Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 5 maj me konkluzionet përfundimtare në çështjen e vetingut të gjyqtares së Tiranës, Ardiana Bera. Konfirmimi në detyrë i Berës nga Komisioni u ankimua nga institucioni i Komisionerëve Publikë për gjetje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani që ka marrë kompetencat e Komisionerëve Publikë, përfaqësohet në këtë çështje nga prokurori Adnan Xholi, i cili deklaroi të hënën se Bera nuk arriti të provonte të kundërtën e shkaqeve të ankimit e parashtrimeve lidhur me gjetjet për një apartament me sipërfaqe 136.7 m2 në Tiranë.
Sipas Xholit, edhe pas akteve të dorëzuara nga subjekti dhe shpjegimeve të saj, nuk arrihet të provohet mundësia e vëllezërve emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar, për dhënien e një huaje 2 milionë lekë. Xholi tha se Bera gjendet në pamundësi dhe për gjendjen cash në shumën 5 milionë lekë, të deklaruar si burim për pagesën e kësteve të apartamentit. Sipas tij, edhe nëse do të konsiderohej pretendimi për një shumë 600 mijë lekë të kthyer nga shoqëria ndërtuese, sërish subjekti do të rezultonte në pamundësi financiare.
Prokurori Xholi konstatoi pamundësi dhe për krijimin e një llogarie bankare në emër të vajzës në vitin 2006. Ai tha se bilanci negativ total rezulton në masën 3.2 milionë lekë, ç’ka sipas tij, do e bënte të pamundur aplikimin e parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit, edhe nëse do të konsiderohej në analizë kthimi i shumës 600 mijë lekë nga shoqëria ndërtuese në vitin 2005.
Në vijim, Xholi paraqiti qëndrimin përfundimtar edhe për profesionalizimin, që ka të bëjë me një vendim të marrë nga një trup gjykues ku subjekti ka qenë në cilësinë e anëtares, konkretisht me vendimmarrjen për shpalljen të pafajshëm të gardistëve të akuzuar për vrasjet e protestuesve më 21 janar të vitit 2011 përpara kryeministrisë. Ai vërejti se ngjarja ka qenë publike dhe duket se afekton besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ai kërkoi që Kolegji ta konsiderojnë gjetjen për profesionalizimin në këtë drejtim.
Në përfundim, prokurori Xholi kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Ardiana Bera.
Përfaqësuesja ligjore e gjyqtares Ardiana Bera, avokatja Romina Zano konstatoi se drejtuesi i SPAK kishte ndryshuar qëndrimet e tij nga ato të parashtruara më parë. sipas saj, bilanci negativ i konstatuar të hënën kishte devijancë. Po ashtu, Zano vërejti se Xholi parashtroi pretendime shtesë dhe për aspektin profesional, duke kërkuar vlerësimin në drejtim të cënimit të besimit të publikut. Ajo kërkoi kohë për të rishikuar qëndrimin bazuar në argumentet e reja të SPAK.
Kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji, që konkludoi se qëndrimet përfundimtare janë të pakushtëzuara nga sa pretendon pala tjetër.
Në vijim Zano paraqiti qëndrimet përfundimtare të Berës për shkaqet e ngritura për pasurinë dhe profesionalizmin. Lidhur me apartamentin, ajo theksoi se subjekti ka qenë e qartë dhe koherente gjatë gjithë kohës, duke deklaruar të gjitha burimet e krijimit të kësaj pasurie: të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Krujë në vitin 1999; kursimet familjare; të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës prej vitit 1991 e në vijim, për të cilat tha se kanë sjellë teprica të justifikueshme; si dhe një një shumë e dhënë nga vëllezërit e subjektit në vitin 2001, në vlerën 2 milion lekë që është përdorur fillimisht për porositjen e një apartamenti tjetër, kontratë që është anuluar. Sipas Zanos, një pjesë e kësaj shume është dhuruar nga vëllezërit dhe pjesa tjetër është kthyer në 2006-ën.
Ajo nënvizoi se analiza financiare e paraqitur nga subjekti mbështetet në dokumente konkrete, që tregojnë se për periudhën 1991–2002 janë realizuar të ardhura të mjaftueshme për të kryer pagesat për apartamentin.
