Sot nis zyrtarisht gara politike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në fletët e votimit më 11 Maj qytetarët do të kenë 11 alternativa, parti politike ose koalicione.
Partia Socialiste synon të marrë mandatin e 4-ërt me premtimin kryesor se do të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ndërkohë Partia Demokratike ka hyrë në një koalicion në zgjedhje, të quajtur Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Me në krye Sali Berishën ata kërkojnë të bëjnë rotacionin politik pas 12 vitesh. Në këtë mënyrë Edi Rama dhe Berisha vijnë në kapitullin e 3-të të përballjes së tyre.
Në sfidë janë edhe disa parti të reja që paraqiten si alternativa ndryshe nga dy forcat tradicionale politike që kanë qeverisur vendin.
PS do ta hapë fushatën sot në orën 17:00 nga Sheshi Skënderbej me gratë. Por çelja zyrtare dhe e madhe e socialistëve do të jetë të shtunën në orën 12:00. Ndërkohë demokratët kanë vendosur sot në orën 19:00 që të hapin fushatën në Sheshin “Nënë Tereza” me një miting.
Të dyja forcat politike kanë premtuar surpriza. Por si i kanë nisur ato fushatat në zgjedhjet e kaluara? Se si kanë vepruar që nga viti 2005 do t’ua risjellim në këtë artikull.
Zgjedhjet e vitit 2005 – Nano vs Berisha
Në vitin 2005 zgjedhjet zhvilloheshin më 3 Korrik. Fushata sipas Kodit Zgjedhor shqiptar nis zyrtarisht 1 muaj para. Asokohe Partia Socialiste drejtohej nga Fatos Nano. Socialistët e çelën zyrtarisht fushatën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
“Mos guxo të mendosh se do të kthehesh prapë për t’u marrë atyre lirinë, pronën, jetën, familjen dhe shpresën. Zoti Berisha, më 4 Korrik duhet t’i kthehesh jetës tënde private. Në 4 Korrik zoti Berisha duhet të dalësh nga jeta e këtyre njerëzve”, shprehej ish-kryesocialisti Fatos Nano në fushatën që slogan kishte “Mbro të ardhmen”.
Ideator i asaj nisje fushate ishte edhe kryeministri aktual Edi Rama.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha, asokohe lider i opozitës, vijonte me takimet qark më qark ku prezantonte deputetët. Ai premtonte investime në arsim, shëndetësi si dhe rritje të punësimit e të mirëqenies së familjeve.
“Do punoj që fermat tuaja të shndërrohen çdo ditë e më shumë në njësi biznesi, për të punësuar ju dhe fëmijët tuaj”, i drejtohej Berisha mbështetësve të tij në vitin 2005.
Slogani i PD-së ishte “Koha për ndryshim”.
Zgjedhjet e vitit 2009 – Berisha vs Rama (Kapitulli I)
Atë vit zgjedhor Partia Demokratike ishte në pushtet. Kryetari i PD-së Sali Berisha do të kishte përballjen e tij të parë me kryeministrin aktual, Edi Rama. Kryedemokrati prezantoi fillimisht kandidatët e tij.
“Lista dallohet për një aspekt të veçantë, aspektin njerëzor të kandidatëve që ne paraqesim”, shprehej Berisha duke folur me krenari për listën e tij.
Më pas Berisha vijoi me mitingjet e tij duke e hapur zyrtarisht fushatën në Shijak e Kavajë, që konsideroheshin bastione të PD-së.
Edi Ramën e sfidonte që të jepte dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Tiranës dhe të bëhej pjesë e garës elektorale si lideri i opozitës. Slogani i demokratëve ishte “Shqipëria po ndryshon”.
Për zgjedhjet e 2009-ës, Rama u fut në zgjedhje si kreu i ri i Partisë Socialiste. Pak para nisjes së fushatës zyrtarisht ai prezantoi edhe një këngë bashkë me grupin West Side Family, njëjtë siç kishte bërë kur garonte për zgjedhjet vendore.
“Është një këngë, e cila është pjesë e asaj fryme që tanimë ne e ndjejmë dhe e përçojmë njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë frymën e ndryshimit”, shprehej Rama.
Në zgjedhjet e 2009-ës, socialistët e tij e hapën fushatën elektorale nga Qyteti Studenti. “Politikë e re për ndryshimin” ishte slogani i socialistëve që sigurisht shoqërohej në çdo miting me këngën “Çohu”.
