Nga Boldnews.al
Një vendim i Komisionit të Prokurorimit Publik (KPP) hedh dritë mbi një skemë të dyshuar të ndjekur nga Bashkia e Tiranës për të privilegjuar kompaninë telefonike “ONE” në tenderat e zhvilluar nga institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj.
Në 2 Dhjetor 2024, KPP ka pranuar ankimin e kompanisë ‘MC Networking”, e cila pretendonte se Bashkia e Tiranës ka zhvilluar një tender “të qepur” për shoqërinë “One”, me objekt “Shërbim për infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”, me fond limit 74.398.398 lekë të reja ose rreth 740 mijë euro.
Thelbi i kësaj skeme, sipas ankimit të lexuar nga “Boldnews.al”, ndërtohet në dy elementë; së pari, Bashkia e Tiranës vendos kritere të panevojshme, por që plotësohen vetëm nga “One” dhe “Vodafone Albania”, duke skualifikuar konkurentët e tjerë; së dyti, “Vodafone Albania” skualifikohet se nuk plotëson dokumentacionin e plotë dhe në fund fitues shpallet “One”.
“…Kemi vënë re se kjo procedurë është bërë për kompanite ‘One’ dhe ‘Vodafone albania’, të cilat ofertojnë të dyja sëbashku. Në të gjitha rastet, kompania ‘Vodafone Albania’ skualifikohet për mungesë dokumentaconi dhe gjithmonë kualifikohet kompania ‘ONE’, e cila me këto veprime po bëhet e vetmja që fiton tendera me makinacione dhe marrveshje të heshtura me Vodafone Albania dhe Bashkinë Tiranë”, thuhet në ankimin e dorëzuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Tender “i qepur” për ONE
Bashkia e Tiranës shpalli në 24 korrik të këtij viti tenderin “Shërbim për infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”. Në garë marrin pjesë 6 operatorë ekonomikë. Pesë prej tyre, “Vodafone”, “MC Networking”, “Gama”, “Albanian Satellite Telecommunication” dhe “Albanian Fiber Telecommunication”, skualifikohen për mos-plotësim kriteresh, ndërkohë që kualifikohet vetëm “One Albania”.
Shoqëria “MC Networking”, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët, skualifikohet pasi “nuk fakton të jetë i rregjistruar pranë regjistrit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ofrimin e shërbimit internet nëpërmjet SimCard konkretisht për shërbimin “Shërbim internet nëpërmjet Kartave Sim (SIMcard), objekt kontrate, duke mos përmbushur kërkesat e kriterit 2.3.2”, thuhet në vendimin e Bashkisë së Tiranës.
Në dokumentat e tenderit, Bashkia e Tiranës kishte parashikuar se operatori ekonomik ofertues duhet të ofronte shërbimin e internetit me karta SIM, e cila përbënte vetëm 2 përqind të shërbimit të kërkuar.
Në territorin shqiptar, vetëm shoqëritë “ONE” dhe “Vodafone Albania” kanë Licensë Kombëtare nga AKEP-i për ofrimin e këtij shërbimi.
Në këto kushte, operatori “MC Networking”, për të përmbushur këtë kriter, kishte lidhur marrvëeshje me një shoqëri maqedonase për vënien në dispozicion të kartave SIM. Bazuar në Marrëveshjen ndërqeveritare Rajonale “Free roaming”, kartat e Maqedonisë së Veriut mund të përdoren pa kosto shtesë në Shqipëri.
Por, autoriteti kontraktor, Bashkia e Tiranës, për këtë element, kishte vendosur në specifikimet e tenderit se shoqëritë ofertuese duhet të jenë të pajisura nga AKEP-i edhe me “Çertifikatë për shërbim interneti nëpërmjet Kartave SIM”.
“MC Networking” nuk e kishte këtë “Çertifikatë” dhe, për këtë arsye, Bashkia e Tiranës e skualifikoi.
