Pas një liste të gjatë ekzaminimesh të kryera në një klinikë private për vajzën e saj 10-vjeçare, Arsilda kërkon të blejë në farmaci medikamentet që i ka përshkruar mjeku. Me recetën në telefonin e saj, ajo i shpjegon farmacistes se i nevojitet një antibiotik dhe një suplement për të luftuar infeksionin e së bijës.
“Vajza trajtohet për streptokok, ka dhimbje kockash, dëmtim, deformim, për këtë duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm,” thotë nëna e tre fëmijëve.
Arsilda i tha BIRN se të gjitha ekzaminimet në privat, përfshirë edhe medikamentet i kushtuan rreth 30 mijë lekë [300 euro], por nuk kishte një zgjidhje tjetër.
“Për të ndjekur takimet në shtet për ne është e vështirë, duhet të lë punën, por kam edhe dy fëmijët e tjerë për të cilët duhet të kujdesem,” tha ajo, ndërsa theksoi se në çdo rast i është drejtuar sistemit privat shëndetësor për trajtimin e fëmijëve të saj.
Edhe pse Shqipëria ofron ligjërisht mbulim shëndetësor për fëmijët deri në 18 vjeç, mijëra prindër paguajnë nga xhepi i tyre kostot e trajtimeve mjekësore për shkak të burokracive në sistemin publik dhe protokolleve mjekësore në fuqi.
Gjithashtu, fëmijët kanë një qasje minimale në listën e barnave të rimbursueshme, pavarësisht se në të gjenden disa alternativa antibiotikësh dhe medikamentesh të tjera.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, tregojnë se shteti shpenzon çdo vit mesatarisht 1 milion lekë për barna të rimbursueshme për të miturit – ose vetëm 7 për qind të fondit total të vënë në dispozicion.
Si rrjedhojë, vetëm 598 pacientë të mitur përfituan nga lista e barnave të rimbursueshme gjatë vitit 2024, ndërkohë që mijëra të tjerë mendohet se u janë drejtuar rrjetit privat të farmacive për të siguruar medikamentet.
Ekspertët e politikave shëndetësore e konsiderojnë të dështuar skemën e barnave të rimbursueshme për fëmijët dhe fajësojnë për këtë burokracinë e protokolleve mjekësore.
“Medikamentet, sidomos antibiotikët, në listën me rimbursim nuk i ndihmojnë prindërit sepse nuk janë të aksesueshëm përmes recetës së dhënë nga mjeku i familjes,” tha Gazmend Koduzi, profesor i menaxhimit shëndetësor dhe aktualisht kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik.
“Konsumi i 598 recetave për antibiotikë me rimbursim, tregon një ngërç të madh në protokollin e marrjes së tyre,” shtoi Koduzi.
Rruga e gjatë drejt rimbursimit
Sipas legjislacionit shqiptar, fëmijët gëzojnë standardet më të larta të mundshme të shëndetit, trajtimit dhe rehabilitimit. Buxheti i shtetit financon mbulimin shëndetësor për fëmijët e moshës nën 18 vjeç.
Fëmijët përjashtohen gjithashtu nga pagesat e drejtpërdrejta për shërbimet shëndetësore, që janë pjesë e barnave të rimbursueshme, e paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor apo kujdesit spitalor.
Ndonëse në listën e barnave të rimbursueshme gjenden një sërë antibiotikësh dhe medikamentesh të tjera për fëmijë, aksesi i prindërve në to është thuajse inekzistent.
“Numri i recetave me rimbursim për antibiotikë për fëmijët është i papërfillshëm për disa arsye,” shpjegon Dëfrim Goma, kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. “Në rast se prindërit dëshirojnë t’i marrin antibiotikët me recetë me rimbursim, duhet të kalojnë disa hallka, që krijojnë vonesa në fillimin e terapisë,” shtoi ai.
Në Shqipëri, mjeku i familjes dhe mjeku pediatër janë reaguesit e parë në rastet e sëmundjeve, por ata nuk kanë të drejtë që të lëshojnë receta me rimbursim. Këtë të drejtë e kanë mjekët specialistë, por nevojitet gjithashtu që diagnoza të vërtetohet me analiza shtesë.
Goma shpjegoi për BIRN se për të siguruar antibiotikët me rimbursim, recetat duhet të përshkruhen sipas protokollit të Fondit dhe të shoqërohen me analiza shtesë si antibiograma – kjo vetëm për të marrë alternativën e parë, e cila në perceptimin popullor dyshohet për cilësinë dhe efikasitetin.
Përballë merakut dhe burokracive, mjekja pediatre, Sonila Brati thotë se prindërit zgjedhin rrugën e shkurtër.
“Patjetër që ka prindë që shkojnë në privat. Në përgjithësi, nuk është se mendohen shumë kur bëhet fjalë për fëmijën, mjafton të mbarojnë punë brenda ditës, situata të mos komplikohet dhe fëmija të mos përkeqësohet,” tha ajo.
Brati shtoi më tej se nuk para ndodh që prindërit të kërkojnë recetë me rimbursim për fëmijët e tyre, pasi përgjithësisht zgjedhin alternativat më të mira të barnave për fëmijët e tyre.