Zgjedhjet e vitit 2013 – “Dhondri” i ri, Rama vs Berisha (Kapitulli II)
Në vitin 2013, Berisha vijonte me mënyrën e tij klasike të fushatës. Një muaj para datës së zgjedhjeve ai e nisi fushatë si kryetar i Partisë Demokratike nga Kukësi ku kërkonte votën e qytetarëve.
“Ne jemi ndryshimi! Përpara”, ishte slogani e demokratëve asokohe.
Ndërsa Rama si kryetar i Partisë Socialiste e çeli fushatën me një miting brenda Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. “Rilindja” ishte slogani i selisë rozë.
“E keni bërë pallatin e sportit zemrën e partisë Socialiste. Nga ky pallat sporti po shpërndani në të gjithë Shqipërinë fuqinë e jashtëzakonshme të energjisë pozitive të rilindjes shqiptare”, shprehej Rama ndërsa në sfond në ekranet LED i shfaqeshin disa foto të tij me presidentin amerikan asokohe, Barack Obama.
Organizatorët e kishin konceptuar takimin si një dasmë të madhe tiranase. I pari i listës së Tiranës e prezantoi kryesocialistin Rama si dhëndrin e dasmës.
“Ju premtojmë një “dhondër tirone” për kryeministër”, shprehej Pandeli Majko. Rama pozonte me dajre dhe bashkë me socialistët kërcenin edhe me këngët e vjetra tiranase, por me disa modifikime. Pjesë e tyre ishte edhe ish-ministri Saimir Tahiri.
Zgjedhjet e vitit 2017 – Rama vs Basha (Kapitulli “Çadra”)
Fushata e vitit 2017 ka qenë paksa më specifike. Partia Demokratike, kësaj radhe nën drejtimin e Lulzim Bashës për herë të parë në një fushatë, qëndroi për 90 ditë në atë që u quajt si “Çadra e Lirisë” duke kërkuar qeveri teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një marrëveshje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama bëri që Presidenti Bujar Nishani të dekretonte një datë tjetër, nga 18 Qershor në 25 Qershor që opozita të futej në zgjedhje.
Duke qenë se marrëveshja mes palëve nuk ishte arritur deri në momentet e fundit, socialistët e Ramës e nisën fushatën me datën e vjetër. Me sloganin “Për Shqipërinë që duam” socialistët kishin zgjedhur enkas që mitingu të zhvillohej në të njëjtën ditë me Ditën e Europës.
Duke qenë se zgjedhjet u shtynë më 25 Qershor, PD e hapi pothuajse 1 muaj para fushatën, më saktësisht më 27 Maj. Lulzim Basha e nisi nga aty ku qëndroi për 90 ditë në çadër, duke kërkuar largimin e Edi Ramës.
“Republika e re! Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt”, ishte slogani i demokratëve.
“Këtu në këtë shesh thamë që ndryshimi duhet të fillojë nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë duke sjellë përfaqësuesit më të spikatur, më të denjë të komuniteteve të ndryshme nga jugu në veri duke sjellë njerëz të spikatur të vlerave, sepse Republika e Re është dhe do të jetë gjithmonë republika e vlerave”, shprehej Basha.
Zgjedhjet e vitit 2021 – Fushatë në kohë pandemie, Rama vs Basha (Kapitulli II)
Në vitin 2021, PD-ja dhe PS-ja e nisën fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit fiks 1 muaj para dhe të dyja në kryeqytet. Kjo ishte një fushatë ndryshe pasi u zhvillua teksa në fuqi kishte rregulla për distancën pas pandemisë së Covid-it.
Socialistët zgjodhën të mblidhnin në sheshin Skënderbej vetëm kandidatët për deputetë, të ulur në distancë nga njëri-tjetri dhe me një skenografi që mbante firmën e kryesocialistit për të formuar petalet e trëndafilit që është logoja zyrtare e PS.
Ndryshe për demokratët. Strategjia që ata kishin zgjedhur për t’i pasur qytetarët në makina për shkak të masave antiCovid nuk u realizua dhe nisja e fushatës u kthye në miting tradicional me një shesh plot mbështetës.
Kryedemokrati Lulzim Basha shoqërohej nga bashkëshortja dhe dy vajzat ndërsa slogani i demokratëve ishte “Shqipëria fiton”.
/Tv Klan