Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, pasi nuk është përfshirë në rendin e ditës kërkesa për interpelancën urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me fondet e programit IPARD.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se kërkesa për mocion nuk është hedhur fare në votim, duke e cilësuar këtë si një veprim të qëllimshëm nga mazhoranca.
“Keni sjellë rendin e ditës, por mungojnë dy çështje që i keni detyrim. E para, interpelanca urgjente me Kryeministrin, që duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës. Duke mos e përfshirë, ju keni shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
E dyta, kërkesat për mocionet duhet të vijnë në Kuvend dhe të hidhen në votim. Ju, znj. Kryetare, vazhdoni të shkelni Kushtetutën në mënyrë sistematike,” u shpreh Bardhi.
PD ka kërkuar që Kuvendi të trajtojë me urgjencë çështjen e fondeve IPARD, të cilat, sipas saj, janë përdorur në mënyrë klienteliste dhe pa transparencë. Deri më tani, mazhoranca nuk ka dhënë një reagim lidhur me këto akuza.