Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën referuar hetimeve për dosjen “Partizani”.
Ashtu siç pritej, Berisha ka mbërritur në ambinetet e SPAK-ut rreth orës 12:00, ndërsa simpatizantë të Partisë Demokratike i kanë dhuruar liderit të opozitës një pritje me ovacione. Mbështetësit e Berishës bënin thirrjet “Lironi doktorin”.
Duke iu drejtuar demokratëve të cilët i kishin rezervuar një pritje me ovacione, Berisha kishte një premtim edhe për Edi Ramën për të cilin u zotua se nuk do të fitojë dot mandatin e katërt.
“Dy fjalë për qytetarët dhe qytetarët e pranishëm këtu. Jam sot tu paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot ne kete menyre mandat të 4, por shumë shpejt do ta lëshojmë atë me pjesën e trupit që ka më qejf, në tokë. Prokuroria politike e Edi Ramës SPAK bazuar në kallëzimin e rrem të Taulant Ballës ka hetuar Sali Berishën në 3 breza”, tha Berisha para se të futej në SPAK.
Pasi qëndroi rreth 30 minuta brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kandidimi për kryeministër i vendit në zgjedhjet parlamentare të 2025, pavarësisht se sot (11 Shtator) u mor i pandehur nga SPAK për çështjen Partizani.
Kryedemokrati u shpreh se “pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër, cilido që dëshiron të vijë të sfidojë Sali Berishën”.
Berisha shprehu bindjen se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare.
“Unë kam dhënë një përkufizim, pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër, cilido që dëshiron të vijë të sfidojë Sali Berishën”, tha Berisha në dalje të SPAK-ut.
Pyetjes “Në zgjedhje jeni ju kandidat?”, Berisha iu përgjigj: “Padiskutim, padiskutim dhe i fitores. S’ka diskutim ajo”.
Kujtojmë se prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha ndodhet në “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore, ku i ndalohen dhe kontaktet me personat e tjerë, përveç se me familjarët që qëndrojnë në të njëjtën banesë.
- Berisha: SPAK, prokuroria private politike e Edi Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat tek SPAK.
Ai është shprehur se, akuzat ndaj tij janë bërë nga prokuroria politike e Edi Ramës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha: “Prokuroria politike private e Edi Ramës, SPAK, bazuar në kallëzimin e rreme të kryetarit të grupit parlamentar të PS dhe ish-ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, ka hetuar Sali Berishën në 3 breza deri tek mbesat e tij dhe qysh prej kohës kur ato nuk kishin lindur ende. Ata kanë hetuar edhe veprimtarinë e Partisë Demokratike duke filluar qysh para 20 vitesh dhe deri tek kandidatët e PD për kryetarë bashkie në zgjedhjet e vitit 2023.
Por me urdhër politik mercenaret e prokurorisë politike të Edi Ramës mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës në Shqipëri prej 255 ditësh pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi, por veçse me dëshirën, vendimin e Edi Ramës, kërkesën e tij në Kongresin e PS më 09.04.2022 dhe Asamblenë e PS me 07.05.2022 si dhe me kërkesën publike dhe jopublike tashmë të njohur të zyrtarëve dhe diplomatëve të korruptuar të një vendi mik si McGonigal e të tjerë.
SPAK, prokuroria private politike e Edi Ramës me dosjen e Klubit Partizani krijoi një piramidë mashtrimi, fshehu dhe manipuloi qindra dokumente publike, kreu shkelje kushtetuese të përsëritura dhe la në burgim të paligjshëm shtëpie Sali Berishën, me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës. Nga ky hetim që zgjati katër vite, sa një lufte botërore rezulton se: Në dosjen e Klubit Partizani nuk ka absolutisht çështje penale; mungon fakti penal dhe shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike, përkundrazi ka fituar nga zbatimi i ligjit”.
- Protesta, Noka: Altin Dumani do ta ketë fundin si Koçi Xoxe
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në protestën që po organizohet para SPAK në mbrojtje të Sali Berishës, ka sulmuar Prokurorinë e Posaçme, duke u shprehur se ky institucion i ka vënë shkelmin drejtësisë.
Sipas tij, kreu i SPAK, Altin Dumani vepron në shkelje të ligjeve dhe për këtë arsye e cilësoi si “Koçi Xoxe i kohëve moderne”, që fundin e tij do e ketë pas hekurave.
