Dr. Erion Dasho, një mjek me përvojë ndërkombëtare që ka ndërtuar një karrierë të gjatë në Gjermani dhe vende të tjera europiane, i është bashkuar garës së primareve të Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit.
Përmes kësaj kandidature, ai synon të sjellë eksperiencën e tij në sistemet shëndetësore të zhvilluara dhe të kontribuojë në forcimin e strukturave të partisë në Berat.
Në një intervistë të gjatë, ai ndan me ne vizionin e tij për këtë garë dhe për të ardhmen e shëndetësisë shqiptare.
Dr. Dasho, çfarë prisni nga kjo garë?
Primaret janë një proces i rëndësishëm demokratik që synon të fuqizojë Partinë Demokratike në Berat dhe në gjithë Shqipërinë. Nuk e shoh këtë garë si një betejë me kundërshtarë, por si një garë midis kolegësh dhe miqsh, me të cilët ndajmë të njëjtin qëllim: forcimin e partisë demokratike, fuqizimin e strukturave dhe mobilizimin e anëtarësisë. Personalisht, nga kjo garë pres ndershmëri, transparencë nga drejtuesit e degës dhe trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë dhe të krijojë bazat për një opozitë më të fortë dhe më të bashkuar. Synimi im është që, përmes kësaj gare, të ndërtojmë një ekip të fortë që do të sjellë ndryshimin e vërtetë për qytetarët e Beratit.
Çfarë sillni ju të re në këtë proces?
Nga pikëpamja njerëzore, ky është një rikthim për mua në qytetin ku kam lindur dhe kam kaluar fëmijërinë dhe rininë, një lidhje që asnjëherë nuk është ndërprerë. Për vite me radhë kam ushtruar profesionin e okulistit në Berat, duke u kujdesur për qindra pacientë. Nga pikëpamja profesionale, sjell përvojën time shumëvjeçare në fushën e shëndetësisë, të fituar në disa nga vendet më të zhvilluara në Europë dhe në botë. Nga pikëpamja politike, besoj se kandidatura ime do të shihet edhe si një kandidaturë bashkuese midis anëtarësisë së Partisë Demokratike. Në ditët që kam kaluar midis demokratëve beratas, e kam konstatuar këtë pritshmëri.
Nga ana tjetër, jo rrallë kam takuar demokratë që ndihen të lënë pas dore dhe të anashkaluar, që kanë vërejtje të shumta për mënyrën se si është bërë opozita në Berat këto vite. Ka vërejtje edhe për drejtues që, në vend që të jenë bashkues dhe mobilizues, kanë qenë përçarës dhe përzgjedhës. Sot, Partia Demokratike nuk e ka luksin të lërë të anashkaluar asnjë demokrat, sidomos ata të viteve ’90 që janë simbole të qëndresës dhe besnikërisë ndaj idealeve të lirisë dhe demokracisë. Të gjithë burimet njerëzore duhen bashkuar, dhe unë mendoj se kandidatura ime, duke ardhur pas shumë vitesh në diasporë, mund ta luajë këtë rol.
Si e shihni mundësinë e diasporës për të votuar për herë të parë më 11 maj?
Vota e diasporës ka qenë një ndër shtysat e rëndësishme për t’u përfshirë në primare dhe në fushatën e 11 majit. Pavarësisht se jam djalë Berati, unë jam prej 11 vitesh edhe një shqiptar emigrant si qindra mijëra të tjerë. Personalisht, jam larguar gjatë viteve të qeverisjes së Rilindjes. Nuk e kisha menduar asnjëherë largimin, por më mjaftoi vetëm një vit për të kuptuar se në çfarë regjimi kleptokrat, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm po e fuste vendin Edi Rama dhe Rilindja.
Jam larguar, por në gjithë këto vite kam mbetur një zë opozitar dhe jam munduar të bëj një opozitë të fortë duke qenë prezent pothuajse çdo ditë në media dhe në median sociale. Shpesh edhe me vizitat që kam pasur në Shqipëri. Këto primare dhe këtë fushatë e shoh si mundësinë ndoshta të vetme që një Parti Demokratike dhe një opozitë e bashkuar, së bashku me diasporën shqiptare, ta ndëshkojë Rilindjen për 12 vite qeverisje të papërgjegjshme, hajdutëri të përmasave të pakrahasueshme, aleancë me narkotrafikun dhe krimin e organizuar, dhe, mbi të gjitha, për shpopullimin e Shqipërisë.
Unë uroj që me mesazhin tim të rikthimit në vendlindje të ofroj një shembull se nën qeverisjen e Partisë Demokratike pas 11 majit do të hapen rrugët për rikthimin e gjithë shqiptarëve në vendlindje, për të rikthyer demokracinë, forcën e ligjit dhe shpresën te shqiptarët.
