Sot është ditë heshtjeje zgjedhore në pesë bashki të vendit, ndërsa nesër qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Në total, 334.539 votues në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet zgjedhore në të gjitha bashkitë, ndërsa Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e procesit. Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen në ruajtjen e 9 objekteve zgjedhore dhe 473 qendrave të votimit, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që mund të synojë cënimin ose tjetërsimin e votës.
Në këto zgjedhje marrin pjesë 13 kandidatë në total. Fushata elektorale, e konsideruar ndër më të qetat e viteve të fundit, është zhvilluar pa praninë e liderëve të partive kryesore.
Në Vlorë, kandidatja e PS, Brunilda Mersini, përballet me Dionis Sotën, të mbështetur nga PD, dhe me Gjergj Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak. Në Berat, gara është mes Ervin Cecës (PS) dhe Pavlo Shkarpës.
Në Mat do të garojnë Altin Bojni (PS), Suzana Pasha (kandidate e pavarur, ish-degë e PS-së) dhe Eduart Brahilika, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me Amarildo Hoxhën, të mbështetur nga PD, dhe Eligert Himën nga partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”. Ndërsa në Tepelenë, gara zhvillohet mes Gramoz Sakos (PS) dhe Gabriel Gumës (i pavarur).














