Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK ka shpallur të pafajshëm në seancën e sotme Gazment Bardhi, në lidhje me padinë për veprat penale “Shpifje” dhe “Fyerje botërisht” nga Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), institucion në varësi të Belinda Ballukut.
Padia kishte të bënte me akuzat e Bardhit se vetëm për 1 vit abuzimi me shit-blerjen e energjisë elektrike ka shkuar në mbi 180 milion euro.
Sipas Bardhit, KESH ka shitur energjinë elektrike me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë dhe duke favorizuar 4-5 kompani pranë saj.
“KESH ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksesere të shitblerjes së energjisë elektrike.” – tha demokrati në një deklaratë për mediat, ku pretendonte se KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjsië, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari.
Në lidhje me këto akuza, Bardhi ka depozituar edhe një kallëzim në SPAK ndaj Belinda Ballukut, dhe duket se GJKKO i ka dhënë të drejtë, nisur edhe nga fakti se për kallëzimin e tij kanë nisur hetimet.
Vendimi për shpalljen e pafajshme të Gazment Bardhit është dhënë nga gjyqtarja e GJKKO-së Etleva Deda.
Gjatë seancës së sotme, SPAK përmes përfaqësuesit të saj Sotir Kllapi, tha se funksioni që mban Bardhi si figurë qëndrore e opozitës, por edhe fakti që e ka denoncuar rastin personalisht në SPAK, dhe kjo e fundit e ka regjistruar procedimin penal, nuk përbën vepër penale.
Prokurori Sotir Kllapi: “Duke marrë në konsideratë pozicionin publik të të akuzuarit dhe faktin që është figurë qëndrore e PD, ne mendojmë se deklaratat e të akuzuarit Gazmend Bardhit janë në sajë të funksionit publik që ka. Fakti që Bardhi i ka adresuar zyrtarisht pretendimet e tij në SPAK dhe kjo prokurori ka regjistruar procedim penal, nuk do të thotë që janë konsumuar veprat penale “Shpifje “ dhe “Fyerje” vetëm sepse ka deklaruar publikisht diçka qe e ka kallëzuar edhe në SPAK. Kërkojmë që Gazment Bardhi të shpallet i pafajshëm. Nuk rezulton kryerja e veprave penale nga prej tij. Deklarata nuk është asgjë me shumë se sa leximi i kallëzimit që Gazmend Bardhi ka depozituar në SPAK”.
Nga ana tjetër, avokatët e deputetit demokrat u shprehën se qëllimi i deklaratave të Bardhit ka qenë mbrojtja e buxhetit të shtetit.
Avokatët e Gazmend Bardhit: Deputeti nuk mund të sillet as si prokuror apo hetues. Veprimet e Gazmend Bardhit kanë qenë të kujdesshme. Qëllimi i deklarimeve ka qenë mbrojtja e buxhetit të shtetit. Ka qenë garanci për opinionin publik. Në vlerësimin tonë, kjo garanci nuk është respektuar. Ne pamë që në seancën e 2 prillit 2025, pala akuzuese ishte e paaftë të tregonte se ku ishte shpifja dhe fyerja që ka bërë Gazmend Bardhi. Nuk e pamë këtë as ditën e sotme. Në vlerësimin tonë nuk ka as shpifje as fyerje. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës dhe deklarimin e pafajshëm të Gazmend Bardhit. Ndërsa për veprën penale të “Fyerjes” kërkojmë pushim sepse është e pabazuar”.
Më herët, Gazment Bardhi ka fituar edhe gjyqin me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në lidhje me të njëjtën çështje, e cila e kishte kallëzuar në SPAK për “shpifje të kryer botërisht”.
Balluku kallëzohet në SPAK nga PD: Për 1 vit vodhi 180 mln euro me shit-blerjen e energjisë
U kallëzua për “shpifje të kryer botërisht”, Gaz Bardhi fiton gjyqin me OSHEE-në