Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas rreth një jave në lidhje me skandalin tek spitali Onkologjik, ku mjekët kishin krijuar një skemë abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private.
Në një takim për propagandë dhe për “show”, kreu i qeverisë ka mbledhur këtë të enjte mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të na treguar se spitalet i ka bërë njësoj si të Europës, edhe pse i ka lënë pa ilaçe, duke përfshirë dhe ato më jetiket si ato të kancerit dhe azmës, si dhe nga raportet, Qeveri e Shqipërisë rezulton me shpenzimet më të ulëta në rajon për Shëndetin dhe Mbrojtjen Sociale.
Për Edi Ramën, fajet i kanë vetëm 5 maskarenj, siç i konsideroi ai mjekët e përfshirë tek skandali i Onkologjikut dhe jo sistemi. Kreu i qeverisë tha se drejtësia e bëri punën e vetë, edhe pse hetimi ka qenë i cunguar dhe sot për atë skandal nuk ndodhet asnjë në burg.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi rama ka sulmuar edhe mediat, në lidhje me instalimin në QSUT të një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Për këtë aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA, por gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri. Rrezatimi i kësaj aparature dyshohet se iu ka shkaktuar sëmundujen me kancer edhe vetëm stafit mjekësor të spitalit. Por, për kreun e qeverisë, kjo histori është një fabrikim kriminal i mbështetur nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike.
Rama tha se do ngrihen grupe pune me menaxherë të huaj për të asistuar drejtoreshën e QSUT dhe shefat e tjerë dhe do garantohet autonomia spitalore. Rama tha se kështu mjekët do të paguhen sipas performancës. Ai tha se sot mjekët kanë kushte më të mira pune e rritja pagash, të cilat janë realizuar falë taksave që paguajnë ata pacientë që marrin shërbimin.
“As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se sa spitalet më të mirë të Evropës. Besim Elezi me kolegë i dha dritë këtij spitali, në kushtet më mizerabël, me mjete si në spitalet e mesjetës në Francë. Në këtë territor ku jemi sot, mungonte thuajse gjithçka, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut. Sot nuk mungon thuajse asgjë, por fatkeqësisht, jo gjithnjë, figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me Betimin e Hipokratit. Të mos jesh në lartësinë e detyrës është përgjegjësi, por në punën tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, kur me njeriun lidhet fati i shëndetit të tij. Por të marrësh licensën dhe të përdorësh uniformën më simbolike si maskat e grabitqarëve të bankave dhe të nxjerrësh para me ilaçin e të sëmurëve, është krim kundër njerëzimit. Koha e Besim Elezit ka ikur, kjo kohë, sikurse jep mundësi të reja, e bën njeriun të pandjeshëm.
Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet se radhët e shëndetësisë jan pastruar nga zullumqarët e shëndetit. Rrjetat e merimangave të onkologjikut ishte më zi se korrupsioni i marrjes së parave për shërbimin, ishte krim kundër njerëzores.
Kur mjekët shkonin në luftë me shpata, ndërkohë që bota kishte shpikur raketat, nuk është mision i pamundur. Po të mos ishin heronjtë në kohën e pandemisë, disa prej të cilëve ishin kolegë tuajt, që vdiqën dhe në krye të detyrës, numri i shqiptarëve që humbën jetën ishte i vogël në krahasim me vendet e tjera. Mjaftoi ekspozimi i një Tixheje, ajo infermierja që iu kërkonte lekë të afërmeve në Sanatorium, që i kishte kthyer ata njerëz që luftonin në shtratet e vdekjeve, u ndez revoltë ndaj një komuniteti mjekësh në atë kohë. Një “Tixhe” rrëzoi përtokë gjithë sakrificat, deri dhe sublime. Nuk shkonin më as në shtëpi, duke qenë nëna të veshura me bluzën e mjekes dhe infermieres, por rrinin të mbuluar me ato kostumet speciale për t’i bërë hyzmet pacientëve që ishin në shtratin mes jetës dhe vdekjes. S’ka se si të jetë ndryshe në fakt dhe s’ka as s’i të shpëtojnë autoritetet shtetërorë nga sulmet. E mirëkuptueshme në dhimbjen e vetë dhe klithma për pushkatim që shfaqet tek tuk që e keni vënë re dhe ju në rrjetet sociale, pavarësisht se nuk jetojmë më në kohën e pushkatimeve.