“Pjesa më e madhe R-treshave (recetas e dorës) që ne japim, pacientët i marrin vetë. Nuk ndodh tek ne që prindërit ta kërkojën me insistim e dua me rimbursim medikamentin. Nuk ndodh. Te ne e marrin recetën dhe e kzekutojnë vetë,” shtoi Brati.
Në pesë vitet e fundit, një mjek i familjes i tha BIRN se kishte shënuar vetëm dy raste në recetë medikamente të rimbursueshme për familje në vështirësi të mëdha ekonomike, por ishte përballur me gjobë dhe masë paralajmëruese. Ai e cilësoi të padrejtë dhe joefikas sistemin e ngritur për fëmijët, i cili avantazhon alternativën e parë dhe vetëm pas një serie analizash, shkon te alternativa e dytë e rimbursueshme.
“Që nga ajo kohë kanë kaluar rreth 5 vite dhe unë nuk shënoj më medikamente të tilla,” tha mjeku, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit nga frika e një penalizimi në punë.
“Është një rrugë e gjatë, që rëndon dhe zgjat kohën e të qënit sëmurë të fëmijës. Ka raste që ua kam blerë unë medikamentet pacientëve që i shoh në vështirësi të mëdha”, shprehet mjeku i sitemit parësor.
Mungesat në treg

Në periudhën dhjetor-janar, shërbimi i Pediatrisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është i tejmbushur. Shefja e shërbimit, Numila Kuneshka thotë se gjatë kësaj periudhe virozash, në urgjencë paraqiteshin deri në 400 fëmijë në ditë me teperaturë të lartë, probleme pulmonare apo problemet gastrointensinale.
Kuneshka thotë gjithashtu se flukset e larta vijnë për shkak se prindërit paraqiten direkt në urgjencë, duke mos u paraqitur në poliklinika për konsultë me mjekun e familjes apo mjekun pediatër.
“Pothuajse të gjithë këta fëmijë me përjashtime të pakta vijnë direkt nga shtëpia në urgjencën e pediatrisë, duke e anashkaluar sistemin e referimit në ambulancat apo poliklinikat e lagjeve të tyre,” tha ajo. “Vetëm 3-4 mund të jenë ata që vijnë me sistem referimi nga poliklinikat e lagjeve, pjesa tjetër vjen direkt në urgjencën e pediatrisë,” shtoi më tej ajo.
Mjekja pediatre, Sonila Brati thotë se kur bëhet fjalë për fëmijët, nuk ka radhë dhe nuk lihen në pritje për ekzaminimin që kanë nevojë, edhe në rastet kur nuk shkojnë me sistem referimi.
“Ne i dërgojmë fëmijët në QSUT si raste urgjente. Nëse planifikojmë bëhet jo më shumë se një ditë. Në rast se i dërgojmë te specialisti brenda ditës, nuk i kthejnë mbrapsht. Nëse është rast temperature ose me dhimbje të forta veshi mbaron ekzaminimin brenda ditës,” theksoi ajo.
Sipas farmacistëve me të cilët foli BIRN, në listën e barnave të rimbursueshme ka antibiotikë, shurupë dhe tableta që mund t’u vinin shumë mirë në ndihmë prindërve për të kaluar ngarkesat virale, por aksesi i tyre është në nivele minimale. Në anën tjetër, prindërit përballen edhe me mungesa të shumta të barnave në rrjetin e hapur të farmacive.
“Në listën e barnave të rimbursueshme ka antibiotikë, shurupë dhe tableta që mund t’u vijnë në ndihmë prindërve për shkak të kostove të tyre, duke qënë se shumica e tyre rimbursohen plotësisht,” tha një farmaciste me përvojë 15 vjeçare në Tiranë. Gjithsesi, ajo shtoi se në farmacinë e saj vijnë deri në 5 receta të tilla në muaj – një shifër e papërfillshme kjo krahasuar me recetat që paguhen nga xhepi i prindërve.
Dëfrim Goma nga Urdhri i Farmacistit thotë se një tjetër problem është mungesa e shpeshtë e barnave për moshat pediatrike në treg, kryesisht barna të sistemit respirator.
“Për barnat pediatrike ekziston problemi i mungesave të herëpashershme, gjë që detyron prindërit që t’i sigurojnë ato jashtë vendit ose në farmaci të veçanta që i fusin ato në mënyrë të paligjshme, gjë që krijon një problem të madh që ka të bëjë me sigurinë dhe efikasitetin,” theksoi Goma.
Koduzi shpreh rezervat e tij për medikamentet që ndodhen në lustën e barnave dhe propozon që rimbursimi të bëhet në bazë të diagnozës.
“Përzgjedhja e medikamenteve në listën me rimbursim është klienteliste dhe abuzive, pavarësisht se në letër ka një procedurë të caktuar,” tha Koduzi për BIRN.
Ai theksoi gjithashtu se pas së ashtuquajturës reformë të barnave në vitin 2014, nevojitej një ndërhyrje për të garantuar origjinën e tyre të sigurtë.
“…I trajtuan ato [medikamentet] si rroba, jo si produkt që duhet të jetë efikas dhe sigurtë për patologjinë që merret,” përfundoi Koduzi./ BIRN