Arrestimet e opozitarëve që u kurorëzuan së fundi me burgosjen e Ilir Metës i kanë ndarë si me thikë, në dysh, ata që janë prononcuar publikisht për këto ngjarje. Këtu nuk e kam fjalën për militantët e partive apo për ata që sponsorizohen për të gërthitur në studio televizive, por për të tjerët, që reken të vënë në punë arsyen dhe të argumentojnë si difektet dhe risqet që përmban veprimtaria e SPAK, apo në të kundërt, të mirat dhe perspektivën që mund të përftohen prej akteve të tij.
Teza e njërës palë është se duke izoluar krerët e partive me të mëdha opozitare, në ndonjë rast duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e votimit popullor, apo në ndonjë tjetër, duke burgosur ata që kryejnë detyrën e dencocuesit si opozitarë, drejtësia e re po bëhet pjesë e lojës politike, duke përçudnuar fushën e garës ku ajo zhvillohet.
Në këtë logjikë argumenti është se zgjedhjet e ardhshme janë vrarë ende që pa nisur, se ato i kanë garantuar autokratit në pushtet jo vetëm një fitore të sigurtë, por në përmasa të atilla, sa në parlamentin e ardhshëm mund të ketë një shumicë të kuafifikuar, të vlefshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për të thelluar kleptokracinë tashmë të instaluar.
Në këtë kuptim, frika është se SPAK dhe GJKKKO, që lindën për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin, mund ti bëjnë edhe më të paprekshme ato, duke u sjellë si faktor vendimtar për triumfin e një pushteti që do të jetë edhe më i pakontrolluar, si rezultat i një opozite të shkalafitur nga ndërhyrja e drejtësisë.
Duke qenë se personalisht ndaj analizën e mësipërme për zhvillimin e ngjarjeve si dhe për atë që mund të ndodhë nesër, i kam ndjekur me tepër kujdes dhe vëmendje ata që predikojnë të kundërtën. Në këtë grup bëjnë pjesë si opinionistë që mbajnë mantelin e të pavarurit, po ashtu edhe drejtues emergjentë të partive të reja, që kanë dalë në skenë kohët e fundit. Si në korr ata pretendojnë se drejtësia e re nuk është një armë në dorën e Ramës. Ata analizojnë se ajo nuk po godet liderët e opozitës por, se janë këta të fundit që po barikadohen tek forcat e tyre të vjetra politike, për të marrë një mbrojtje artificiale. Ata e thonë me gojën plot se kanë besim te SPAK dhe e shohin si pozitiv për të ardhmen e vendit, aksionin e tij. Ata mohojnë të perceptojnë ndonjë rrezik për demokracinë, madje pretendojnë se nxjerrja nga loja e “liderëve të pavdekshëm” do të hapë mundësinë për suksesin elektoral të partive të reja, të papërlyera dhe të pa korruptuara. Sipas tyre, kjo do të sillte automatikisht edhe fundin e një autokrati si Edi Rama, atuja e vetme e të cilit, për të qëndruar në pushtet, është se ka përballë rivalë me legjitimitet të shkatërruar si Berisha dhe Meta.
Pra, po të përmbledhësh bastin që ata kanë vënë për të ardhmen e afërt, ai parashikon vetëm zhvillime pozitive. Në optikën e tyre, e mira e parë do të jetë heqja qafe e figurave që vazhdojnë të na qëndrojnë prej tri dekadash përdhunshëm mbi shpinë, si Sala dhe Likja. Kjo do të pasohet nga një zhvillim tjetër, nga rinovimi i elitave politike në opozitë. Dhe të dyja këto së bashku do të prodhojnë në finale edhe krisjen apo degradimin e imazhit të Ramës, duke prodhuar fundin e erës së tij.
Por fatkeqësisht, e mira e këtyre optikave diametralisht të kundërta është se matja e vërtetësisë analitike të tyre, kësaj here ka afat, madje një kohë tepër të limituar. Prova e tyre e zjarrit janë zgjedhjet e majit të ardhshëm.
Jam tepër kurioz të shoh qëndrimin që ata do të mbajnë nëse pas shtatë muajsh, ashtu siç prtitet të ndodhë në çdo regjim autokratik, falë ndërhyrjes së drejtësisë në garën elektorale, opozita zyrtare (PD-LSI) do të dalë shumë më e dobët sesa tani, por duke ruajtur sërish mopolin e opozitarizmit?
Çfarë do të thonë nëse me gjithë luftën që i’u bë të vjetërve, Berisha dhe Meta, partitë e reja do të kenë sërish rezultate irilevante, për arsyen e thjeshtë se është në ADN e çdo regjimi anti demokratik që të mos lejojë opozita të forta?
Si do të reagojnë nëse loja e SPAK për të zhbalancuar garën, do të prodhojë edhe më shumë fuqi në duart e Edi Ramës duke i dhënë atij përmes zgjedhjeve mundësinë për të dizenjuar në pushtet absolut?
Ç’do të bëjnë nëse e gjitha kjo përfundon me opozitën e vjetër të raskapitur dhe me të renë krejtësisht të papërfillshme, pra me dobësimin e mëtejshëm të pluralizmit politik në vend?
Ky skenar tani ngjan më afër se kurrë dhe të gjithë ata që po duartrokasin asgjesimin e kësaj opozite, ashtu të keqe dhe të pamoralshme siç e kemi, nuk mund të shtiren sikur nuk e shikojnë.
Nëse nuk kanë qenë me mision për të prodhuar fillesat e një realitet të ri diktatorial, por thjeshtë naivë të sinqertë, ata do të duhet të kërkonin falje, nëse kjo hipotezë vërtetohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Edhe për opinionistët e pavarur edhe për krerët e partive të reja që mbrojtën këto teza do ishte e pashmangshme një ndjesë publike, nëse do kishin ndihmuar, me apo pa dashje, në krijimin e një Shqipërie më të keqe.
Nëse premtojnë t’a bëjnë këtë, le të vazhdojnë edhe këto shtatë muaj të mbrojnë idenë se një drejtësi me dy standarte kundër opozitës, prodhon një vend më të mirë për të gjithë ne. Në kushtet e sotme nuk mund të kërkosh më shumë prej tyre./Lapsi.al