Ashtu siç ishte paralajmëruar, pas tre orësh që bllokuan akset rrugore të vendit nga veriu në jug, në 6 nyje nevralgjike, Partia Demokratike e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes.
Për 120 minuta, duke nisur nga ora 17:00, drejtuesit më të lartë të PD, deputetët dhe mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar mbikalimin te Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.
Protesta u shoqërua me disa akte të mosbindjes civile, si djegie gomash e koshash të mbeturinave, por nuk pati përplasje me qytetarë të bllokuar në rrugë.
Incidenti i vetëm i rëndë u regjistrua në Tiranë, ku protestuesit dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përplasën me policinë dhe efektivët e FNSH-së për pak minuta te Kthesa e Kamzës.
Përplasjet verbale me policinë nuk munguan as në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ishte ai që e mbylli protestën në kryeqytet, ku nga Kthesa e Kamzës tha se mosbindja civile do të vazhdojë dhe e quajti këtë të sotmen një “fitore” të opozitës.
“Dua të bëj me dije se sot ka qenë ditë e zezë për narkoregjimin. Ata kanë sjellë narkopolicinë me qëllim që të intimidojnë opozitën. Mosbndja civile ka filluar të japë frutet e veta. Mosbindja civile do t’i japë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mosbindja civile do të vazhdojë. Kthim nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do të japë frutet e saj”, deklaroi Flamur Noka.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, iu bashkua protestës së Partisë Demokratike për mosbindje civile. Blushi tha për gazetarët se protesta dhe beteja e qytetarëve të ndershëm ndodhet sot në një etapë të re.
Tedi Blushi: “Narkoshteti që jo vetëm rrëmben në mes të ditës ish presidentin e republikës por ka dalë këtu për të provokuar dhe rrëmbyer këta qytetarë paqësorë që janë më të vendosur se kurrë për tu ballafaquar me këtë regjim, qytetarët e ndershëm dhe patriot nuk tremben…Sot protesta dhe beteja e qytetarëve të ndershëm ndodhet në një etapë të re. Ta harrojë ky regjim kriminal që do të mund të ndalë revoltën e qytetarëve. Provokime ordinere ndaj protestuesve paqësore që s’kanë hedhur asnjë gur sot. I paralajmëroj në zjarrin e destabilizimit të Shqipërisë që po ndez Rama do të digjet vet bashkë me prokurorët mercenarë që sot janë kthyer në vrasës me pagesë”.
- Çfarë ndodhi gjatë 3 orëve protestë nga veriu në jug?
Protesta e kësaj të hëne ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.
Në Shkozet, Milot dhe Tiranë janë djegur disa goma, por pa probleme, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa i ka drejtuar thirrje protestuesve me megafon që të shpërndahen dhe të zhbllokojnë rrugët.
- Fotolajm/ Pankarta që personifikon narkoshtetin e Ramës: Salianji në burg, mafia në pushtet
Opozita po zhvillon protestën e parë të mosbindjes civile që shtrihet në të gjithë Shqipërinë duke bllokuar 6 pikë kryesore të qarkullimit në vend.
Qytetarët e shumtë që kanë bllokuar pikën hyrëse në kryeqytet, te ish-sheshi Shqiponja mbajnë në duar pankarta pikante që përshkruajnë narko-regjimin e Edi Ramës.
Në një pankartë ata ata shkruajnë se Salianji që denoncoi lidhjet e qeverisë me narkotrafikun gjendet në burg ndërsa Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama gjenden në pushtet.
- Vokshi: Qytetarët gjithnjë e më shumë po i bashkohen thirrjes së PD për protestë
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka folur për SYRI TV nga protesta që po ushtrohet nga qytetarët te ish-sheshi Shqiponja, të cilët kanë bllokuar hyrjen për në kryeqytet.
Sipas Vokshit, prezenca e qytetarëve në të gjashta pikat ku është bllokuar është shumë e madhe, gjë që tregon se qytetarët gjithnjë e më shumë po i bashkohen thirrjes së PD dhe opozitës për protestë, për të refuzuar këtë qeveri të kryesuar nga Edi Rama, kryeministri më i korruptuar në Europë.
“Janë 77 forma të ndryshme të mosbindjes civile, kjo është njëra prej tyre. Paralizimi i të gjitha akseve kryesore të Shqiëprisë, janë 6 akse që e paralizojnë Shqipërinë nga Veriu në Jug. Prezenca e qytetarëve në të gjashta pikat ku është bllokuar është shumë e madhe, gjë që tregon se qytetarët gjithnjë e më shumë po i bashkohen thirrjes së PD dhe opozitës për mosbindje civile, për të refuzuar këtë qeveri të kryesuar nga Edi Rama, kryeministri më i korruptuar në Europë. Janë qytetarë që janë të zemëruar sepse nuk marrin shërbimet e ndryshme, nuk kanë shërbim arsimor, shëndetësor, sociale, nuk marrin ndihmën ekonomike etj. Secili prej qytetarëve që i janë bashkuar sot thirrjes së PD e ka jo një arsye por 1001 arsye. Kjo është njëra prej mënyrave të mosbindjes civile, do të kemi në vijim forma të tjera”, tha Vokshi.
- Strazimiri: Po bllokojmë rrugët që përzënë shqiptarët nga Shqipëria
Opozita ka nisur protestën e saj, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit. Opozita paralajmëroi bllokimin e gjashtë segmenteve kryesore të lëvizjes së automjeteve në Shqipëri, duke nisur nga ora 17.00.
