Të martën, Prokuroria e Tiranës ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen penale në ngarkim të të hetuarve për krijimin dhe bashkëpunimin në skemat mashtruese të mikrokredive. Këto skema kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes rifinancimeve me kushte të disfavorshme të kredive të vjetra ose përmes shantazhit, duke i bllokuar pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.
Më herët, në muajin prill, prokuroria e kryeqytetit kishte dërguar për hetim në SPAK edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në lidhje me këtë çështje.
Procedimet e shumta të hetuara për këto zhvatje, të kallëzuara në prokurori që prej vitit 2018, janë bashkuar në një çështje të vetme. Hetimet kanë konkluduar se shoqëritë e përfshira në këtë skemë kanë vepruar si një entitet i vetëm, duke pasur karakteristika të qarta të një grupi kriminal të strukturuar.
Prokuroria ka identifikuar si drejtues të këtij grupi Olsi Ibron, i cili humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik, bashkëshorten e tij Elda Ibro dhe Arben Meskutin. Hetimi paraprak i kryer nga prokurorët Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi ka evidentuar vlera në dhjetëra milionë euro të përfituara përmes zhvatjes së qytetarëve.
Më 19 korrik, Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e kuotave dhe aseteve të shoqërive MCA dhe Final. Ndërkohë, në muajin maj, u vendos masa e sigurimit “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” për nëntë persona që dyshohet se kanë abuzuar me licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë, duke zhvatur qytetarët përmes rifinancimeve me kushte të këqija të kredive të vjetra.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili është nën hetim nga SPAK, dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar këto abuzime. Në një seancë dëgjimore në parlament, Sejko e konsideroi këtë problem si një çështje ligjore jashtë kompetencës së Bankës së Shqipërisë. Ai sugjeroi që Kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privatë.
Nga kontrolli i ushtruar mbi shoqëritë e licencuara si institucione financiare jo banka, Micro Credit Albania, MCA dhe Final; shoqëritë përmbarimore FS, ZIG dhe dhe Flashqë drejtoheshin dhe ishin në pronësi të Arben Meskutit; si dhe zyra avokatore ADCA është konstatuar se kanë pasur të njëjtin vend të ushtrimi të aktivitetit; përdornin të njëjtin sistem kompjuterik apo programe kompjuterike, të krijuara në funksion të kryerjes së veprës penale dhe financonin me burime monetare në mënyrë reciproke njëri-tjetrin. Po ashtu, ka rezultuar se punonjësit e tyre kalonin sa në një shoqëri në tjetrën dhe kryenin veprimtarinë e tyre në dukje për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si kredi të këqija.
Nga verifikimet e kryera në ekstraktet historike të këtyre shoqërive në QKB, ka rezultuar se menjëherë sapo MCA e themeluar nga Elda Ibro në vitin 2014, ka blerë portofolin e parë të borxhit të keq, ato janë zhvendosur në të njëjtën qendër. Prokuroria argumenton në kërkesën drejtuar SPAK, se sipas ligjit, shoqëritë përmbarimore nuk duhet të ishin të lidhura me kreditorin, por duhet të jenë të pavarura, duke mbrojtur si interesat e kreditorit ashtu dhe të debitorit, si dhe të mos veprojnë në kushtet e konfliktit të interesit.
Këto rrethana, vlerësohen prej prokurorisë se tregojnë qëllimin e qartë kriminal të të hetuarve për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme, në dëm të një numri shumë të lartë qytetarësh. Ata theksojnë se ky qëllim kriminal është ‘kristalizuar’ që në momentin e krijimit të aktivitetit që ka zgjatur më shumë se 9 vjet.
Nga hetimet e zhvilluara deri tanimë, prokuroria thotë se është provuar se duke filluar nga viti 2015, i ndjeri Olsi Ibro e bashkëshortja e tij Elda Ibro; pronari i shoqërisë përmbarimore ZIG, Arben Meskuti dhe vëllai i bashkëjetueses së tij, Indrit Çuberi; ish-përmbaruesi i ZIG, Alban Kote dhe ish-punonjësit e e kësaj shoqërie, Aldo Daka e Albert Gega; të hetuarit Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda, të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara, janë ndihmuar në veprimtarinë e tyre nga viti viti 2021 e në vijim nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, si dhe kanë bashkëpunuar me eksperten vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se këta persona së bashku kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë prej shoqërive MCA sh.p.k., në pronësi të Elda Ibros dhe Final sh.p.k, në pronësi të Meskutit.
