Prokuroria e Hagës ka kërkuar në total 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas raportimeve, në seancën gjyqësore ku ka filluar faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, dënimi prej 45-vjetësh burgim për secilin është kërkuar nga kryeprokurorja Kimberly West, me argumentin se akuzat ndaj tyre mbeten shumë të rënda pavarësisht se kanë kaluar vite.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45- vjetësh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto janë krime lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, theksoi ajo.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer gjatë konfliktit në Kosovë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999.
Gjyqi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërkohë vetë të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se janë të pafajshëm.
LEXO EDHE:














