Vetëm disa orë pasi u kthye nga vizita e tij e parë në Uashington, ku zhvilloi bisedime me Presidentin Donald Trump, kancelari gjerman Fridrich Merz u shpreh se ishte siguruar nga Trump se Uashingtoni nuk e ka në plan për t’u tërhequr nga NATO.
Merz ka mbështetur kërkesën e Trump që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrotjen ndërsa theksoi se vendi i tij do të ketë gjithmonë nevojë për mbështetjen e Uashingtonit.
“Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ne do të jemi të varur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një farë kohe. Megjithatë, i thashë Donald Trump se edhe ju keni nevojë për partnerë në botë dhe evropianët dhe gjermanët në veçanti janë partnerët më të përshtatshëm në botë kur bëhet fjalë për përballimin e sfidave të përbashkëta tani. Ky është ndryshimi midis sistemeve autoritare dhe demokracive”, tha Friedrich Merz.
Sipas Merz, ai diskutoi me Presidentin amerikan edhe për tarifat.
“I thashë se unë ngas një X3 të vogël privatisht, i cili është prodhuar në Karolinën e Jugut nga BMW. Unë drejtoj një makinë amerikane me një markë gjermane. Këto janë shembuj për t’i treguar se kjo politikë tarifore nuk na prek vetëm ne, por edhe ata”, tha Merz.
Merz, është udhëheqësi i fundit evropian që viziton Trumpin me shpresën për ta bindur atë për nevojën për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus.