Një automjet tip “Porsche” është gjetur i djegur nga Policia e Tiranëz në fshatin Zgafnor të Zall Herrit.
Burime bëjnë me dije se automjeti i djegur iu përket autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha, i cili u ekzekutua mëngjesin e sotëm brenda një automjeti në Zall Mner, pranë liqenit të Bovillës.
Brenda automjetit është gjetur edhe një armë zjarri e gjatë, e cila dyshohet se është përdoru nga autorët, teksa targat e automjetit rezultojnë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
“Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët. Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.” – njopfton Policia.
Lulzim Visha punonte si postier dhe është ekzekutuar brenda automjetit të punës që i përket kompanisë “Postman”, që dërgon pako në gjithë Shqipërinë.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 gëzhoja, teksa dyshohet se autorët kanë përdorur një armë zjarri me silenciator, pasi banorët e zonës kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
Nga kqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, është konstatuar një automjet tip “Porsche” ngjyrë gri, i cili dyshohet se është përdorur nga autori/ët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes.
Nga hetimet paraprake, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore është ajo e hasmërisë, pasi i vëllai i viktimës ka vrarë një person disa vite më parë.
Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, ku ky i fundit ka vrarë më armë zjarri për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje e kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë më datë 10 Prill të vitit 1997.
Gjykatës e Tiranës e ka dënuar Besnik Vishën më 29 Qershor të vitit 2001 me 12 vjet burgim, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”. Ai ka qenë për disa vite në kërkim, teksa është arrestuar në Tetor të vitit 2009.
Përveç hasmërisë, Policia po heton edhe një konflikt që ka pasur së fundmi, edhe viktima, edhe i vëllai me disa banorë të zonës.