Skema e zhvatjes së miliona eurove
Hetimet kanë zbuluar se të hetuarit kanë marrë e keqpërdorur jo vetëm të dhënat personale të qytetarëve të dëmtuar, por dhe rrethit të tyre familjar e farefisnor, duke siguruar dhe të dhënat e punësimit dhe të ardhurave të tyre. Sipas prokurorisë, të dhënat personale janë përdorur në kundërshtim me ligjin duke i shtrënguar debitorët përmes shantazhit që të bien në “kurthin” e zhvatjes.
Të hetuarit kanë mundësuar së pari të shumëfishojnë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Në vijim, ky detyrim i rritur padrejtësisht, shtohej nga tarifat përmbarimore dhe shpenzimet ligjore të fryra. Pasi realizohej ristrukturimi i të ashtëquajturës kredi, detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave të larta, deri në 2% në ditë. Madje, nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, detyrimi kalonte dhe tek familjarë që kishin mundësi pagese.
Po ashtu, është konstatuar se detyrimet mblidheshin me metoda të paligjshme, edhe tek familjarët apo të afërmit e debitorëve, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Në rast të mosshlyerjes së detyrimeve, pronat e paluajtshme të debitorëve kaloheshin në pronësi të MCA dhe Final përmes ankandeve fiktive.
Për realizimin e qëllimit të tyre, punonjësit e këtyre shoqërive, të urdhëruar nga drejtuesit e skemës së mashtrimit, kanë kryer qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre. Ndërkohë, dhjetëra-mijëra llogari bankare të qytetarëve janë bllokuar dhe qëndruan në këtë status në kundërshtim me ligjin për disa vite.
Të paktën 1700 pasuri të paluajtshme janë sekuestruar për detyrime në vlera minimale duke u kaluar në pronësi shoqërive MCA dhe Final përmes ankandeve fiktive. Prokurorët konstatojnë se sekuestrimet e mijëra pasurive janë kryer pa i njoftuar debitorët në asnjë rast, edhe falë nënshkrimit ‘qorrazi” të përmbaruesve. Ndërkohë, mbledhja e borxhit që duhej të kryhej nga përmbaruesit, është drejtuar nga Arben Meskuti, Olsi Ibro dhe Elda Ibro.
Në një komunkim nëpërmjet postës elektronike, i ndjeri Olsi Ibro i cilëson përmbaruesit si “croupier”, punonjës kazinoje. Ai shkruan se përmbaruesi Vako ngatërron lojën me fitoren.
“Për ne bixhozxhinjtë është e rëndësishme të luajmë jo të fitojmë”, i shkruan ndër të tjera Ibro pritësit të emailit dhe shton se Vako duhet të kuptojë se punonjësi i kazinosë nuk duhet të bëjë llogaritë e fituesit, por thjesht të ndajë letrat dhe të hedhi zarat.
Hetimet kanë ekspozuar përdorimin në mënyrë abuzive të të dhënave personale të debitorëve, familjarëve apo të afërmve të tyre. Të dëmtuarit janë ankuar se para sekuestrimit të llogarive të tyre bankare apo pasurive, ata dhe gjithë rrethi familjar i tyre kanë marrë telefonata të shumta deri përndjekëse nga persona që prezantoheshin si përfaqësues të shoqërisë ADCA.
Familjarët e debitorëve janë telefonuar dhe përndjekur, edhe pse ata nuk kanë qenë kredimarrës, garantor apo dorëzanës në kreditë e blera nga MCA apo Final. Po ashtu, kanë marrë në vazhdimësi njoftime shkresore po të kësaj natyre, pa nënshkrime dhe logo përmbaruesi – më së shumti me logo të MCA dhe ADCA, me shkresa me të cilat lajmëroheshin për ekzekutim vullnetar.
Nga hetimet ka rezultuar se qytetarët janë shtrënguar përmes sekuestrimit të llogarive bankare e pronave të paluajtshme, për të marrë kredi të reja për ristrukturimin e të vjetrës, apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në ato fillestare të urdhërave ekzekutues të dalë nga gjykatat.
Prokuroria konstaton se në çdo dosje gjendeshin të dhëna personale të detajuara për një rreth të gjerë familjarësh, ndërsa sekuestrot e llogarive bankare dhe të pronave nuk kishin asnjë lidhje logjike dhe ekonomike me vlerën e detyrimit. Nga hetimet janë konstatuar raste kur për një detyrim prej 5 mijë lekësh, janë sekuestruar apartamente apo sipërfaqe të mëdha tokash truall e arë.
