Dy partitë e reja “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe “Nisma Thurje” e Endri Shabanit dhe Pano Sokos kanë protestuar pasditen e kësaj të marte para Kryeministrisë, një ditë pas arrestimit të Erion Veliaj me urdhër të SPAK.
Ata kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, pasi sipas tyre, nuk mund të kalohet më me përgjegjësi personale, pasi ai është vendosur në atë detyrë për të administruar paratë publike.
“Ty për çfarë të kemi këtu? Edhe dordolec të ishe, edhe dordoleci që rri në arë, të paktën gjysmën a farave e mbron, po ti s’po mbron as gjysmat, t’i hëngrën të gjitha. Për çfarë je ti, për çfarë të paguajmë? Ti thua përgjegjësia është personale, po ty për çfarë të kemi vendosur? A të kemi vendosur për të ruajtur paratë publike. Nëse nuk e bën dot, jep dorëheqjen. Ne na duhet dikush që di se çfarë bëhet në shtëpinë e vet.” – tha Pano Soko.
Ndërkohë, Adriatik Lapaj deklaroi se duhet të rreshtuan krah SPAK-ut, teksa Ramën e konsideroi si arrogant, që refuzon të japë dorëheqjen, edhe pasi i ka shkuar gjysma e Qeverisë në burg.
“Në fakt ky ëshë një reagim i shpejtë për t’u vendosur përballë atij ligjit dhe për t’u rreshtuar krah Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme, të cilët me kurajo të fortë po luftojnë bandat 34-vjeçare. Sigurisht që autokraci, në vende të marra peng, në vende ku administrate kërcënohet me vendin e punës, me bukën e gojës, ku detyrohen njerëzit në administratë të bëjnë nga 5 e nga 10 familjarë jashtë që të votojnë për partinë në pushtet, që partia në pushtet, kapet dhunshëm pas karriges së pushtetit. Por, zgjedhjet janë afër dhe në bazë të një qeverie që nuk reflekton dhe të një kryeministri arrogant, i cili pasi gjysma e Qeverisë i ka shkuar në burg, refuzon të tërhiqet. Kjo nuk është çështje e të votuarit të një partie apo partie tjetër, ata që na ndjekin duhet ta dinë qartë, vetëm këta që janë në pushtet mos votoni, këdo tjetër pastaj mund ta votoni”,- tha Lapaj.
Endri Shabani akuzoi Ramën për shpërdorim të pushtetit duke keqshfrytëzuar për interesa personale, asetet publike.
“Dëgjova Ramën sot dhe tha nuk shkulem nga karrigia. A u ngopët? A u ngopët? 24 vjet që i keni marrë këtij vendi hapësirat publike, i ke marrë plazhet, i ke marrë pasuritë kombëtare, i ke marrë burimet natyrore. Ça të ka ngëlur pa marrë more zotëri? A u ngopët? Nuk iki thotë, nuk shkulem nga vendi”,- tha Shabani.