“Kjo është një dëshmi e qartë se këtu nuk është një institucion drejtësie, këtu është një organizatë kriminale, e cila u nis si drejtësi, por rezultoi organizatë kriminale. E cila u ngrit dhe u themelua për të luftuar krimin dhe korrupsionin, por po lufton opozitën. Po amniston krimin dhe korrupsionin qeveritar. Kjo është organizatë kriminale se u ngrit për të luftuar krimin elektoral, por e bekoi krimin elektoral duke zhdukur dosjen 339 dhe 184. Pra, puna e parë që bëri ishte se amnistoi krimin elektoral të Edi Ramës. Kjo organizatë kriminale është simotër e organizatës kriminale që quhet qeveri dhe janë në luftë të egër ndaj opozitës dhe PD-së.
Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Sot, edhe ata që ishin partizanët më të mëdhenj të të ashtuquajturës drejtësi e re,, shohin me sytë e tyre dhe janë të bindur se këtu vetëm drejtësi nuk ka, këtu ka një narkodrejtësi. Këtu opozita është nën sulm dhe për këta opozita është e keqja e këtij vendi. Opozita duhet të persekutohet dhe jo narkoqeveria, jo ata që vjedhin, jo Erion Veliaj që vjedh 130 milionë euro me një të rënë të lapsit me inceneratorin, apo me 5D apo me raste të tjera.
Pra, këtu para narkodrejtësisë, përpara kësaj organizate kriminale, vijnë e bëjnë xhiro sa për t’u hedhur sy shqiptarëve të gjithë qeveritarët, por për t’u sulmuar, persekutuar dhe burgosur, sulmohet dhe persekutohet lideri i opozitës, të gjithë drejtuesit e opozitës dhe opozita ën tërësi. A ka shqiptar që mund ta gëlltisë këtë si drejtësi të pavarur, përveçse si narkodrejtësi? Kjo pra është një organizatë kriminale që ka për synim luftën ndaj opozitës. I them Altin Dumanit se je një pasardhës i denjë i Aranit Çelës. I them Altin Dumanit se je një pasardhës i denjë i Koçi Xoxes dhe fundin do ta kesh si Koçi Xoxe“, tha Berisha.
- “Orë 500 mijë €…”,Berisha pas daljes nga SPAK: Ja çfarë pash në prokurori
Lideri i opozitës Sali Berisha ishte këtë të mërkurë në SPAK. Ish-kryeministrit Sali Berisha i është komunikuar akuza e korrupsionit pasiv e kryer në bashkëpunim.
Duke aluduar për një prokurori të korruptuar Berisha tha se gjeti disa “thesare” në atë që e cilësoi “muzeu i SKAP-it”.
“Vizitova pjesën muzeale të SKAP-it, aty gjendej ora 4000.600 euro e qëndisur me diamante dhe dhurata e Edi Ramës. Gjendet fotografia jo origjinalja, se atë e ka ai. Gjendej fotografia e Amand Josifit. Gjendej Ymer Lala tek i jepte Dumanit 1 milionë euro për pyetjet që nuk i bëri.
Gjendej Taulant Balla i cili po merrte shpërblimin e Suel Çelës për lirimin e vrasësve të Lulzim Kullës. Gjindeshin horra që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë format më të neveritshme të korrupsionit për ti mbajtur peng ata”,- tha Berisha.
- Berisha në SPAK, Baçi: Burgosje politike, jemi këtu kundër padrejtësisë
Deputeti demokrat Luan Baçi deklaroi për mediat se Sali Berisha është burgosur politikisht. Ai tha se protestuesit e opozitës janë aty kundër burgosjes politike.
Baçi deklaron se protesta është kundër padrejtësisë dhe në mbështetje të fjalës së lirë.
“Të gjithë kanë ardhur vetë dhe nuk është bërë asnjë njoftim për këtë protestë. Ne kemi 9 muaj që protestojmë për lirimin e liderit të opozitës.
Kjo është burgosje politike. Protesta është kundër padrejtësisë, në mbështetje të fjalës së lirë”, tha Baçi.
- Akuzat e SPAK-ut, Berisha e konsideron “arrestim politik”
Si ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu edhe avokatët e tij dhe Partia Demokratike e kanë konsideruar vendimin e GJKKO-së, si të diktuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën kreut të saj.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta. Mbi këta dy të fundit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.