Cili është mesazhi juaj për demokratët e Beratit?
Demokratët e Beratit kanë treguar gjithmonë përkushtim dhe besnikëri ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë. Mesazhi im për ta është se kjo garë është një mundësi për të ndërtuar një ekip të fortë, për të sjellë ide të reja dhe për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme elektorale. Gara jonë nuk është më 1 mars; më 1 mars kemi përpjekjen për të forcuar harmoninë, kohezionin dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Më 1 mars do të mobilizojmë demokratët për të krijuar, së bashku me opozitarët e tjerë të vërtetë, një front të përbashkët kundër të keqes.
Gara jonë reale është më 11 maj, kur ne, qytetarët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, do të ndëshkojmë me votë Edi Ramën dhe Rilindjen. Ata që kanë vjedhur, grabitur dhe shtypur beratasit dhe shqiptarët do të kenë një fund të hidhur. Pas 11 majit, Edi Rama do të shkojë t’u bëjë shoqëri në burg hajdutëve të tjerë të Rilindjes. Pas 11 majit, kushdo që ka vjedhur shqiptarët do të japë llogari për çdo qindarkë. Beteja jonë e vërtetë është të udhëheqim beratasit dhe shqiptarët drejt fitores në 11 maj.
Nëse fitoni primaret, cili do të jetë fokusi juaj kryesor?
Shqipëria dhe veçanërisht qytete si Berati kanë nevojë për një model të ri politik, ku ekspertiza dhe përkushtimi të vendosen në shërbim të njerëzve. Synimet e mia janë të dyanshme. Si përfaqësues i ardhshëm i qytetarëve të Beratit në Kuvend, unë do të jem zëri i tyre, i halleve dhe problemeve të tyre, do të luftoj për të tërhequr vëmendjen ndaj Beratit dhe nevojave të tij.
Në fushën e turizmit, Berati duhet të jetë jo thjesht një vend turizmi ditor, por një destinacion ku turisti të kalojë të paktën disa ditë, duke bashkuar turizmin kulturor, malor dhe atë të aventurës në kanionet e Osumit. Turisti duhet të shijojë kuzhinën tonë, e cila është ndër më të mirat në botë.
Berati duhet të bëhet lider në bujqësi, ku subvencionet të mos shkojnë tek hajdutët dhe patronazhistët, por tek fermerët që punojnë me mund dhe sakrificë çdo ditë.
Si mjek, nuk mund të mos e theksoj faktin se spitali i Beratit është lyer dhe bojatisur, por nga pikëpamja e shërbimeve është në ditën e tij më të zezë. Qarkut të Beratit i kanë mbetur sot rreth 100 mjekë që votuan dje në zgjdhjet e Urdhërit të Mjekut. Si mjek dhe përfaqësues i beratasve në Kuvend, detyrimi im madhor do të jetë ringritja e spitalit të Beratit. Nëse në vitin 2029 spitali i Beratit nuk do të jetë rikthyer në një ndër spitalet më dinjitoze të vendit, unë do ta quaj dështim personal dhe do të largohem nga politika për t’iu rikthyer karrierës time dhe për të kontribuar në profesionin tim.
Nga ana tjetër, unë synoj të kem një karrierë politike edhe në rang kombëtar. Përvoja ime profesionale është e veçantë, për të mos thënë unike.
Kam punuar në Shqipëri si mjek dhe si drejtues i projekteve të rëndësishme shëndetësore për më shumë se 15 vjet. Gjatë kësaj periudhe, nuk kam lënë spital të vendit pa e vizituar disa herë. Eksperienca më ka sjellë të punoj në çdo sektor të shëndetësisë: shëndetin publik, kujdesin parësor dhe atë spitalor, reformimin dhe dixhitalizimin e sistemit shëndetësor.
Më vonë, duke punuar në vende europiane si Gjermania, Zvicra, Çekia dhe Hungaria, apo në disa prej vendeve që po zhvillojnë aktualisht sistemet shëndetësore më moderne në botë, si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kam krijuar një vizion të qartë se si duhet zhvilluar sistemi shëndetësor shqiptar.
Mendoj se në këtë fazë të karrierës sime, këto njohuri, përvoja dhe aftësi duhet t’i vendos në funksion të reformimit rrënjësor të sistemit shëndetësor shqiptar.
Prej 5 vitesh jam një ndër anëtarët më aktivë të Departamentit të Shëndetësisë së Partisë Demokratike dhe, së bashku me kolegët e tjerë të departamentit, mund t’i bëjmë të gjitha këto realitet.