Kur Edi Rama ftoi rektorin e Universitetit Bujqësor të Kamzës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste pas arrestimit të 24 personave nga SPAK, ai nuk shprehu as edhe një fjalë në mbështetje të hetimit kundër korrupsionit për një nga institucionet kryesore arsimore të vendit. Përkundrazi, e vendosi veten në rolin e arbitrit dhe citoi rektorin Fatbardh Sallaku, duke thënë se bëhej fjalë për një “keqkuptim shumë të madh”.
Pastaj, si për ta zbutur më tej situatën para opinionit publik, Rama tha se bëhej fjalë për një shumë “më pak se 30 milionë lekë”. Pra, diçka tek 300 mijë eurot, pakogjë sipas filozofisë së qeverisë, e cila ndryshe nga një qytetar i zakonshëm që rrezikon burgun edhe për një faturë dritash të papaguar, nuk e sheh si problem një zhvatje të vogël nga fondet publike.
Ky ishte një tjetër moment ku Rama reagoi me urgjencë ndaj një hetimi të SPAK, njësoj si në rastin e Erion Veliajt dhe Klotilda Bushkës. Ky nuk është i njëjti Edi Rama që e quante SPAK-un drejtësinë e re dhe garantonte se nuk do të ndërhynte kurrë në punët e prokurorëve dhe se Partia Socialiste nuk do të kthehej kurrë në zyrë avokatie të askujt që fuste duart në xhepat e qytetarëve.
Tani, me ndryshimin e situatës ndërkombëtare dhe tërheqjen e SHBA-ve nga mbështetja e drejtpërdrejtë për institucionet e drejtësisë, ai po shfaqet si lideri që nuk lëshon më askënd, madje as disa pedagogë që akuzohen se kanë futur në xhep paratë që duhet t’i kishin investuar në ambjentet e universitetit.
“Bekimi” që erdhi nga Trump për Edi Ramën
Rikthimi i Donald Trump për Edi Ramën nuk duhet parë si një ndryshim demoralizues në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht largimit të një administrate që për të ka qenë shumë bujare. Madje në një intervistë për gazetën spanjolle La Razón, Rama në mënyrë të habitshme e konsideroi Trump “një bekim për Evropën, që mund ta zgjojë dhe ta bëjë atë një fuqi të madhe.”
Të njëjtën logjikë, Rama ka përdorur edhe në Shqipëri. Tani që erdhi ky “bekim” i ri me emrin Trump, tani që administrata amerikane është tërhequr nga mbështetja për SPAK-un, ky institucionin ka mbetur krejtësisht i ekspozuar ndaj presioneve të brendshme politike. Sulmet ndaj SPAK nuk janë më një tabu, për sa kohë edhe ambasada amerikane në Tiranë ndaloi financimin dhe asistencën për punën e prokurorëve.
Pa amerikanët që të mbështesin dhe ta kontrollojnë SPAK-un me të njëjtën forcë si më parë, Rama ka hapësirën për ta trajtuar institucionin jo më si një armë të drejtësisë, por si një pengesë për qeverinë e tij. Dhe shembujt janë të dukshëm.
Nga distancimi në 2024, te mbrojtja në 2025: Çështja Erion Veliaj
Gjatë vitit 2024, Rama e kishte lënë Erion Veliajn të “përballej vetë” me SPAK-un. Sinjalet se do ta linte si “flijim” në dyert e prokurorisë ishin disa.
Ai e kritikoi hapur të përkëdhelurin e tij të Bashkisë së Tiranës në një nga asambletë e Partisë Socialiste për performancën dhe takimet e padobishme me socialistët. Gjatë një vizite të detyruar në Bashkinë e Tiranës, kur Ali Ahmeti u shpall qytetar nderi, Rama retushoi një foto duke e fshirë Veliajn nga imazhi zyrtar. Pasi prokurorët e morën në pyetje Veliajn, ai pati një fërkim me analistin Baton Haxhiu, por Rama nuk e mbështeti. Përkundrazi e kritikoi publikisht, duke e bërë të qartë se sulmet ndaj gazetarëve nuk kishin miratimin e tij.
Paralelisht me shtyrjen e Veliajt drejt gojës së SPAK, u vu re ngjitja e pandalshme e Belinda Ballukut në qeveri, ndërsa në strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës pozicioni i Veliajt si drejtues politik u zëvëndësua nga emra si Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Erjon Braçe etj.
Por në janar të vitit 2025, që para se Veliaj të arrestohej, Rama e ndryshoi kursin e sjelljes së tij. Ai u pa në disa dalje surprizë bashkë me Veliajn. Ky i fundit bënte edhe shaka me hetimet e SPAK në këto dalje, ndërsa Rama i dha mbështetje kur i konsideroi kontrollet në shtëpinë e kryebashkiakut një “linçim të neveritshëm” dhe deklaroi se jeta e tij dhe e familjes së tij ishte në rrezik.
