Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zgjedhur të izolojë kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, në një qeli, duke e mbajtur totalisht të vetmuar me të dënuarit dhe paraburgosurit e tjerë.
Mëngjesin e sotëm, Veliaj është akomoduar në paraburgimin e Durrësit, ku administrata e këtij institucioni kishte mundësuar një dhomë personale për kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj.
Sipas burimeve pranë IEVP-së Durrës, Veliaj do qëndrojë i vetëm në qeli për një periudhë kohe, deri në kryerjen e një analize risku mbi gjendjen shëndetësore të tij dhe gjendjen e rrezikut në raport me personat e tjerë në burg.
Kjo kohë është periudha e “observimit”, thanë burimet pranë burgut të Durrësit, të cilët konfirmuan se gjatë kësaj kohe do kryhet dhe vizita e mjekut dhe përmbushet kartela e personit të arrestuar.
Në ditën e parë, vetë kryetari i bashkisë Tiranë,Erjon Veliaj, nuk ka shfaqur asnjë kërkesë personale për sjelljen e ndonjë sendi të domosdoshëm që i nevojitet në burg.
Veliaj, u arrestua tre ditë më parë me kërkesë të prokurorisë së Posaçme SPAK, duke u akuzuar për “Korrupsion pasiv ndaj funksionarit të zgjedhur” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
E bashkë me të u ndalua dhe bashkëshortja, Ajola Xoxa, ndaj të cilës janë ngritur 3 akuza të rënda. Kurse lista e personave të proceduar në gjendje të lirë për korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale vijon me biznesmenin Elman Abule, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Gentian Sula./Ora News