Policia greke ka identifikuar trupin e gjetur të vrarë dhe më pas të djegur në një makinë në Skourta të Viotias si 27-vjeçarin shqiptar Sulo Halili, me origjinë nga Becishti i Tepelenës. Viktima rezultonte e zhdukur që nga 4 nëntori, pasi kishte dalë nga banesa e tij në Halkida.
Autopsia ka treguar se Halili u qëllua me armë zjarri para se të digjej, ndërsa makina ku u gjet ishte e vjedhur dhe me targa të falsifikuara. Trupi u gjet i lidhur me pranga në sediljen e pasme të automjetit.
Autoritetet greke po hetojnë mundësinë që shqiptari të ketë pasur lidhje me veprimtari kriminale ose të jetë bërë viktimë e një hakmarrjeje, ndërsa rezultatet e analizës së ADN-së pritet të konfirmojnë identitetin e tij zyrtarisht.