Pas arrestimit që u krye nga agjentët e BKH-së dhe jo nga efektivët e policisë, Rama reagoi me nervozitet, duke mbështetur versionin e Veliajt se ishte burgosur pa gjyq dhe duke sulmuar SPAK si një “drejtësi e çalë” që rrezikon të “kthehet në kërcënim për vetë demokracinë, problem për shoqërinë dhe pengesë për ekonominë”.
Qëndrimi i Ramës pas burgosjes së Veliajt përbën një kthesë të fortë: nga një dorëzim i heshtur te mbrojtja e hapur pas arrestimit. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Me SHBA-të të larguar nga mbështetja për SPAK, Rama e ndjen se mund të ndërhyjë pa pasoja për ta konfirmuar kontrollin e tij ndaj pushtetit gjyqësor.
Rasti Klotilda Bushka: Mbrojtje për çdo ushtar që prek SPAK
Një tjetër figurë që përfitoi nga strategjia e re e Ramës ndaj të hetuesve të drejtësisë ishte Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.
Ajo u përfshi në një hetim për pengimin e drejtësisë në çështjen e Veliajt dhe Ajola Xoxës. Sipas dosjes së SPAK, Bushka, në bashkëpunim me Xoxën, i mori celularin një dëshmitareje kyçe për të penguar hetimin.
Në vend që të qëndronte neutral dhe të mos e komentonte hetimin, Rama i ofroi Bushkës hapësirën e një fjalimi live në mbledhjen e grupit parlamentar dhe e mbështeti publikisht. Ky veprim ishte një sinjal i qartë për të gjithë në Partinë Socialiste: SPAK është problemi dhe tani jemi bashkë kundër tij.
Arrestimet në Universitetin Bujqësor: Rama del hapur kundër SPAK
Kulmi erdhi me arrestimin e 24 personave në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në vend që të mbështesë drejtësinë, Rama po e trajton çështjen si një “keqkuptim të madh” dhe i ka vënë në dispozicion të rektorit grupin parlamentar të Partisë Socialiste, si një platformë mbrojtjeje.
Në këtë pikë, ai nuk po i fsheh më qëllimet e tij; 1) kontroll absolut mbi SPAK, tani që institucioni nuk ka më mburojën amerikane dhe 2) nuk do të lejojë që prokuroria e posaçme të prekë asnjë nga njerëzit e tij.
5. “Autokrati i vogël” në panik: A do ta shpëtojë kjo strategji?
Nëse dikush kishte dyshime se Rama është i shqetësuar nga puna e SPAK, mjafton të shohë sesi ka ndryshuar qëndrimi i tij. Në 2024, i largohej Veliajt që ishte nën hetim, sikur ky të ishte një qen i zgjebosur, ndërsa në 2025 e sulmon SPAK-un për çdo masë arresti që kërkohet në gjykatë.
Rama e ka të qartë se me tërheqjen e amerikanëve nga lufta kundër korrupsionit në Ballkan, SPAK është më i dobët. Por ajo që nuk e di ende është nëse ky plan do ta mbrojë, apo do ta fusë më thellë në spiralen, nga e cila nuk do të dalë më. Sepse kur e shpall veten mburojë të të gjithëve, nëse bie njëri… herët a vonë, do të biesh edhe ti.
Përplasja ka nisur. Deri dje, Shqipëria ka pasur një prokurori të posaçme, që pretendonte se ishte e pavarur, por që në realitet ka funksionuar brenda një sistemi, ku pushteti ekzekutiv nuk e lëshon kurrë kontrollin.
Një prokurori vërtetë e pavarur do të duhej të hetonte edhe vetë autokratin. Dhe kjo, nën një regjim nuk mund të ndodhë. Këtë, po e ndjejnë tani edhe prokurorët e SPAK që shohin se si po u hapen dyert e PS çdokujt që del në dosjet e tyre të korrupsionit.
Sepse kur mbron Veliajn, Bushkën apo rektorin Fatbardh Sallaku, Rama nuk po mbron thjesht njerëzit e tij. Ai po mbron veten, i ndërgjegjshëm, se në një vend ku ligji zbatohet me të vërtetë, ai duhej të përgjigjej i pari.
Ndaj tani, kur në horizont është shfaqur vetëm mirazhi i një drejtësie të pakontrolluar, është shqetësuar dhe ka bërë atë që kishte premtuar se nuk do ta bënte kurrë: e ka kthyer Partinë Socialiste në zyrë avokatie për të hetuarit për korrupsion./ Lapsi.al