Kur po bëhen pesë vite nga shembja e Teatrit Kombëtar (17 maj 2020), ndërtimi i teatrit të ri mbetet ende peng i premtimeve të pambajtura. Nga ana tjetër, skena artistike, e përçarë nga ndikimi i politikës, vuan periudhën më të vështirë të saj.
Beteja për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nisi në 2018 dhe ende sot është aktive në aspektin ligjor, duke shënuar qëndresën më jetëgjatë në historinë e revoltave të shoqërisë civile në Shqipëri.
Në 2024, një protestë simbolike me buqeta lulesh, jashtë SPAK-ut, riktheu një prej çështjeve më të debatuara për të cilën kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj nuk po hetohet: shembjen e dhunshme të Teatrit Kombëtar, në shkelje procedurash dhe në mes të pandemisë.
Aktualisht Veliaj gjendet pas hekurave nën hetim për pastrim parash dhe korrupsion, e akuzuar nga SPAK është edhe bashkëshortja, Ajola Xoxa, e cila dyshohet se përdori organizatën jofitimprurëse të artit Harabel për të qarkulluar para që vinin nga favorizimet e Veliajt për tenderë dhe leje ndërtimi.
Harabel Contemporary Art e Xoxes lulëzoi në një kohë kur shumë artistë dhe regjisorë të pavarur vuajtën për të gjetur mbështetje financiare për projektet artistike.
Sipas SPAK, përmes organizatave të tjera që Xoxa kishte lidhje apo dhe kontrollonte, ajo përfitoi fonde nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga bashkëshorti Veliaj.
Në këtë dinamikë, pavarësisht se nuk po hetohet për çështjen e Teatrit, artistët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
“Në gropën e Teatrit Erion Veliaj hapi varrin politik! Nuk mjaftohem me dënimin moral, por pres dënimin real për të gjitha shkeljet që ka bërë në çështjen e Teatrit, ai dhe të gjithë ata që ishin pjesë e shembjes,” shprehet aktorja Julinda Emiri, një nga zërat kryesorë në angazhimin për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Robert Budina, producent dhe regjisor, gjithashtu i angazhuar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, e konsideron arrestimin e Veliajt më tepër si një masë për përgjegjësi shoqërore.
“Një nga njerëzit që sulmoi direkt Teatrin ishte Veliaj dhe e mori përsipër personalisht këtë histori, por të them të drejtën nuk ndjej kënaqësi nga arrestimi i tij, do të doja që të mos kishim fare njerëz që vidhnin fondet publike, sepse në fund, kostoja na bie të gjithëve,” u shpreh Budina për Citizens.
Përçarja e skenës artistike
“Që nga përdorimi politik e deri te kompleksi individual, ajo protestë solli ndarje në grupime, që fatkeqësisht u pasqyruan edhe në profesion,” kujton Emiri teksa analizon vijimin e qëndresës për të mbrojtur Teatrin.
Në maj të 2018, pas deklaratave të para publike nga Veliaj për një projekt që parashikonte shembjen e Teatrit Kombëtar, një peticion me 780 firma të artistëve dhe qytetarëve kërkoi ruajtjen e godinës si pjesë të memories së qytetit.
Në krye të nismës ishte aktori Robert Ndrenika, i shoqëruar nga dhjetëra të tjerë që, disa javë më vonë, ndryshuan qëndrim dhe mbështetën tezën se “godina ishte e rrezikshme”. Kjo erdhi pas takimit me Veliajn më 14 qershor 2018, ku ky i fundit relativizoi rëndë vlerat arkitekturore të godinës së teatrit.
“Ndërtesa mund të riparohej, por vullneti ishte që të shkatërrohej,” kujton për Citizens aktorja Adriana Tolka, “Një nga arsyet e shembjes ishte se ishte ftohtë brenda, por njësoj si me një shtëpi: po nuk e ngrohe, ftohtë do jetë… Ndërtesa nuk kishte faj, por për ata ishte e leverdishme ta shkatërronin.”
