Në planet vendore të bashkisë së miratuar nga Erion Veliaj u shpik një rrugë, ndërtimi i së cilës rriste vlerën e pronës së zotëruar nga familja Xoxa, ndërsa projektin e ndërtimit të pallatit e hartoi miku i saj, Alban Eftimiu.
Gjykata e Tiranës shpalli si të paligjshëm ndërtimin e një rruge, të miratuar nga Bashkia e Tiranës, e cila i hapte shtigje zhvillimit të një prone të poseduar fillimisht nga Ajola Xoxe dhe më pas nga të afërmit të saj, në qendër të Tiranës.
Pas hetimit gjyqësor rezultoi se Plani përmbante fakte të falsifikuara, pasi rruga “Hajdar Kërçiku” nuk ekzistonte në terren dhe nuk ishte parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor. Gjithashtu, procesi i miratimit të PDV-së është zhvilluar pa respektuar procedurat e konsultimit publik me banorët e zonës, siç kërkohet nga ligji.
Pas një beteje të gjatë ligjore, gjykata ka vendosur që Plani i Detajuar Vendor (PDV) i miratuar nga Bashkia Tiranë, i cili parashikonte ndërtimin e kësaj rruge, është i pavlefshëm.
Për më tepër, u provua se vendimi për ndërtimin e rrugës është marrë në kushtet e konfliktit të interesit, duke marrë parasysh lidhjet familjare të Kryetarit të Bashkisë me pronat ishte vetëm zhvillimi i rrugës së re ua rrit vlerën disafish.
LEXO EDHE: Veliaj falsifikon planin vendor për të zhvilluar pronën e Ajolës (fakte e dokumenta)
Gjatë gjykimit, Qendra “Res Publica” e cila përfaqësonte në këtë proces një prej familjeve që u prekën nga planet vendore të Bashkisë, provoi se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi miratimi i ndërtimit të rrugëve të reja bie nën juridiksionin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe jo të Bashkisë.
Një rrugë për Ajolën

Në rrugën mbi Shkollën e Kuqe, pak para se të kryqëzohet me “Rrugën Bardhyl”, ekziston ende një kompleks shtëpish të vjetra tiranase.
Një prej banesave të vjetra zotërohet nga Lindita Çoku, një mjeke e suksesshme që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ndërsa ajo ndiqte karrierën si kirurge kardiologjie në Boston, në Tiranë Bashkia kishin përfunduar të gjitha procedurat administrative që “uzurponin” pronën e saj.
Në fillim të vitit 2022 ajo mëson se me vendim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ishte hartuar një plan i detajuar vendor që merrte përsipër zhvillimin e zonës së shtëpisë së saj të vjetër. Problemi ishte se plani përshkruante ekzistencën e një rruge, e cila në realitet nuk ekziston dhe nuk ishte parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor. Madje në letra rruga ishte pagëzuar me emrin e ish-arkitektit të Bashkisë së Gracit, Hajdar Kërçiku.
Bashkia Tiranë miratoi Planin e Detajuar Vendor (PDV) për ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku” në vitin 2021, një projekt urbanistik që prekte një zonë të caktuar në Tiranë, pjesë e njësisë administrative TR/7. Ky plan përfshinte ndërtimin e një rruge të re, të cilën Bashkia e prezantoi si një nevojë për zhvillimin e infrastrukturës dhe lidhjen e disa zonave të Tiranës.
Fill pas planet vendore, po me firmë të Veliajt, më 27 dhjetor 2022, u miratua edhe leja e ndërtimit për një godinë shumëkatëshe, për zhvillimin e së cilës thuajse do të rrënoheshin dhe banesat e vjetra tiranase.
Pas konstatimeve të anomalive të Planit të Detajuar Vendor, dhe lejes së ndërtimit, mjekja e njohur iu drejtua qendrës “Respublica” për të ngritur një padi ndaj Bashkisë Tiranës në gjykatën Administrative.
Përveç konstatimit të falsifikimit dokumenteve, Lindita Çoku ngrinte dhe dyshimet se gjithçka është miratuar për t’i siguruar benefite jo të ligjshme Ajola Xoxas, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës.
