Nga Boldnews.al
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, shprehet se opozita duhet të vendosë moralin e saj politik në tryezën e bisedimeve me maxhorancës për Reformën e re Territoriale.
Qosja, ndër të paktën drejtues lokalë nga Partia Demokratike, i bëri këto deklarata në krah të kryetarit, Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar këtë të Hënë, ku u diskutua mbi vizionin e opozitës për ndryshimet e reja në hartën e brendshme të Shqipërisë.
Por, njeriu që bëri thirrje për “moral të pastër politik”, nuk duket se i përmbahet shumë këtij parimi, në përditshmërinë e punës së tij në krye të Kavajës.

Partia Demokratike në opozitë, prej vitesh, ka zhvilluar një betejë të fortë politike dhe publike kundër “aferës së inceneratorëve”, duke e konsideruar atë si një prej skandaleve më të rënda korruptive të qeverisë së Rilindjes socialiste, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në këtë betejë të fortë politike, opozita ka siguruar disa arritje të rëndësishme, përfshirë faktin se çështja e inceneratorëve u vërtetua nga drejtësia si një “aferë korruptive”, në bazë të të cilës janë kryer një seri arrestimesh e dënishëm, të zyrtarëve kryesisht të nivelit të mesëm dhe, deri diku, edhe të nivelit të lartë.
Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga subjekti tjetër opozitar, Partia e Lirisë, megjithatë, prej kohësh, deklarojnë se “Drejtësia e Re”, referuar këtu Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, nuk e kanë hetuar deri në fund këtë aferë gjigante dhe, mbi të gjitha, nuk ka arritur të ndalë milionat e eurove që përfundojnë në llogaritë e kompanive koncesionare.
Në fokus të betejës së opozitës qëndrojnë, sidomos, pagesat mujore të kryera nga Bashkia e Tiranës për inceneratorin “fantazëm” në landfillin e Sharrës.
Por, partitë opozitare, janë kujdesur që të mos përmendin faktin se, për “inceneratorin korruptiv Rama-Veliaj”, siç e përmendin në daljet publike, të mos përmendin faktin se kryen pagesa edhe demokrati i Kavajës, Fisnik Qosja.
Sjellja e Qoses me “aferën e inceneratorëve” nuk duket se përbën “moral të pastër politik”, atë që reklamon ai në krah të kryedemokratit, Sali Berisha.
Morali “i inceneratorit” të Fisnik Qoses
Në 24 mars 2026, Bashkia e Kavajës kreu një pagesë në shumën rreth 3.6 milionë lekë të reja (35 mijë euro) për shoqërinë koncesionare të inceneratorit fantazëm të Sharrës, “Integrated Energy bv”, një kompani në pronësi “de facto” të biznesmenëve në kërkim, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri dhe që menaxhohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).
Më herët gjatë këtij muaji, në 3 mars 2026, kryebashkiaku Fisnik Qosja ka kryer një tjetër pagesë për depozitimin e mbetjeve në Sharrë të Tiranës, në shumën 3.7 milionë lekë të reja. Brenda një muaji, Bashkia e Kavajës ka paguar rreth 70 mijë euro për “inceneratorin fantazëm” të kryeqytetit.
Fisnik Qosja u shpall fitues në zgjedhjet lokale të vitit 2023, duke mundur kryebashkiaku socialist në detyrë, Redian Krali.
Qosja, me marrjen e detyrës, gjeti në fuqi kontratën e nënshkruar në vitin 2021, ndërmjet Bashkisë së Kavajës dhe kompanisë koncesionare të Sharrës, “Integrated Energy bv”.
Gjatë fushatës elektorale, ai ishte shprehur se kjo kontratë ishte korruptive dhe se duhej anuluar. Por, pasi mori detyrën, Qosja e moderoi qëndrimin e tij.
Në një intervistë për emisionin “Pa censurë” në Televizionin Publik Shqiptar, Fisnik Qosja, deklaroi se “Faktikisht, (kontrata e depozitimit të mbetjeve) ka një kosto të tepruar. Unë do të negocioj me ta (me administratorët e kompanisë koncesionare) dhe besoj se do të kemi një reduktim të kostove…”.

Më tej, kryebashkiaku i Kavajës deklaroi se “Ne do të tolerojmë diku, ato do më tolerojnë diku. Besoj se do të kemi një marrëveshje. Do ta mbajmë kontratën dhe do përpiqemi të negociojmë”.
Këto deklarata, të dhëna nën efektet e nxehta të fitores, nuk rezulton që të jenë materializuar, ndërkohë që Fisnik Qosja po përfundon vitin e tretë në krye të Bashkisë së Kavajës.
Përkundrazi, ai është treguar shumë preçiz në pagesën e tarifës 29 euro për ton mbeturina, ndërkohë që Bashkia e drejtuar prej tij, si edhe të tjerat e qarkut të Tiranës, marrin shërbim gjysmak nga ana e landfillit të Sharrës.

Të dhënat e përpunuara nga “open.data albania” tregojnë se, prej qershorit 2023, kohë kur Fisnik Qosja ka hyrë në zyrën e kryebashkiakut e në vijim, Bashkia e Kavajës ka paguar më shumë se 230 milionë lekë të reja ose afërsisht 2.5 milionë euro.
“Kusuret” e koncesionit
Në vitin 2016, qeveria e kryeministrit të majtë Edi Ramë, nëpërmjet Ministrit të Mjedisit të kohës, Lefter Koka, nënshkroi kontratën me kosto koncesionare 120 milionë euro dhe me kosto reale shumë herë më të larta, për ndërtimin dhe operimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, në Tiranë.
Në bazë të kësaj kontrate, kompania koncesionare “Integrated Energy bv” merrte përsipër ndërtimin, si edhe depozitimin, përpunimin dhe incenerimin e mbetjeve që do të depozitoheshin aty nga bashkitë e Qarkut Tiranë.
Kontrata parashikonte edhe tarifën 29 euro për ton mbeturina që njësitë e qeverisjes vendore do të paguanin për shërbimin që do të kryhej në landfill.

Por, 10 vjet pas nënshkrimit të kontratës, shërbimi i ofruar nga administrata e landfillit është gjysmake. Kompania koncesionare nuk e ndërtoi kurrë impiantin e djegies së mbeturinave (inceneratorin), një shërbim që përbënte më shumë se gjysmën e tarifës që paguajnë bashkitë.
Pavarësisht se nga ana e landfillit nuk jepet shërbimi i kontraktuar, bashkitë kliente, përfshirë atë të Tiranës, Durrësit, Vorës, Kamzës dhe Kavajës, paguajnë tarifën e plotë 29 euro/ton.
Partia Demokratike ka akuzuar shpesh kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, se po kryen pagesa abuzive për inceneratorin fantazëm. Akuzat e saj qëndrojnë tërësisht. Por, këtë “shkelje” po e kryen edhe kryebashkiaku demokrat i Kavajës, Fisnik Qosja, i cili flet për “moral të pastër politik” të opozitës.