Rreth dy vite më vonë, në maj 2020, qeveria qarkulloi në media një listë me rreth 100 artistë që e mbështesnin publikisht shembjen. Ndër ta rezultonin emra të njohur si Ndrenika, Tinka Kurti, Altin Basha, Arben Derhemi, Gazmend Paja etj.
Disa prej tyre ishin të pranishëm në ceremoninë private të përurimit të punimeve, që u mbajt më 21dhjetor 2022.
Citizens.al dhe mediat e tjera u ndaluan të raportojnë nga kantieri nga forcat e rendit teksa ceremonia iu përcoll televizioneve me regji dhe sinjal të gatshëm nga regjia personale e Kryeministrit Rama “ERTV”.
Qëndrimi kundër shembjes së teatrit pati pasoja për shumë prej artistëve që u angazhuan në protesta. Disa humbën marrëdhëniet personale dhe profesionale me kolegët, të tjerë u përjashtuan nga projektet artistike.
“I kam ndërprerë marrëdhëniet me shumicën e kolegëve, disa nuk më flasin vetë, kanë zor të më shohin drejt në sy, për atë që kanë bërë,” shprehet aktorja Tolka.
Regjisori Budina pohon se tashmë i sheh artistët të ndarë në “ishuj të veçuar,” ku sipas tij një pjesë vuajnë pasojat e konformizmit të tyre, cilësi të cilën ai e lidh me regjimin diktatorial.
“Kjo vjen nga koha e komunizmit, artistët kanë trashëguar një lloj konformizmi me pushtetin dhe nuk flasin. Të gjithë janë të pakënaqur, flasin veçmas, kurse publikisht nuk e marrin përsipër,” tregon Budina.
Për aktorin e Teatrit Migjeni të Shkodrës, Vladimir Doda, skandalet e fundit treguan se politika është e ndërlidhur fort me artin, ku përveç mungesës së meritorkacisë, ai thotë se skena artistike po vuan një lloj diktature pasi arti po përdoret si mburojë apo justifikim në udhëheqjen apo vendimmarrjet publike.
“Me keqardhje mund të them se disa figura kanë fituar emërime, përfitime dhe dihet se kujt i janë dhënë fondet,” shprehet Doda, duke nënkuptuar lidhje me prapavijë politike dhe korruptive.
Një nga organizatat me të cilat SPAK dyshon se Xoxa qarkulloi para duke i kamufluar me evente artistike është Bash-Art, e krijuar në vitin 2015 nga çifti Altin dhe Ilirjanë Basha, aktori Erion Isai, – aktualisht kryetar i Bashkisë Kolonjë, – dhe Besart Kallaku.
Bash-Art ka përfituar më shumë se 300 mijë euro mbështetje nga Bashkia Tiranë në periudhën 2019-2024 për festivale dhe projekte artistike.
Ndërkohë Altin Basha, pasi u vendos publikisht “pro” shembjes, u emërua drejtor i Teatrit Kombëtar (dhjetor 2022), për t’u shkarkuar më 9 janar 2025 pas pretendimeve të ngritura nga emisioni investigativ “Piranjat”, për abuzime me fondet për kostumet dhe skenografinë.
Për këto fonde përgjegjëse ishte bashkëshortja, Ilirjanë Basha.
Përndjekja e artistëve
Për disa artistë, angazhimi në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar bëri që ata të liheshin jashtë projekteve.
Adriana Tolka, e cila numëron mbi 60 role në zhanër të ndryshëm teatral, tregon se është në një “listë të zezë” sa i takon konsideratës për t’u përfshirë apo mbështetur për projekte artistike.
“Shyqyr që jam ende në punë te Teatri Kombëtar Eksperimental, nuk kanë arritur të më heqin, pavarësisht përpjekjeve,” thotë Tolka për Citizens.
“Nëse 90% e aktorëve që përbëjnë komunitetin tonë, që ishin ‘pro’ shembjes së Teatrit dhe marrin fonde gjerësisht nga pushteti pasi firmosën, ose heshtën për shembjen, unë e di që nuk mundem!” thekson aktorja.
Ngjashëm tregon dhe Julinda Emiri, e cila shprehet se ka humbur disa role për shkak të qëndrimit të saj në lidhje me Teatrin. Njëfarë “persekutimi” për shkak të angazhimit në rezistencën publike.