Deputetët e PD-së u shpërndanë në 6 akse kryesore dhe është parashikuar të paralizohet qarkullimi për tre orë.
Drejtuesit e automjeteve kanë fikur makinat e tyre në shenjë solidarizimi me qytetarët, të cilët shprehen kundër këtij regjimi dhe situatës në të cilën ndodhet vendi.
Anëtar i kryesisë së PD-së, Gent Strazimiri nga terreni ku po ushtrohet protesta e mijërave qytetarëve te ish-sheshi Shqiponja.
“Është një protestë për të bllokuar rrugët ku përzënë shqiptarët nga Shqipëria, për të treguar se nuk kemi ndërmend të largohemi dhe do qëndrojmë këtu. Është një proces mosbindje civile, protesta është një formë, do kemi dhe forma tjera, për të treguar që ne jemi këtu dhe nuk kemi ndërmend të largohemi.”, tha Strazimiri.
- Noka thirrje Ramës: Tërhiq policinë! Ose destinacioni i protestuesve do jetë Surreli
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se policia po provokon qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore.
Deputeti demokrat i bëri thirrje policisë që të tërhiqet, pasi në të kundërt destinacioni i qytetarëve sot do të jetë Surreli.
“Siç e shikoni, një protestë paqësore po provokohet nga narkopolicia. I bën thirrje nipit të Enver Hoxhës, sulltan Surrelit, i bën thirrje kreut të organizatës kriminale që të tërheq narkopolicinë nga provokimi i qytetarëve, në të kundërt sot destinacioni i qytetarëve do të jetë Surreli. Çdo provokim i protestuesve paqësor, do të ketë një përgjigje dhe përgjigja është; të gjithë drejt Surrelit, asnjë rrugë tjetër nuk ka. Po nuk larguan në mënyrë urgjente këta narkopolicë, banditë të veshur me uniformë policie, Surrelit do të jetë destinacioni i protestuesve“, tha Noka.
- Paloka: Bllokimi i rrugëve, ky ishte qëllimi ynë sot
Qëllimi i sotëm i aksionit opozitar është bllokimi i rrugëve kryesore të Shqipërisë për tre orë. Deputeti i PD, Edi Paloka u shpreh se aksion opozitar në ditët në vazhdim do të vazhdojë.
“Sic e kemi deklaruar prej ditësh qëllimi i aksionit të sotëm është bllokimi i disa akseve rrugore. Do të vazhdojmë të bllokojmë rrugët. Atë që kemi deklaruar prej ditësh atë kemi bërë dhe atë do bëjmë. Qëllimi i sotëm është bllokimi i akseve”, tha Paloka.
Ndërkohë protestuesit tek mbikalimi i Shkozetit përvecse kanë bllokuar rrugën kanë djegur edhe goma. E njëjta situatë është edhe në akset e tjera, ku opozita ka bllokuar rrugët.
- Spaho pas përplasjeseve me policinë në Elbasan: Njëri nga civilët më ka goditur
Deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka akuzuar policinë se kanë dhunuar protestuesit në Elbasan. Spaho tha gjithashtu se gjatë përplasjeve një nga efektivët civilë e ka goditur.
Ai tha se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë rrethuan protestuesit dhe kështu arritën që të hapin edhe qarkullimin në rrugë.
“Policia na ka dhunuar. Njëri nga efektivët civilë më ka goditur. Ja dhashë përgjigjen që meritonte. Dukej që ishte një bandit në shërbim të regjimit. Kemi komunikuar me policinë dhe iu kemi thënë mos na provokoni. Ne kemi qenë mirëkuptues edhe me shoferët i kemi lejuar të kalojnë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë rrethuan protestuesit dhe nisi përleshja që të hapnin rrugën.”, tha Spaho.
- Boçi: Në ditët e ardhshme do të ketë akte që zgjasin me ditë
Protesta e sotme do të zgjasë 3 orë, por nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili ndodhet në Milot, një nga pikat ku po protestohet, tha se do të ketë akte të tjera në ditët në vijim, që mund të zgjasin edhe me ditë të tëra.
“Kjo është protestë, e cila ka aktet e veta. Është një akt proteste në kuadër të mosbindjes civile. Kërkojmë qeveri teknike, për ti dhënë fund inkuizicionit politik të opozitës, për ti dhënë liri liderit të opozitës, për të sigururuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Do të ketë akte të tjera në vazhdimësi, që mund të jenë më të gjata se 3 orë, mund të jenë me ditë të tëra, për ti dhënë këtij vendi, shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Policia të zbatojë Kushtetutën, direktivat që vijnë nga Parlamenti Europian, dhe protesta e qytetarëve mund të bëhet në formën që ata zgjedhin. Ne kemi zbatuar ligjin duke njoftuar Policinë e Shtetit, e cila në anën tjetër duhet të respektojë ligjin”, tha Boçi.
- Flamur Noka parkon i pari makinën në mes të rrugës
Ashtu siç u paralajmërua edhe më parë janë deputetët e PD të cilët kanë nisur bllokimin e rrugëve.
Siç shihet edhe në këtë foto, deputeti Flamur Noka ka “pakuar” makinën e tij në mes të rrugës, në zonën e njohur si ish-sheshi Shqiponja.