Sipas një raporti të CNN, Irani po intensifikon rindërtimin e programit të tij të raketave balistike, edhe pse muajin e kaluar OKB-ja riktheu sanksionet që ndalojnë shitjen dhe prodhimin e armëve në vend.
Burime të inteligjencës evropiane bëjnë të ditur se që nga fundi i shtatorit, disa ngarkesa me hipoklorat natriumi – përbërësi kryesor për prodhimin e karburantit të ngurtë që përdoret në raketat me rreze të mesme të veprimit – kanë mbërritur nga Kina në portin iranian Bandar Abbas.
Sipas të dhënave, Irani bleu rreth 2,000 tonë nga kjo substancë kimike pas përplasjes 12-ditore me Izraelin në qershor, për të rimbushur rezervat e shpenzuara të raketave. Disa nga anijet dhe kompanitë kineze të përfshira janë tashmë nën sanksione amerikane.
Këto dërgesa ndodhën menjëherë pasi u rivendos mekanizmi “snapback” i sanksioneve të OKB-së, që ishte pezulluar pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA). Sipas kushteve të reja, Teherani ndalohet të zhvillojë çdo aktivitet që lidhet me raketa të afta për mbajtjen e armëve bërthamore, ndërsa vendet anëtare të OKB-së duhet të pengojnë çdo furnizim me materiale që mund të ndihmojnë në ndërtimin e sistemeve të tilla.
Megjithatë, hipoklorati i natriumit nuk është shprehimisht i ndaluar në listat e OKB-së, ndonëse është pararendës i hipokloratit të amonit, një oksidues i regjistruar dhe i ndaluar që përdoret drejtpërdrejt në raketat balistike. Kjo boshllëk ligjor, sipas ekspertëve, i lejon Kinës të pretendojë se nuk po shkel asnjë nga ndalimet ndërkombëtare.
CNN ka gjurmuar lëvizjet e disa anijeve të identifikuara nga shërbimet e inteligjencës si të përfshira në dërgesat e fundit, përmes të dhënave të transportit dhe postimeve të ekuipazheve në rrjete sociale. Sipas raportit, shumë nga këto anije kanë udhëtuar disa herë midis Kinës dhe Iranit që prej prillit, dhe disa prej tyre janë në pronësi ose nën menaxhimin e kompanive detare shtetërore iraniane.
Zyrtarisht, Pekini mohon dijeni për transaksionet. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze deklaroi për CNN se Kina “respekton në mënyrë të qëndrueshme kontrollet e eksportit” dhe vepron në përputhje me ligjet dhe detyrimet ndërkombëtare.
Eksperti amerikan Jeffrey Lewis, drejtor i Programit për Mosshpërndarjen e Armëve Bërthamore në Institutin Middlebury, u shpreh se Irani po përpiqet të rikuperojë kapacitetet ushtarake të humbura:
“Irani ka nevojë për më shumë hipoklorat natriumi për të zëvendësuar raketat e përdorura në luftë dhe për të rritur prodhimin. Ashtu si Irani po rigjeneron arsenalin e tij, edhe Izraeli dhe SHBA po bëjnë të njëjtën gjë,” tha ai.
Kina mbetet aleati më i fortë ekonomik dhe diplomatik i Iranit, duke blerë pjesën më të madhe të naftës iraniane, pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe kundërshton publikisht “sanksionet e njëanshme” të Shteteve të Bashkuara.