LEXO EDHE: Veliaj, plan vendor vetëm për Ajolën? Si u “sajua” rruga te Shkolla e Kuqe për komplekset e banimit
Megjithatë, Qendra “Res Publica” paditi Bashkinë për shkelje të ligjit, duke argumentuar se ky plan ishte miratuar pa respektuar procedurat ligjore dhe pa pasur një bazë të qartë urbanistike. Sipas padisë, miratimi i këtij plani ishte bërë pa konsultimin e duhur publik dhe pa pasur një analizë të plotë të ndikimit të tij në pronat private dhe në jetën e qytetarëve të zonës.
Plani i Veliajt parashikonte zgjerimin e rrugës inekzistente në një zonë të mbyllur dhe e bllokuar nga të dy anët me shtëpi dhe oborre, të cilat kanë ekzistuar prej dekadash në atë gjendje.
Pas një beteje të gjatë dhe të ndërlikuar ligjore, Qendra “Res Publica” arriti të fitojë çështjen kundër Bashkisë Tiranë, duke rrëzuar vendimin e kësaj të fundit për ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku” në zonën TR/7.
Sipas vendimit të gjykatës, Plani i Detajuar Vendor (PDV) i miratuar nga Bashkia Tiranë, që parashikonte ndërtimin e kësaj rruge, është i pavlefshëm.
Gjatë gjykimit, Qendra “Res Publica” provoi se Kryetari i Bashkisë Tiranë ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi miratimi i ndërtimit të rrugëve të reja bie nën juridiksionin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe jo të Bashkisë.
Për më tepër, u provua se vendimi për ndërtimin e rrugës është marrë në kushtet e konfliktit të interesit, duke marrë parasysh lidhjet familjare të Kryetarit të Bashkisë me pronat që vetëm zhvillimi i rrugës së re ua rrit vlerën disafish. Konkretisht pronar i truallit të cilit do t’i shërbejë rruga e krijuar rishtazi, në kohën e miratimit të planit ka qenë Ajola Xoxa, bashkëshorte e Erion Veliajt, dhe nëna e saj (trashëgimtare të Arben Xoxës).
Përveç mungesës së kompetencës dhe konfliktit të interesit, gjatë gjykimit u provua se Plani Vendor është marrë në shkelje të rënda procedurale nga ana e Bashkisë Tiranë. PDV-ja rezultoi se përmbante fakte të falsifikuara, pasi rruga “Hajdar Kërçiku” nuk ekzistonte në terren dhe nuk ishte parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor. Gjithashtu, procesi i miratimit të PDV-së është zhvilluar pa respektuar procedurat e konsultimit publik me banorët e zonës, siç kërkohet nga ligji.
“Kryetari i Bashkisë ka kompetenca për të bërë planet të detajuara të vendosjes së zonës, por duhet ta bëjë në përputhje me planin e përgjigjes vendore të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Nuk mund të krijojë rrugë të reja por duhet të qëndrojë besnik planeve që ka miratuar Këshilli i Territorit”, tha për “shteg.org” avokati Dorian Matlija.
Sipas tij, kushtet e konfliktit të interesit të përfshira, duke marrë parasysh lidhjet familjare të Kryetarit të Bashkisë me pronat që përfitonin nga zhvillimi i rrugës, rriti disafish vlerën e tyre.
Në fund të hetimit gjyqësor gjykata vendosi në favor të paditësve dhe shpalli të pavlefshëm Planin e Detajuar Vendor për ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku”. Gjykata theksoi se miratimi i këtij plani kishte shkelur rregullat e urbanistikës dhe kishte injoruar procedurat ligjore të nevojshme për konsultimin publik dhe shpronësimin e pasurive private.
Pronarët real

Valmir Xoxa, muzikant në bandën frymore të Bashkisë së Tiranës, është një ndër personat e dyshuar nga Prokuroria e Posaçme për transaksione të dyshimta që, prokurorët besojnë janë pjesë e një skeme për të fshehur lidhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë me pronën mbi të cilën ai më vonë ka firmosur lejen e ndërtimit.
Valmiri ngjalli dyshimin e prokurorëve pasi u deklaroi prokurorëve se nga kursimet e tij, një rrogë si pedagog në Akademinë e Arteve dhe një pagë shtesë si anëtar i bandës frymore të kryeqytetit, ai arriti të blinte një pronë për 140 mijë euro dhe një makinë për 23 mijë euro nga kushërirat e tij, Ajola dhe Valbona Xoxa.
