Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë të caktuara nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e Apelit, Igerta Hysi, teksa tashmë, Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa Kryemadhi “detyrim paraqitje”.
Si Meta dhe Kryemadhi kishin ankimuar masat e sigurisë të caktuara nga GJKKO, ku kërkonin ndryshimin e tyre, por argumentet e tyre nuk janë marrë parasysh nga Apeli.
Masat ndaj Metës dhe Kryemadhit janë lëshuar nga SPAK pas bashkimit të dosjeve për çështjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA të ish-LSI-së, si dhe hetimin pasuror ndaj tyre.
Gjatë seancës së sotme, referuar përvojës amerikane, Ilir Meta i kërkoi Gjykatës së Apelit që të lihet i lirë dhe të ushtrojë detyrimet e tij ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur. Ai tha se nuk e imagjinon që të arratiset dhe i kërkoi gjykatës që t’i bllokojë pasaportën.
“Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani. Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës. Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë”, deklaroi Ilir Meta, që siç duket nuk u morën parasysh nga Apeli.
Gjithashtu, kreu i Partisë së Lirisë deklaroi para gjyqtarëve se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.
“Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time. Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime , e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI. Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet. Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, u shpreh Ilir Meta.
Pas dhënies së vendimit, deputetja Monika Kryemadhi u prononcua për mediat, ku deklaroi se SPAK është bazuar në falsifikime në ngritjen e akuzave ndaj saj.
“Prokurorët ishin të papërgatitur ndaj fakteve dhe dokumenteve që erdhën nga Çekia dhe Austria. Metodologjia dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK ishin në nivelin e një studenti të vitit të parë të juridikut. Argumentet që ngrinin ishin qesharake dhe të bazuara në falsifikim. Kalkulimet dhe analiza financiare e pabërë nga SPAK donte të falsifikonte me keqdashje deklarimet e pasurive tonë. Rezulton se edhe s ai përket letër porosive të dërguara nga SHBA, ka një deklaratë të rremë për të cilin ligjin federal i SHBA i dënon me 5 vjet. Prokurorët ishin të papërgatitur. Beteja nuk është se sapo ka filluar, por është ballë për ballë. Do të përballemi me sistemimet e drejtësisë dhe ato ndërkombëtare. Çështja e deklarimit të pasurisë për Metën ka rënë.” – tha Kryemadhi.
Ndaj Ilir Metës rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërsa ndaj Monika Kryemadhit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Për dosjen në fjalë janë nën masën detyrim paraqitje dhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho si dhe shtetasja Ema Çoku.