Vetëm katër ditë para zgjedhjeve të 11 majit, fushata elektorale po hyn në një fazë të nxehtë, kur janë intensifikuar akuzat dhe denoncimet nga opozita, e cila ngre alarmin për manipulim të organizuar të procesit zgjedhor. Denoncimet lidhen me votën e diasporës, blerjen e votave, përdorimin e administratës publike, presionin ndaj policisë, dhe asfaltin elektoral.
Jozefina Topalli, si drejtuese politike e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për diasporën, ka ngritur shqetësimin e saj për shkelje të rënda të integritetit të votimit në Greqi. Ajo ka folur për manipulim masiv me zarfe votimi të dorëzuara pa identifikim në lokale lojërash fati, duke e quajtur situatën “krim zgjedhor” dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga OSBE/ODIHR, KQZ dhe hetim penal nga SPAK. Sipas saj, sistemi ka dalë jashtë kontrollit dhe procesi logjistik i votës së diasporës kontrollohet nga elementë të lidhur me pushtetin.
“Nëse një votë hidhet në një lokal të lojërave të fatit, në errësirë, pa identifikim dhe pa firmë të personit që i merr, sigurisht që kjo është një votë që nuk mund të vlerësohet” u shpreh Topalli në një konferencë nga selia e PD.
Ajo kërkoi që OSBE/ODIHR të dërgojë mision të posaçëm vëzhgimi në Greqi dhe që SPAK të nisë hetimet penale për manipulim zgjedhor.
Po ashtu Partia Demokratike, përmes juristit Franc Nuri, denoncoi një tjetër shkelje të rëndë: “Emrat e dubluar në lista. Mund të jenë mbi 100, 137 ne patëm mundësinë të identifikojmë para 2 javësh… Votimi dy herë do të ishte krim zgjedhor” u shpreh ai.
PD e ka mbështetur shqetësimin me një letër drejtuar KQZ dhe OSBE/ODIHR duke denoncuar dublimin e emrave në listat e votuesve, dorëzimin e zarfeve jashtë kanalit zyrtar të postës, si dhe ka kërkuar auditim të procesit logjistik.
Ndërkohë, drejtues të Partisë Demokratike nga qarqe të ndryshme si Lezha, Dibra dhe Elbasani, po denoncojnë publikisht përpjekjet e strukturave të PS për të ndikuar rezultatin me blerje votash, presion institucional, rekrutime elektorale dhe përdorim të burimeve shtetërore.
Prokuroria e Elbasanit ka reaguar ndaj denoncimit të Partisë Demokratike, që akuzoi se burgu i Peqinit është kthyer në shtab elektoral të PS-së. Falmur Noka gjatë një konference për mediat tha se për ndikimin e votës në Elbasan ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejtë Suel Çela.
“Elbasani nuk mbahet me dhunë, nuk mbahet me banda. Larg duart Suel, se nuk do të ketë qeli të errët që do të mbajë ty” u shpreh Noka me tone kërcënuese nga Suel Çelës që zyrtarisht është në kërkim për organizatë kriminale.
Prokuroria ka nisur procedim penal për “shpërdorim të autoritetit policor” për ngjarjen në Peqin dhe ka ngritur një grup të posaçëm hetimor.
Në Fier, Gazment Bardhi hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj policisë që sipas tij është e përfshirë në inskenimin e ngjarjeve kundër demokratëve. Bardhi iu drejtua direkt drejtorit të policisë së Fierit me një mesazh.
“Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së qarkut Fier, më ngatërron mua me Belindën… mbi çdo urdhër të paligjshëm që ke dhënë sot për të inskenuar ngjarje, janë informuar SPAK dhe vëzhguesit ndërkombëtarë” është shprehur Bardhi..
Gjin Gjoni ka denoncuar publikisht në Lezhë përpjekjet e PS për të blerë votën e qytetarëve dhe ka deklaruar se PD ka ngritur ekipe vullnetare për mbrojtjen e votës. Ai tashmë është proceduar në gjendje të lirë nga policia për shpifje ndaj disa përfaqësuesve të PS të cilët i denoncoi për blerje votash. Gjithsesi Gjin Gjoni e përforcoi më tej denoncimin e tij.
“Janë turrur si hijena në lidhje me blerjen e qytetarëve të Lezhës, pa dyshim për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve” u shpreh ai, pas një incidenti në Lezhë.
Në Dibër, Basir Çollaku paraqiti në SPAK një kallëzim penal për krime zgjedhore, ndërsa dy kolegët e tij, Besart Xhaferri dhe Lisandër Hoxha, denoncuan asfaltin elektoral si metodë kriminale të qeverisë Rama.
“Dosja u pushua nga SPAK pa u marrë parasysh. U trajtua vetëm në mënyrë administrative dhe jo si shkelje e Kodit Zgjedhor”, – tha Xhaferri para ambienteve të SPAK.
Megjithatë, deri më tani nuk ka patur asnjë ndërhyrje konkrete që ndalon apo ndëshkon shkelësit. Prokuroria e Përgjithshme doli me një njoftim të mbushur me shifra, sipas të cilit deri më 7 maj 2025, janë regjistruar 44 kallëzime penale të lidhura me zgjedhjet, prej të cilave 20 janë procedime të hapura. Fieri, Dibra dhe Tirana rezultojnë zonat më të “nxehta”, por veprimet hetimore janë ende në fazën e verifikimit dhe pa ndonjë ndëshkim konkret.
Në këtë klimë tensionesh dhe dyshimesh për manipulim, Ambasada Amerikane ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë qytetarëve ku ka shkruar “Votoni pa frikë. Mos lejoni të tjerët të flasin për ju”, një deklaratë që, në kontekstin aktual, tingëllon si një thirrje për qëndresë ndaj intimidimit elektoral, kur dihet se në Shqipëri, forca që ka mundësinë reale të ushtrojë presion, është pushteti.
Gjithsesi pyetja që shtrohet sot është: A do të veprojë drejtësia para 11 Majit apo hetimet do të zvarriten për t’u zbardhur pas ditës së zgjedhjeve? Sepse pas shpalljes së rezultatit, gjithçka do të regjistrohet si statistikë dhe në këtë rast, drejtësia që vepron pas manipulimit, nuk është drejtësi, por thjesht një dekor siç ka qenë përherë/ Lapsi.al