Pas reagimit të Presidencës, ku Presidenti Bajram Begaj e quajti kërkesën për shkarkimin e tij një “sulm politik”, Partia Demokratike publikoi dokumente që, sipas saj, hedhin dyshime mbi përfitime të paligjshme dhe konflikt interesi në Presidencë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se djali i Presidentit paguhet nga kompania “ANSIG”, me të cilën Presidenca ka kontrata për prokurimet e institucionit. Pagesa arrin në 30 mijë euro në vit, ndërkohë që djali jeton në Gjermani dhe punon si mjek atje.
Bardhi theksoi se kjo është vetëm një nga rastet që sipas opozitës, tregon korrupsion dhe përfitim të paligjshëm nga pjesëtarët e familjes së Presidentit. Ai u shpreh se Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara këtij fenomeni dhe kërkoi hetim të plotë dhe shkarkimin e Presidentit Begaj.
Në reagimin e Presidencës, Begaj mohoi akuzat, duke i cilësuar si “pretendime të pavërteta” dhe theksoi se do t’i përgjigjet Parlamentit me seriozitet dhe ndershmëri. Megjithatë, publikimi i dokumenteve nga PD ka rritur tensionet politike dhe nxjerr në pah dyshimet mbi lidhjet e familjarëve të Kreut të Shtetit me kontrata shtetërore.