Për shumën 600 mijë lekë të kthyer nga shoqëria ndërtuese në vitin 2005, Zano tha se është paraqitur provë direkte, nga vërtetohet se pagesa ishte bërë në vitin 2003 për punime të brendshme dhe ishte zbritur nga çmimi përfundimtar për shkak të investimeve të subjektit. Ajo solli në vëmendje se kjo shumë është shënuar dhe në deklarimin vjetor përkatës dhe është konfirmuar nga shoqëria ndërtuese.
Sipas Zanos, për apartamentin nuk ka deklarime të pasakta apo kontradiktore, pasi rezutlon që bera të ketë mbajtur gjithmonë të njëjtin qëndrim. Ajo theksoi se për apartamentin janë paraqitur burime të ligjshme e të dokumentuara, që qëndrojnë dhe financiarisht, si dhe se çdo pagesë është mbështetur në mandat arkëtimi dhe pasqyruar në dekalrimet periodike. Zano shtoi se Komisioneri nuk ka paraqitur argumenta të mjaftueshëm që të rrëzojnë aktet e paraqitura nga Bera.
Në vijim, Zano kundërshtoi analizën financiare të SPAK. Sipas saj, të ardhurat e familjes së subjhektit kanë pasur teprica reale dhe të justifikueshme ligjërisht, për të përballuar pagesat për apartamentin deri në vitin 2004, edhe nëse nuk do të përfshihej në analizë huaja e dhënë prej vëllezërve.
Për blerjen e automjetit në vitin 2007 për çmimin 8000 euro, Zano konstatoi se rezulton se subjekti ka tërhequr shumën në fjalë nga depozita, dy ditë para se të kryente këtë transaksion. Ajo argumentoi se kjo shumë përfaqëson depozitën bankare të hapur në 2006-ën me burim kursimet e deklaruara më parë si gjendje cash, duke reflektuar pasaktësi vetëm në formë dhe jo në përmbajtje të deklarimit.
Sipas Zanos, krijimi depozitës është provuar me dokumentacion bankar dhe analiza financiare e vitit 2006 konfirmon se ka pasur burime të ligjshme nga të ardhurat nga puna dhe kursimet e mbartura.
Përfaqësuesja ligjore e Berës kundërshtoi edhe pamundësinë e konstatuar për çeljen e depozitës në emër të vajzës. Sipas saj, subjekti ka dhënë një shpjegim të plotë dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë procesit të vetingut, duke deklaruar se kjo shumë përfaqëson një dhuratë me karakter familjar në funksion të mbështetjes për vajzën e saj, e kryer nga vëllezërit me rastin e lindjes në vitin 2006. Zano evidentoi se kjo ndihmë nuk ka qenë e përsëritur dhe është në përputhje me parimet e zakonit dhe traditës, si dhe është dokumentuar me deklaratë noteriale të huadhënësve ku sqarohet burimi dhe qëllimi i shumës. Në vijim, u parashtrua se burimi financiar i kësaj shume është provuar me dokumentacion që vërteton punësimin dhe të ardhurat e vëllezërve në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, Zano deklaroi se edhe pa përfshirjen e kësaj shume, subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë pasur të ardhura të ligjshme dhe të mjaftueshme për të justifikuar depozitën në emër të vajzës.
Në përfundim, Zano tha se nga analiza financiare rezulton një bilanc negativ prej 750 mijë lekësh, i shpërndarë në tre vite, që nuk miund të sjellë penalizim.
Lidhur me profesionalizmin, Zano konstatoi se Komisioneri Publik nuk ka ngritur shkak konkret. Ajo pohoi se nuk është artikuluar ndonjë kritikë konkrete për vendimmarrjen. Pretendimet përfundimtare të SPAK, u cilësuan nga Zano në tejkalim të afatit 15 ditor për paraqitjen e shkaqeve të ankimit.
Avokatja Zano solli në vëmendje të Kolegjit se kjo çështje ka qenë objekt vlerësimi më parë në procese të tjera rivlerësimi dhe nuk ka qenë asnjëherë faktor penalizues për subjektet e tjera të vetingut. Sipas saj, vetë Komisioni dhe më vonë Kolegji kanë mbajtur qëndrimin se vendimarrja në fjalë, nuk përmban gabime që të ngrihen në nivelin e shkeljes së kriterit profesional.
Në përfundim, gjyqtarja Ardiana Bera kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj në detyrë./BIRN