Mijëra akte procedurale si, urdhër për vendosje sekuestro konservative, shpallje ankandi, vendim kalim pronësie, urdhër për heqjen e sekuestros konservative, vetëm formalisht mbajnë nënshkrimin dhe vulën e përmbaruesve që kanë të dhënat. Aktet përmbarimore rezultojnë të jenë përpiluar nga punonjës të Micro Credit Albania, Final e ADCA dhe janë dërguar prej tyre nëpërmjet një kutie postare në emër të ADCA, pa ju njoftuar debitorëve dhe jo nga adresa zyrtare e përmbaruesit, sipas parashikimeve ligjore.
Sipas prokurorisë, sekuestrot e vendosura nga përmbaruesit nuk kanë pasur qëllim ndjekjen e një procedure normale përmbarimore, por përpiloheshin me qëllim që të shtrëngonin qytetarët të paguanin disafish detyrimin fillestar ose të nënshkruanin kontrata ristrukturimi kredie, ç’ka sillte rritjen shumëfish të detyrimit.
Ministria e Drejtësisë ka kryer disa kallëzime për këto raste dhe ka marrë masa disiplinore ndaj përmbarusve gjyqësore Helidon Xhindi, Lefter Canaj e Fatos Alimadhi, por sipas prokurorisë, këto penalizime nuk e kanë ndaluar këtë veprimtari. Ata kanë refuzuar të dorëzojnë vulat, dosjet dhe arkivën e tyre dhe kanë vijuar veprimtarinë përmbarimore nëpërmjet të njëjtave çështje, duke përfshirë dhe përmbarues të tjerë.
Problemet për debitorët nuk janë sosur as kur pasuritë e tyre kanë kaluar në pronësi të MCA dhe Final. Detyrimet e tyre jo vetëm nuk janë shuar, por janë shtuar dhe janë përballur me veprime të tjera përmbarimore për sekuestrimin e pasurive të tjera.
Prokuroria konstaton ndër të tjerë një rast, kur për një detyrim prej 88 mijë lekësh, një debitori i është marrë truall me sipërfaqe 500 m2, ndërtesë me dy kate + papafingo me sipërfaqe 124 m2 për çdo kat – pronë e gjendur në Vlorë, rreth 300 metra larg detit.
Edhe pasi MCA e ka regjistruar këtë pronë në emrin e saj, ka vijuar me vendosjen e sekuestrove preventive nga përmbaruesi Altin Vako, për pesë prona të tjera.
Të hetuarit kanë përfituar dhe nga fakti se të dëmtuarit nga kjo skemë mashtrimi janë përgjithësisht njerëz në nevojë ekonomike që nuk kanë as njohuritë e nevojshme, si dhe as mundësitë financiare për të paguar shërbimin e avokatisë. Ka rezultuar se shumë shpesh ka ndodhur që gjykatat t’i kthejnë padinë të dëmtuarve me të meta, për shkak se ata nuk ishin në gjendje të plotësonin dokumentacionin. Ndërkohë, përmbaruesit në këto çështje nuk e kishin dosjen dhe kreditori deklaronte se e kishte përmbaruesi. Nga këto rrethana, qytetarët e kanë pasur të vështirë të gjenin informacion dhe dokumentacion e nevojshëm për vijimin e proceseve gjyqësore.
Sipas prokurorisë, veç dëmeve ndaj qytetarëve në dhjetëra miliona euro, kjo skemë mashtrimi ka shkaktuar dhe pasoja shumë të rënda sociale tek ata dhe familjarët e tyre. Pasojat e shkaktuara shtynë drejt vetëvrasjes një prej kredimarrësve.
Prokuroria e Tiranës i sjell në vëmendje SPAK se sipas informacionit të marrë nga Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, shoqëria MCA ka realizuar 30 milionë euro të ardhura deri në fund të vitit 2023 vetëm nga mbledhja e detyrimeve të konsideruar si borxh i keq. Ndërsa shoqëria Final ka realizuar rreth 6.8 milionë euro.
Në këto përfitime që konsiderohen si të paligjshme, nuk janë përfshirë vlerat e pasurive të kaluara në pronësi të këtyre dy kompanive nëpërmjet ankandeve fiktive.
Prokuroria e Tiranës thotë se ende nuk ka arritur të përcaktojë në mënyrë të saktë numrin e pasurive të paluajtshme që u janë sekuestruar qytetarëve, por duke ju referuar pot ë njëjtës agjenci, vëren se numri i pronave të sekuestruara që janë të evidentuara është rreth 1700, nga të cilat 1656 kanë kaluar tek MCA dhe 54 tek Final./ BIRN