Seanca e sotme në Kuvend ka zgjatur vetëm 15 minuta, ku opozita kishte si synim denoncimin e asaj që e konsideron si “farsë” zgjedhore, sa i përket zjgedhjeve parlamentare të 11 Majit.
“Strategjia e Opozitës është përfaqësimi i kauzës së drejtë të shqiptarëve për votën e lirë. Ka vetëm një strategji, ka vetëm një objektiv, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve në kushtet e një narkoshteti të dominuar tërësisht nga kartelet më të fuqishme në Europë.” – tha Sali Berisha për gazetarët nga oborri i Kuvendit.
Grupi parlamentar i PD-së i ishte drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, me një kërkesë për të përfshirë në seancën plenare të sotme një periudhë 60-minutëshe debati jashtë rendit të ditës.
Sipas demokratëve, urdhri për mbledhjen e seancës plenare – i lëshuar më 22 maj – binte ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon që në fund të rendit të ditës, çdo deputet ka të drejtë të ngrejë çështje që i konsideron me rëndësi publike, për një kohë të përgjithshme deri në 60 minuta. Por, gjithsesi, kërkesa e demokratëve u rrëzua nga ana e socialistëve.
Seanca nisi me një debat mes Gazment Bardhit dhe Elisa Spiropalit, pasi deputeti demokrat mori fjalën, pasi kryeparlamentarja pyeti nëse dikush kishte vërejtje për procesverbalin. Por, në momentin kur Bardhi e konsideroi Spiropalin si përfaqësuese të Xhabaftëve, ajo i fiku menjëherë mikrofonin.
“Në procesverbal keni zbardhur emra të tjerë të deputetëve të krahut andej e përfaqësues të qeverisë. Ju duhet të vini emra të vërtet të atyre që ju përfaqësoni të tjerë, fjala vjen zonja kryetare, ju nuk quheni Elisa Spiropali ju quheni përfaqësuese e Xhafbatëve në Kuvendin e Shqipërisë.” – tha Bardhi.
Më pas fjalën e mori Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, i cili u shpreh se klanet e vrasësve dhe kartelet e drogës kanë sjellë në parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura. Sipas tij, do të ishte më e ndershme që aty të ulej Xhevdet Troplini, Altin Hajri, Suel Çela, Bahri Bajri, Pëllumb Gjoka, Arben Qimja, Renato Salihi, Orik Shyti, etj.
“Kjo seancë mblidhet pas farsës elektorale më të turpshme, pas rënies së Perdes së Hekurt në Europën ish-komuniste. Kjo seancë mblidhet pasi partia e krimit me në krye Edi Ramën zhvilloi farsën zgjedhore më kriminale që ka njohur ndonjëherë historia e vendit. Kjo seancë mblidhet pasi në shkelje të të gjitha ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, Edi Rama përdori 76 milionë euro dhuratë për 48 përqind të votuesve. Pasi fali 200 milionë euro gjoba dhe kamata për të marrë votat. Pasi mobilizoi kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë. Deputetët e këtyre karteleve u zëvendësojnë ju në këtë parlament, jo se ju nuk ishit mëkatarë, por vetëm njëri prej tyre, Arkendi, që mori 2500 vota në vitin 2021, mori këtë vit nga Troplinët 5 mijë vota më shumë se Edi Rama. Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, drogës, kartelet e drogës, sjellin në këtë parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura. Ju mblidheni sot këtu pasi për të blerë votat me drogë, kreu juaj firmosi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis në mbarë vendin. Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur votën e parë të diasporës shqiptare e manipuluat në mënyrën më të egër. Kur 1.6 milionë shqiptarëve iu shkelmuat votën. O botë e krimit, nuk mund të ishit ndryshe ju. Përfaqësues të klaneve më të egra dhe vrasësve, nuk mund të ishit ndryshe, këta mund të ishit. Po, po. Shumë herë më e ndershme do ishte që këtu në parlament të ulej Xhevdet Troplini, Altin Hajri, Elvis Çela, Bahri Bajri, Pëllumb Gjoka, Arben Qimja, Renato Salihi, Orik Shyti dhe të tjerë të cilët u përdorin ju si lecka politike në funksion të perandorive të tyre të krimit.” – tha Berisha.
Pasi Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën Sali Berishës, ata shkëmbyen këto replika me njëri-tjetrin.
Spiropali: Koha mbaroi.
Berisha: Cila kohë?
Spiropali: Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar.
I vetmi zë nga socialistët ishte ai i kreut të grupit, Niko Peleshi, i cili tha se do të kenë disa seanca intensive deri në fund të korrikut, për të miratuar rreth 30 akte të depozituara.
“Pas një fushate të suksesshme për të gjithë, mbi të gjitha për vendin e shqiptarët. Jemi në parlament, jo në cirk. Kemi plot arsye të kërkojmë edhe diskutime jashtë rendit të ditës se kemi shumë falenderime për shqiptarët, por nuk është ky momenti. Do të kemi disa seanca intensive deri në fund të korrikut. Të nderuar kolegë deputetë të PS, por edhe të grupeve të tjera, të punojmë me intensitet që rreth 30 akte të depozituara t’i miratojmë në këto seanca”, tha Peleshi.
Më pas, Sali Berisha mori sërish fjalën, ku u drejtua nga ministri Blendi Gonxhe, i cili sipas tij, tani quhet Blendi Xhabafti, për shkak të mbështetjes që ka patur nga grupi kriminal i Xhabaftëve në Vorë për zgjedhjet e 11 Majit.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, ai që shihni aty, ai ndërroi mbiemrin. Ai tani quhet Blendi Xhabafti. Ai është Blendi Xhabafti, një bandit më i keq, më i rrezikshëm se Robert dhe Alfred Xhabafti. Ja, ky është! Ai është njëlloj si ti, se edhe ti erdhe si Spiropali dhe përfundove si Spirogjoka.” – tha Berisha.
Por, Elisa Spiropali u hodh menjëherë në mbrojtje të Gonxhes, duke i ndërprerë fjalën Sali Berishës dhe mbylli seancën
“Të heq të drejtën e fjalës, s’mund të vish këtu pas humbjes tënde turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin e Shqipërisë. Ky është rendi i ditës, keni bërë kërkesë, s’mund të flasësh, e ke mbyllur siç e ke mbyllur gjithmonë. Mbyllet seanca plenare”, tha Spiropali.
Opozita dhe mazhoranca nuk u dakordësuan as në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për kalendarin e punimeve të Kuvendit. Sipas kalendarit, gjatë peridhës së mbetur të kësaj legjislature, do të bëhen raportimet vjetore të të gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe ato të drejtësisë.
Parlamenti aktual i mbyll punimet në fund të javës së tretë të korrikut, ndërsa në shtator do të konstituohet parlamenti i ri, ku ligjvënësit aktualë do të duhet të “lirojnë” vendin për deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.