrimit për zbutur efektet e një mesazhi shqetësues të shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila u bëri thirrje qytetarëve të saj “të kenë kujdes të shtuar, pasi grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-në dhe opozitën iraniane në Shqipëri”.
Agjencia qeveritare për Media dhe Informim e quajti mesazhin e shpërndarë në profilin zyrtar në rrjete sociale të selisë diplomatike të Uashingtonit mbrëmjen e 1 Prillit 2026, si “hamendësim i ambasadës”.
Në postimin e administratës amerikane thuhej se “ata (grupet e lidhura me Iranin) mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.
Qeveria e Edi Ramës, nga ana e saj, synoi të sfumojë këtë njoftim “alerti”, duke përdorur edhe një lloj ironie ndaj Ambasadës, në të cilin ftonte qytetarët amerikanë “të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”.

“Fërkimet” publike lënë të kuptohet se qeveria shqiptare nuk është ndier aspak komode me qëndrimin më të fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Konflikti ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranin nga ana tjetër, ka ngritur në nivele të larta edhe atë që konsiderohet si “lufta hibride propagandistike”, ku palët përdorin ndjeshëm rrjetet sociale për të sulmuar kundërshtarin, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara duket se nuk kanë mbështetjen e pjesës më të madhe të anëtarëve të NATO-s në luftën më të fundit në Lindjen e Mesme.
Ndaj, nuk duket se është aspak çudi që qeveria shqiptare e ka lexuar “alertin” e Ambasadës Amerikane në Tiranë si një tentativë jo-reale të Shteteve të Bashkuara për të rritur nivelin e shqetësimit për aleatët e saj ushtarakë, duke sugjeruar “rrezikun eminent ndaj një vendi anëtar të NATO-s”, siç është Shqipëria.

Por, edhe nëse pranohet se është bërë ky “lexim”, qeveria shqiptare gjeti një mënyrë të gabuar, duke reaguar me informacion të pavërtetë.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha deklaruan publikisht se nuk ka asnjë rrezik real për Shqipërinë dhe se “mesazhi i Ambasadës Amerikane është rutinor, i shpërndarë në të gjitha selitë diplomatike të Uashingtonit në botë”.
Deklarata e kryediplomatit shqiptar, e mbështetur nga kolegu i tij i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është tërësisht i rremë, sipas një vëzhgimi të kryer nga “Boldnews.al” në profilet zyrtare në rrjete sociale të një numri të konsiderueshëm të ambasadave amerikane në rajonin e Ballkanit, por edhe në Europë.
“Bllofi” në rrjete sociale
Një pjesë e tyre kanë shpërndarë një mesazh të Departamentit Amerikan të Shtetit, të datës 23 mars 2026, me një thirrje të përgjithshme për qytetarët amerikanë, sidomos në vendet e Lindjes së Mesme.
Në disa të tjera, nuk kishte asnjë lloj mesazhi sensibilizues apo alarmues. Njoftimi i Ambasadës Amerikane në Shqipëri ishte jo vetëm i posaçëm, për vendin tonë, por edhe specifik, me vende e lokacione të caktuara.
Në botën e internetit, ku çdo gjë është e verifikueshme, mbetet e paqartë për momentin se përse ministrat Ferit Hoxha dhe Ermal Nufi duhet të përcillnin për qytetarët shqiptarë mesazhe “qetësuese”, por mbi informacione jo të vërteta.

Në vijim, është rezultati i vëzhgimit të kryer nga “Boldnews.al” në profilet zyrtare në rrjete sociale të Ambasadave Amerikane në mbi 15 shtete europiane, përfshirë të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit.
Ambasada USA në Shkup
Në profilin e ambasadës amerikane në Shkup (Maqedonia e Veriut) është publikuar një mesazh i Departamentit të Shtetit, në të cilin “këshillohen qytetarët amerikanë në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme të ushtrojnë kujdes të shtuar.

Mesazhi i Departamentit të Shtetit është publikuar në 23 mars dhe është ripublikuar në profilin në rrjete sociale të Ambasadës Amerikane në Shkup një ditë më pas, në 24 mars 2026.
Ambasada Usa në Prishtinë
Ambasada Amerikane në Prishtinë (Kosovë), në 23 Mars 2026, shpërndan mesazhin e përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kujdes në mbarë botën…” nis mesazhi, i cili vijon ngjashëm me atë që është publikuar në Maqedoni, por edhe në vende të tjera, siç konstatohet në vijim.
Ambasada USA në Podgoricë
Ambasada Amerikane në Podgoricë (Mali i Zi) nuk ka publikuar ndonjë mesazh specifik “alerti” për qytetarët amerikanë në atë vend.

Megjithatë, ambasada në Podgoricë është kujdesur që të shpërndajë mesazhe në frymën e bashkëpunimit të aleancës ushtarake të NATO-s, në ditët pas nisjes së konfliktit me Iranin.
Ambasada USA në Beograd
Edhe Ambasada Amerikane në Beograd (Serbi) nuk rezulton të ketë shpërndarë mesazhe shqetësuese në profilin e saj në rrjete sociale.

Në një postim të datës 27 Mars 2026, diplomatët në Beograd kanë bërë një “rikujtesë” për qytetarët e tyre që të “regjistrohen në Programin e Udhëtarëve të Zgjuar për të mbajtur kontakte me konsullatën ose ambasadën dhe për të lejuar administratën që t’i lokalizojë sa më shpejt në rast emergjence”.
Ambasada USA në Sarajevë
Diplomatët e ambasadës amerikane në Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë) ndajnë thuajse të njëjtin mesazh si kolegët e tyre në Beograd.

Në qendër të thirrjes për qytetarët amerikanë është regjistrimi në Progragimin e Udhëtarëve të Zgjuar, në një postim të datës 6 mars 2026, pak ditë pas nisjes së konfliktit me Iranin.
Ambasada USA në Bukuresht
Ambasada amerikane në Bukuresht (Rumani) ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në rrjete sociale një njoftim të përgjithshëm, për numrat e telefonit që mund të përdorin qytetarët amerikanë, të cilët mund të gjenden në vështirësi në Lindjen e Mesme.

Nga vëzhgimi në rrjete sociale të kësaj ambasade, nuk dallohet asnjë lloj shqetësimi eminent për qytetarët amerikanë në Rumani.
Ambasada USA në Athinë
Ambasada amerikane në kryeqytetin grek, Athinë, ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në rrjete sociale në 23 mars 2026 mesazhin e natyrës së përgjithshme të Departamentit Amerikan të Shtetit për “kujdes të shtuar të qytetarëve amerikanë në mbarë botën, e sidomos në Lindjen e Mesme…”.

Një mesazh i tillë i përgjithshëm është shpërndarë edhe nga ambasadat në vende të ndryshme, përfshirë Romë (Itali) dhe Vjenë (Austri).
Ndërkohë, në vende të tjera, Ambasadat Amerikane përkatëse nuk rezulton të kenë shpërndarë mesazhe alerti specifik. Sipas vëzhgimit të “Boldneës.al” në profilet zyrtare në rrjete sociale, nuk u konstatuan njoftime “shqetësuese” nga ambasadat amerikane në Sofje (Bullgari), Zagreb (Kroaci), Ljubjanë (Slloveni), Budapest (Hungari).
Po ashtu, nuk rezultuan mesazhe të ngjashme as në profilet zyrtare të ambasadave amerikane në Moldavi, Poloni apo Çeki.