Hetimet e prokurorisë flasin pikërisht për pronën që përfitoi dalje në rrugën “Faik Tërnova”, rrugë të cilën Gjykata Administrative konstatoi se ishte miratuar nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Vendimet e kryebashkiakut Veliaj që prekin pronën e Lindita Çokut nuk janë përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme por hetimi gjyqësor i Gjykatës Administrative tregoi se plani i detajuar i njësisë TR7 u miratua nga Bashkia e Tiranës duke falsifikuar faktet se aty ekziston një rrugë, ndërsa në të vërtetë kjo rrugë do të krijohet, me qëllimin e zhvillimit sa më optimal, të pronës së bashkëshortes së tij (duke i hapur akses pallatit të ri nga dy rrugë dhe duke rritur mundësinë e hapjes së dritareve e ballkoneve nga lindja), në dëm të pronarëve ku shkel kjo rrugë fiktive.
Bashkëshortja dhe vjehrra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës kanë hequr emrat e tyre si përfituese përmes një shitjeje, për të cilat SPAK dyshon se janë fiktive tç një personi që nuk ka aftësi paguese, por ndërkohë kujdeset që arkitekti i projekteve personale e familjare të jetë i njëjti që projekton pallatin dhe aplikon për lejen në Bashki.
Një vit më vonë, Veliaj po ashtu firmos lejen e ndërtimit me përfitues Agron dhe Valmir Xoxa ,të afërm të Ajola Xoxës.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se projekti u zhvillua nga Olsi Efthimi, një mik i afërm i Ajolës dhe bashkëpronar i studios “Atelier 4”. Ka qenë pikërisht kjo studio arkitekture që ka bërë aplikimin në Bashki për lejen e ndërtimit dhe ka marrë përsipër edhe projektin e ndërtimit te njësia strukturore TR7, pikërisht në pronën të cilën Ajola Xoxa dhe Valbona Xoxa e kanë shitur te shtetasi Valmir Xoxa.
Sipas vëzhgimeve të Prokurorisë, Olsi Efthimi dhe Valmir Xoxa nuk japin shenja të njohjes me njëri-tjetrin për zhvillimin e ndërtimit, gjë që provon se nëse shitja e pronave do të ishte e rregullt, atëherë tç dy do e njihnin njëri-tjetrin.
“Këto rrethana forcojnë dyshimin e arsyeshëm se Valmir Xoxa nuk është realisht në zotërim të pronës që po zhvillohet dhe se për këtë pronë kujdeset Ajola Xoxa, pavarësisht se emri i saj nuk figuron më si pronare e truallit”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Nga ana tjetër edhe Valmir Xoxa tregohet i paqartë rreth përfitimeve që ai do të gëzonte nga ndërtimi i godinës shumëkatëshe në pronën e tij.
I pyetur në lidhje me sa ka përfituar nga dhënia e pjesës së tij të bashkëpronësisë për firmën ndërtuese, Xoxa ndryshon disa herë version, por në fund përgjigjet se do të përfitojë një apartament 60 m2, një dyqan 70 m2 dhe një post parkimi.
Gjithashtu, sipas organit të akuzës, në të njëjtën periudhë që ky shtetas supozohet se dispononte një banesë me rreth 140 mijë euro kursime cash, ka aplikuar dhe ka përfituar një kredi të butë për strehim nga Bashkia Tiranë, për rreth 40 mijë euro.
Sipas SPAK, me këto të holla, në vend që të siguronte menjëherë një strehim për vete dhe familjen e tij, Valmiri porosit një apartament tjetër, në të njëjtën ndërtesë e cila po ndërtohet mbi truallin në bashkëpronësi të tij.
Nisur nga deklarimet prokurorët dyshojnë se Valmir Xoxa nuk është realisht në zotërim të pronës që po zhvillohet dhe se për këtë pronë kujdeset Ajola Xoxa, pavarësisht se emri i saj nuk figuron më si pronare e truallit.
Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehjen dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Sipas prokurorisë, Veliaj dhe Xoxa, janë në qendër të një skeme të mirëorganizuar për të përfituar rryshfete dhe për të pastruar para nëpërmjet kompanive kontraktore dhe organizatave joqeveritare (OJF) që merrnin fonde nga Bashkia e Tiranës.
Prokurorët pretendojnë se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.
Nga qelia e burgut, Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij. / Shteg.org
Veliaj falsifikon planin vendor për të zhvilluar pronën e Ajolës (fakte e dokumenta)
Veliaj, plan vendor vetëm për Ajolën? Si u “sajua” rruga te Shkolla e Kuqe për komplekset e banimit
Erion Veliaj dyshohet se i dha leje ndërtimi për pallat fisit të Ajolës