Një përleshje e dhunshme mes dy grupeve shqiptare ka ndodhur pasditen e 10 nëntorit në qytetin Mogliano Veneto të Trevisos.
Sipas mediave italiane, sherri ka nisur në një parking në Via Svevo, pranë një shkolle, dhe është përshkallëzuar me përdorimin e thikave dhe armëve të zjarrit.
Nga përplasja kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët janë transportuar me urgjencë në spital. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku disa prej të përfshirëve ishin larguar.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një larje hesapesh mes bandave shqiptare.
Deri tani, janë gjetur tre armë zjarri, ndërsa njëra mendohet se është hedhur pranë vendit të ngjarjes nga një prej autorëve.














