Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të cilët qarkullonin me një automjet të vjedhur, teksa posedonin edhe kokainë dhe armë të ftohtë në automjet. Ata dyshohen si bashkëpunëtorë për vjedhje të ndryshme në disa qytete.
Në pranga janë vënë shtetasi E. Z., 50 vjeç, i shpallur në kërkim për disa vjedhje, si dhe shtetasi E. T., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se ata janë kapur pas rreth 2 orësh ndjekje nga Policia, sepse drejtuesi i automjetit (shtetasi në kërkim) nuk i është bindur urdhrit të uniformave blu, për të ndaluar, por në tentativë për t’u larguar përplasi një automjet Policie.
Brenda makinës së Policisë ndodheshin dy efektivë, të cilët raportohet se janë dëmtuar lehtë. Operacioni për kapjen e tyre ka nisur pas marrjes së informacionit se kishin grabitur një automjet në Elbasan.
“Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një armë të ftohtë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin. Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me shtetasin E. T., gjatë periudhës shkurt-prill 2025, ka kryer vjedhje të ndryshme në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos. Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.