Dyshimeve në përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë i janë shtuar të tjera fakte komprometuese.
Kryetari i KED, gjithashtu edhe i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ia fshehu trupës prej 15 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë gjatë procesit të votimit një informacion të rëndësishëm për kandidatin Asim Vokshi.
Bëhet fjalë për informacionin e institucioneve të sigurisë kombëtare se gjyqtari Asim Vokshi ka qenë informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës. Por shkelja nis nga hallka tjetër e rëndësishme siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që për këtë vit drejtohet nga Sokol Sadushi dhe që nuk funksionoi sipas ligjit.
I krijuar si një organ kolegjial me 9 anëtarë që duhet të verifikojë kushtet e kandidatëve që konkurrojnë për në kushtetuese, KED e drejtuar nga Sokol Sadushi dyshohet se nuk e kreu detyrën për verifikimin e gjyqtarit Asim Vokshi, emri I të cilit më pas i kaloi mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve.
Ky vendim i datës 17 qershor 2025 u dha në një kohë kur institucionet i kishin dorëzuar KED të dhëna kompromentuese që tregonin se kandidati Vokshi nuk duhet të kualifikohej më tej mbasi ekzistonte një kriter ndalues parashikuar në pikën 89/c të vendimit numër 4 viti 2019.
Konkretisht të dhënat e siguruara nga TCH tregojnë se KED ju dorëzuan informacione nga institucionet e sigurisë ku përmendej se kandidati ishte bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.
Por me gjithë informacionin që duhet të ishte lexuar më pas nga KED si kriter ndalues, të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan gjatë vlerësimit dhe gjyqtari Asim Vokshi u listua në datën 17 qershor 2025 për të vijuar garën.
Dorëzimi i kësaj të dhëne thuhet se ndodhi gjatë verifikimit të integriteti që përfshin disa institucione mes tyre prokurorinë e përgjithshme, DSIK dhe autoriteti për dokumentat e ish sigurimit të shtetit të cilët ndoqën protokollin dhe dorëzuan të dhënat e tyre, por nëntë anëtarët e KED nuk panë dhe nuk lexuan duke e renditur të parin në listë Asim Vokshin./ Top Channel
LEXO EDHE:
Kandidat i “paracaktuar”, Asim Vokshi zgjidhet anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese














