Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mbështetjen e demokratëve për Florjan Binajt si kandidat për Tiranën, e ka konsideruar si “hedhje në erë” të procesit të opozitës për të dalë me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës.
Në një konferencë për mediat, Shehaj tha se opozita duhej të zgjidhte kandidatin më të mirë përmes një sondazhi transparent, dhe jo të vendoste në mënyrë të njëanshme. Ai theksoi se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Sali Berishën dhe se komunikimi ndërpartiak u ndërpre në momentin që PD shpalli kandidatin pa konsultim me partitë e tjera opozitare.
Agron Shehaj: Nuk kam pasur asnjë kontakt me Berishën. Është kërkuar pasi është shapllur kandidati. E merrni me mend vetë, se sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat. Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Komunikimin, le të themi, përpjekjet tona për të dalë me një kandidatë, të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaroi momentin kur kryetari i Partisë Demokratike ka dalë vetëm me një kandidatë. Ky është kandidati që ne do mbështesim. Tani nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë të diskutojmë, se nuk mund të pretendojmë që Partia Demokratike, të ndërrojë mendim dhe të thotë “jo tani do vazhdojmë me këtë kandidatë” .
E përseris edhe njëherë, qëllimi ynë, e kemi thënë që ditën e parë, nuk ishte që ne të impononin emrin. Nuk na interesonte emri. Ne na interesonte që të kishim një proces që të kishim kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë për t’u bërë, siç bëjnë të gjitha partitë perëndimore, kur duan të zgjedhin kandidatin më të mirë, është të bësh një sondazh. Vetëm nëpërmjet sondazhi je i sigurt që kandidati që ti po nxjerr është më i miri. Ne nuk mund ta dimë. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje, nëse ky është më i miri ose nëse ai tjetri është më i keqi.
Berisha bëri fakt të kryer kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës. Berisha hodhi në erë procesin e ndërtuar. PD kishte shansin të shkonte përtej vetes. U shkelën parimet që kishim ndarë. Ai tha se ishte dakord për një kandidat të pavarur. Është e paqartë sesi ata kanë dalë në konkluzionin se si kandidati ka më shumë shanse. Nuk mund të merret një kandidat kur nuk është bërë një sondazh. Morën një vendim pa të dhëna të sakta