Gazetari Almer Toska, i ftuar në Neës24, komentoi protestën e thirrur këtë të hënë nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, duke theksuar se sfida kryesore e opozitës nuk lidhet me numrin e pjesëmarrësve, por me humbjen e besimit tek demokratët dhe qytetarët.
Sipas Toskës, PD vazhdon të përballet me skepticizëm të madh, pasi shumë mbështetës janë zhgënjyer nga premtimet e pambajtura.
“PD ka një problem të madh me besueshmërinë. Berisha u premtoi një revolucion dhe njerëzit dolën në protestë, kam parë qytetarë të uritur dhe të paangazhuar që u bashkuan atë ditë,” tha ai, duke kujtuar protestat e mëparshme.
Ai shtoi se vetë demokratët e pranojnë vështirësinë për të mobilizuar mbështetësit: “Demokratët kanë thënë në mbledhje ‘nuk na vijnë njerëzit’. Këtu çalon PD, sepse nuk ngjall më shpresë.”
Toska u ndal edhe tek problemi i perceptimit publik, duke theksuar se pjesë e ekipit rreth Berishës shfaqen me makina luksoze dhe vila, gjë që – sipas tij – i largon qytetarët e thjeshtë nga protestat.
“Figura e Berishës shihet si dikush që nuk bën korrupsion dhe nuk shitet, ndërsa njerëz të tij kanë makina nga 100 mijë euro, përfitojnë tendera dhe nuk u mungon asgjë. Ndërkohë demokratët janë në vështirësi,” tha ai.














