Tensione janë regjistruar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve mëngjesin e sotëm. Pas debateve për paketën fiskale, opozita ka akuzuar mazhorancën se po e trajton Kuvendin si bahçe personale.
Referuar përjashtimit të Berishës nga Kuvendi, deputeti Agron Gjemarkaj thotë se ky është sipas tij një rast i paprecedentë.
Sipas Gjekmarkajt, mazhoranca ka frikë nga fjala e Berishës, ndërsa shton se deputetët socialistë kanë koncepte shërbëtorësh, jo ligjvënësish.
“Keni krijuar një rast të paprecedentë. Njeriu flet jashtë dhe ju e përjashtoni brenda. Njeriu flet në mëngjes dhe Toni Gogu nxehet në darkë. Ju kërkoni t’i shmangni debatit. Ju keni frikë nga fjala e Sali Berishës dhe nga të vërtetat që ai thotë! Po e trajtoni Kuvendin si bahçe personale! Edhe një kovaçhane punon mbi rregulla, ndërsa ju si treshe e keni marrë peng! Keni koncepte shërbëtorësh, jo ligjvënësish! PD dhe Sali Berisha janë këtu që liritë dhe e vërteta të mbrohen, dhe ne do t’i mbrojmë“, u shpreh deputeti.














