Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të qeverisë për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një përpjekje për të “relativizuar rolin tradicional të familjes shqiptare”.
Në një deklaratë publike, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron “nën ndikimin e Xhorxh Sorosit”, të cilin e përshkroi si figurë që mbështet “ideologjitë e majta ekstreme”. Ai e quajti ligjin “rrezik për vlerat tradicionale”, duke pretenduar se ai “mohohet konceptin natyror të gjinive dhe familjes”.
Sipas tij, përkufizimet e reja të qeverisë për gjininë si “rol social” përbëjnë “një tentativë për të zbehur dallimet natyrore mes burrit dhe gruas” dhe për të “zëvendësuar traditën me ideologji të imponuara nga jashtë”.
Sali Berisha: Por, nga ana tjetër, e thashë dhe në fillim, një goditje të rëndë ka marrë në SHBA Xhorxh Soros, armiku më i egër i forcave demokratike konservatore në botë. Mbështetësi kryesor i ekstremit të majtë. Në vendin e tij është akuzuar për veprimtari kriminale masive, por në Shqipëri qeveria, gjysma e kabinetit është me bashkëpunëtorë të Sorosit. Kjo është e vërteta, janë hajdutë. Ligji që vjen në parlament është ligji i poshtërimit të familjes shqiptare. Ligji që do të mohojë gjinitë njerëzore, burrë dhe grua, mashkull dhe femër. Ligji në të cilën e majta ekstremiste post-marksiste amerikane u angazhua në mënyrën më të papërmbajtur. Këtu, Marksi nuk ka shkuar gjer aty. Këtu, Marksi që është doktrinari i terrorizmit mbi tokë, nuk ka shkuar tek gjinia. Nuk ka ai përpjekje për të ndryshuar me gjininë. Kurse, Soros me të vetët përpjekje titanike për të krijuar gjininë e tretë, apo të katërt. Dhe tani, ligji në parlament, gjoja i barazisë gjinore, faktikisht ligji i shuarjes. Gjinia, thotë Edi Rama, nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivietet dhe kontributet që një shoqëri e caktuar e konsideron për gratë dhe burrat. E kuptoni? E hoqi dhuntinë e Zotit. E hoqi përcaktimin natyror, por tani e sjell dhe e vërtit çfarë u duket e përshtatshme. Nuk ka. Kjo përpjekje për të shuar konceptin e familjes shqiptare dhe familjes në botë siç është, prindi, baba, nëna, fëmija, do të thotë se vendin e Marksit të dikurshëm në Shqipëri e ka Xhorxh Sorosi. Dhe unë ju them ju, ne nuk duhet ta nënvleftësojmë sepse Xhorxh Sorosi ka mbështetës të fuqishëm shqiptarë dhe jo shqiptarë, që ditën dhe natën punojnë kundër opozitës shqiptare. E shpallin opozitën shqiptare joperëndimore vetëm pse mbron këto vlera të shenjta të familjes, të atdheut dhe të kombit.