Regjisorë të ndryshëm e kanë dashur në projektet e tyre, por janë kushtëzuar nga drejtuesit për ta mënjanuar, por Emiri thekson se me këmbëngulje ia ka dalë ta vijojë profesionin.
“Kam vazhduar të jem aktive në teatër dhe filma, duke fituar audicione dhe bashkëpunuar me njerëz që duan vërtet artin. Kush punon me shpatullat e veta, e gjen gjithmonë rrugëdaljen,” thotë ajo.
Edhe aktori Vladimir Doda konfirmon vështirësitë për të gjetur përkrahje dhe mbështetje financiare për vepra artistike. Ai thotë se në përgjithësi edhe teatrot nuk i qarkullojnë veprat.
“Që në 2022 nuk kam arritur të vë reduksione si regjisor dhe pse kam aplikuar për fonde të brendshme, si nga ministritë, apo organizatat, por kam vënë në skenë shfaqje me të rinj, një ose dy në vit,” thotë Doda.
Kushtet e Teatrit sot dhe grimcat e mbetura të një ëndrre
Pesë vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, artistët vijojnë të punojnë në kushte të vështira. Aktualisht shfaqjet jepen në “ArTurbina” dhe “Teatri Eksperimental” me një total prej vetëm 550 vendesh.
Në rastin e “ArTurbina” skena nuk është e përshtatshme për shfaqje teatrale pasi është e vendosur shumë poshtë publikut. Ndërkohë artistët ankohen se mungesa e veshjes akustike e minimizon fuqinë e performancës.
“Në radhët e fundit zëri humbet, humbet intimiteti dhe është e mundimshme nga ana fizike,” tregon Tolka.
Ndërsa në “Teatrin Eksperimental,” artistët detyrohen të ndërrohen në të njëjtën vend për shkak të mungesës së hapësirave.
“Zhvishem dhe nga pas ke kolegun, se nuk ka ku të shkojë do ndërrohet dhe ai apo ajo. Kushte si derra!” shprehet Tolka.
Zyrtarisht, ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar ka pësuar vonesa të shumta, fillimisht për shkak të tërmetit, pandemisë, e më pas nga rritja e kostove të ndërtimit.
Në fillim projekti parashikonte investimin në partneritet me privatin nga kompania “Fusha shpk”, e cila përfitonte leje për të ndërtuar gjashtë kulla në një pjesë të truallit dhe zonës përkrah.
Por, në vitin 2020, Bashkia Tiranë deklaroi se projekti do të zhvillohej me fonde publike. Aktualisht është e paqartë se sa është kostoja totale për teatrin, por “Faza e I-rë” e projektit, me vlerë 18 milionë euro, po zhvillohet nga AgiKons dhe BE-IS shpk.
Sipërmarrësit Shkëlqim Fusha (Fusha shpk) dhe Gentian Sula (AgiKons) janë aktualisht të dyshuar për korrupsion në çështjen ndaj Veliajt. GJKKO ka vendosur masën detyrim paraqitje ndaj tyre.
Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri dhe kullave pas tij, sipërmarrësi Fusha dhe qeveria shqiptare hartuan një plan të ri.
Ai përfitoi leje për ndërtimin e një kulle 33 katëshe duke përfituar truallin e parkingut dhe dy godina të Bashkisë Tiranë krah ish-teatrit.
Por, për disa artistë, ende ekziston shpresa për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe siç ishte.
“Nevojitet vetëm vullnet politik. Kushdo që ta bëjë, do të gëzojë vlerësim qytetar,” thekson Tolka.
Ndërsa përJulinda Emirin Teatri mbolli një farë qëndrese, e cila u reflektua në çështje të tjera sociale.
“Nëse vini re, edhe pas kaq vitesh, kur dikush bën një skandal, apo arrestohet, atij i përmendet qëndrimi që ka mbajtur për teatrin, sepse historia e teatrit nuk kaloi si të tjerat, beteja për të ndau dy epoka,” përfundon Emiri.