Kryeministri Edi Rama, teksa Erion Veliaj u paraqit në GJKKO, mblodhi vartësit e tij dhe e nisi fjalën me sulme ndaj prokurorëve duke thënë se nuk mund të kemi republikë të hetuesve.
Dukshëm i shqetësuar pasi situata i ka dalë nga duart, Rama tha se “qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të drejtësisë që bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit mbetet e pandryshuar. Ndryshon vetëm ajo që ne kemi detyrën të kontribuojmë jo vetëm me mbështetjen e padiskutueshme institucionale me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe garantimin e standardeve demokratike të çdo procesi. Në të kundërt ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën se sa me të ardhmen, sepse diktaturë apo republikë hetuesish kemi pasur në të shkuarën.”
- Sulmi ndaj gjyqtarëve
Rama sulmoi gjyqtarin Erjon Bani i cili ka në dorë “fatin” e Veliajt! Ai tha se dy gjyqtarë në Gjykatën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë “kamikazë të Partisë Demokratike” dhe për këtë problem duhet të merret kreu i SPAK, Altin Dumani.
Rama iu referua gjyqtarit Erion Bani, i cili firmosi dy ditë më parë arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe një kolegu të tij që sipas kryeministrit i jep kryedemokratit Sali Berisha informacione nga bisedat e realizuara në EncroChat që rezultojnë në dosjet e SPAK.
Teksa vijon me sulmin e tij, Rama tha se Erjon Bani vendosi mosdaljen e dosjes së “Toyota Yaris” sepse aty përmendeshin shumë kolegë të gjyqtarit dhe prokurorit, por nga ana tjetër kjo dosje ka shkuar siç tha ai, te ‘bufi i kënetës’ (Sali Berisha), duke e quajtur vepër penale.
“Është njeri me emër dhe mbiemër se e verifikova. Ju dëgjova me vëmendje në këtë diskutimin nga dje dhe sot. Jam dashamirës brenda vathës kur një i quajtur X.Y. merr urdhra nga Y.X. Nuk po ia them emrin, por ka dhe diçka tjetër që nuk e thatë. E bëtë pyetjen pse tani dhe jo më parë. Pse dy javë, një muaj më parë përshembull? Sepse tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar, i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj. Gjyqtarët si prokurorët krahas shorteve elektronike për menaxhimin e punës organizohen edhe në javë dhe ditë gatishmërie për kërkesa të ngutshme dhe ngjarje që kanë nevojë të trajtohen përmes veprimeve të menjëhershme.
Jo, Nesti…ishte aty që në shkurtin e kaluar. Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe iu informoj se gjyqtarët e të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuara nga prokurori dhe jo ta ashpërsojë. Por edhe pse ju ligjin e keni bërë për një garanci më shumë në fakt keni garantuar atë 100 përqindëshin e vulosjeve të kërkesave të prokurorisë.
Ky gjyqtar e ka nisur karrierën si koleg zyre me ( këtë emrin s’po e them se e keni në parlament) kur ishte ministër i Drejtësisë Eduart Halimi. Pastaj përfundoi në GJKKO. Ky dhe një tjetër nga qyteti X i njohur familjarisht si ekstremisht të djathtë kanë trajtuar më së shumti kërkesa për eksponentë të PS. Disa herë në vendimet e tyre disa herë e kanë kaluar cakun e gjyqtarit duke bërë konsiderata që ligji nuk ua lejon dhe duke kërkuar ashpërsimin e masave të kërkuara nga prokurorët. Përshembull trajtohet edhe për këtë vepër pse do të ishte mirë të kërkohej kjo masë nga prokuroria. I tillë është edhe rasti X që diskutohet shumë si skandal në të gjitha rrethet e juristëve.
Së dyti, i njëjti gjyqtar është gjyqtari paraprak për dosjen Toyota Yaris. Vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalim publikim të vendimit të tij gjë që nuk e bën, por bën të kundërtën për raste kur duhet të përbalten njerëz të PS për shkak se përmenden shumë kolegë të tyre. Por ama ditën e parë, vendimin e pati në dorë prapë njëri që e keni në parlament dhe tani e ka bufi i kënetës që ua lexon shqiptarëve komunikimet nga EncroChat në parlament. Të gjitha janë pjesë e përmbajtjes së këtij vendimi gjyqësor i ndaluar për t’u publikuar. Kjo është vepër penale. Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të Partisë Demokratike në GJKKO që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe atij duke thënë që ne do t’i shkrijmë”, tha Rama.
Më tej, Rama u shpreh i sigurtë dhe tha se ka informacion se asnjë gjyqtar nuk ka pranuar të burgosë Erion Veliajn, përveç Erjon Banit.
- “Kunji” për kryeinspektorin e ILD
Rama i bëri thirrje Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanit, të verifikojë gjyqtarin e dosjes, (Erjon Bani), për të cilin tha se është eksponent i afërt me lidhje familjare dhe miqësore me PD, që iu la posaçërisht shorti për dosjen e Veliajt.
Duke e kunjosur se nuk punon, Rama pyeti sa është ora dhe nëse Inspektori i Drejtësisë është zgjuar nga gjumi e po e dëgjon.
“A do ia dalim që institucionet e drejtësisë ta përdorin drejtësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Jo për t’u marrë me çështjen e njërit dhe tjetrit, jo për politikë. Jo meqë kapëm njërin, t’i biem edhe tjetrit. Apo hajt t’i biem njërit pa diplomë. Për këtë do flas, për një Belo, të përfundojë njeriu në dyert ë SPAK për diplomën se e ka falso? Ça është kjo? Kjo është hija, t’i biem edhe këtij, ndiq mediat, kompleksohu dhe bëj balet! Çfarë është kjo?
Sa është ora? Mbase është zgjuar Inspektori i Drejtësisë. Mbase zgjohet dhe më dëgjon. Dëgjo, është shumë e rëndë kjo, shumë e rëndë.
Sikur të kishim ILD, në letër e kemi por në realitet? Të shohin si respektohen të drejtat. Kur futesh atje je në republikë tjetër? Vetëm se është prokuror është mbi ty? Je një mish që mund të shqyhesh sipas oreksit të njërit e tjetrit?”, tha Rama.
- Kërcënimi ndaj SPAK
Rama kërcënoi edhe SPAK-un duke i thënë se nuk duhet të guxojë që t’i marrë celularin. Ai ironizoi mbledhjen e të dhënave nga autoritetet hetimore, duke thënë se tashmë “kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë” dhe duhet të përqendrohen te faktet.
Ai vuri në pikëpyetje veprimtarinë e SPAK, kur pyeti nëse “pavarësinë do e përdorë për të bërë drejtësi apo do të bëjë politikë”.
“Ta përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Kur them politikë është kjo: meqë njërin po e lëmë në ballkon, të kapim 3 nga këta të tjerët. Meqë kapëm kryetarin e bashkisë, të kapim dhe këtë tjetrin për diplomë. Të përfundojë njeriu në SPAK për diploma… çfarë është kjo? Në këtë kuptim e kam kur them politikë. Ndjekin mediat, kompleksohen dhe bëjnë balet. Dhe mos të bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim sepse boll i kanë, kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të merren me faktet”, tha Rama.