Pas këtij vendimi skualifikimi, shoqëria i drejtohet Komisionit të Prokurimit Publik, me një ankesë, në të cilën zbulohen disa detaje që krijojnë dyshime për skemë bashkëpunimi mes “One” dhe Bashkisë së Tiranës.
Sipas ankimuesit, nuk ekziston një Çertifikatë për “Shërbim internet nëpërmjet Kartave Sim (SIMcard)” dhe këtë fakt e konfirmon me një komunikizim zyrtar me AKEP-in.
Në atë komunikim thuhet se nuk ekziston një çertifikatë “Për shërbimin e internetit nëpërmjet kartave SIM”. Gjithashtu, në atë komunikim, AKEP-i e pranon që këtë shërbim e ofrojnë vetëm 2 kompani, të cilat gëzojnë licencën për Rrjet të Lëvizshëm, por AKEP nuk përjashton faktin që ky shërbim smund të ofrohet nga një kompani e një shteti fqinj.
“Nisur nga sa më sipër, ky tender është i qepur (sic thotë edhe Kryeministri) për kompaninë One e cila në bashkëpunim me kompaninë Vodafone Albania pranojnë që të marrin pjesë dhe të fitojnë këto lloj procedure prokurimi”, thuhet më tej në ankim.
Zbulimi i “skemës”
Për të sqaruar situatën, Komisioni i Prokurimit Publik i drejtohet Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për një qëndrim më të specializuar.
AKEP-i konfirmon se nuk lëshon “Çertifikatë/Autorizim me emërtimin ‘Shërbim data nëpërmjet SIM CARD”, siç ishte përcaktuar në dokumentat e tenderit të Bashkisë, por vetëm Çertifikatë të Konfirmimit të Njoftimit për ‘shërbim transmetimi të të dhënave’”, të cilën e kishte dorëzuar operatori i skualifikuar.
Po ashtu, AKEP-i konfirmon se “bazuar në ligjin Ligjit 9918/2008, i ndryshuar, operatorët celulare vendas (“One” dhe “Vodafone”), janë të detyruar të lejonë shërbimet roaming për pajtimtarët e operatorëve celularë të Maqedonisë së Veriut dhe të çdo shteti jetër, të identifikuar nëpërmjet SIM card të operatorëve të huaj”.
Bazuar mbi këtë përgjigje, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë kërkesën e “MC Networking”, duke kërkuar nga Bashkia e Tiranës që ta kualifikojë në tender dhe, rrjedhimisht, ta shpallë fitues, si ofertuesi me vlerë më të vogël.
Lidhja e “One” me Bashkinë Tiranë
Në janar të vitit 2024, kompania “One” fitoi tenderin e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës, me objekt “Ofrimi i shërbimit online për monitorimin e trafikut urban në Bashkinë Tiranë”, me fond limit 40 milionë lekë të reja.
Në këtë procedurë, krahas ‘One”, mori pjesë edhe “Vodafone Albania”, e cila u skualifikua, pasi u vlerësua se nuk plotësonte disa prej kritereve të vendosur në dokumentat tenderues.
Ky tender nxiti reagime publike, duke hedhur dyshime për konflikt të mundshëm interesi ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe shoqërisë telefonike “One”.
Edhe në redaksinë e “Boldnews.al” mbërritën denoncime mbi atë procedurë.
Thelbi i konfliktit të dyshuar të interesit është fakti që përgjegjëse e fushatës publicitare të kompanisë ‘One” është shoqëria “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliaj, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Arbër Veliaj, si edhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ishin subjekte të kontrollit të zhvilluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pak ditë më parë.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon një hetim për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të të zgjedhurve vendorë”
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për lejimin e kontrollit të ambjenteve në zotërim të Arbër Veliaj e Ajola Xoxe, të rrjedhur në media, thuhet ndër të tjera se “…konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.
Në vijim, dokumentat e gjykatës thonë se “…Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme”.