Kërkesa në komente për dorëheqjen e ministres, të zakonshme akuzat dhe sajesat nga ata me shpirt katran dhe mendje sahan i gëzohen këtyre rasteve për lojën e përditshme me mendjen e njerëzve duke arritur në fabrikim kriminal të historisë së kobaltit. Të mbështetur si përditë nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike. Këto janë problematika të ditura.
Ç’ka më takon mua dhe atyre që janë dhe këtu një pjesë e madhe, sipas shkallës së përgjegjësisë dhe që kanë një rol për të luajtur në mbarëvajtjen e punës së shërbimit shëndetësor dhe në ecurinë e masave për transformimin, është adresimi sistematik i problematikave.
Drejtësia e bëri edhe një herë punën e vet dhe kjo është e vetmja e mirë e asaj të keqeje që doli në pah, i përgëzoj dhe u bëj thirrje gjykatësve që të mos lejojnë që relativizmin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur më parë kur gjykatës kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë vrasës që duhej të ishin brenda sot e gjithë ditën.
Ne duhet të vijojmë punën tonë, jo vetëm me masat. Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës, i ngritur sapo morëm dijeni për grupin keqbërës te Onkologjiku.
Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në ministri janë hapa të duhur në drejtimin e duhur, Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në shërbimin privat, është një histori që e dimë mirë nga vjen. Nga historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar i të shkuarës në një sistem shëndetësor ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore që i garanton mjekëve profesionistë që të shpërblehen përtej tavaneve të pagave, por në bazë të performancës. Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës.
Jam këtu edhe për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi, njësoj si historia e Tixhes, nuk e hedh dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar situatën shëndetësore nga ngrehina ku e gjetëm, në një sistem shërbimesh funksionale. Kjo që ndodh na bën më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma. Kantieri i transformimit rrënjësor të QSUT-së dhe shërbimi për 3500 persona që vijnë këtu çdo mëngjes nuk mund të fshihen me filtrin e errët të këtyre individëve, aty ku 10 vite më parë kishim një kompleks që dergjej si i sëmuri më i pashpresë i Tiranës, ne kemi sot një qendër spitalore funksionale. Ka padiskutim probleme, pro qëllimi im sot nuk është të fokusohem te ndërhyrja masive e 10 viteve të fundit. Na duhet ky kthim koke për të kuptuar se puna kolosale e kësaj dekade falë investimit dhe taksave të shqiptarëve, kërkon një shërbim të denjë në çdo komponent. Vetëm këtu janë investuar 100 milionë euro dhe sot pagat tuaja janë shumë më të larta dhe kushtet e punës pakrahasimisht më të mira
Nuk janë bërë me paratë tuaja, as të miat, por me paratë e atyre që vijnë këtu për ndihmë tuaj dhe me paratë e atyre që i sjellin familjarë e tyre në dorën tuaj. Ata që vijnë këtu për të vizituar e shtruar e kanë bërë të tyren për ju. Pa ata do ishit akoma te ai pazari që përmenda më lart dhe që ju e keni jetuar me vite të tëra të poshtëruar në çdo lloj merite profesionale dhe e keni mbajtur këtë spital me frymën e trashëguar nga Besim Elezi. Sot është ndryshe. Pacientët dhe njerëzit e tyre bashkë me shqiptarët që paguajnë taksat kanë bërë që pagat tuaja të jenë shumë më mirë se dje dhe nesër të jenë më mirë se sot. Kush e harron këtë dhe ka bluzën e bardhë hyn në gjynah të madh edhe kur s’ka durimin të sillet si shërbëtor i atyre që zënë krevatin e kësaj qendre nga halli. Kur ata hyjnë këtu janë familjarët e tyre dhe ju jeni shërbëtore kush shfaqet si ata torturuesit nuk meriton vetëm ndëshkimin e drejtësisë, por meriton ndëshkimin pa mëshirë të zotit lart. Mjaftojnë 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaja që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit dhe që përkushtimi dhe profesionalizmi i trupës tuaj të goditet nga një dallgë revolte, që është legjitime, e një populli të tërë. Shpresoj që asnjë nga ju të mos e harrojë përjetimin e tmerrshëm të këtyre ditëve të pamerituar dhe cenimin e dinjitetit të secilit dhe bluzës së bardhë.”, tha Rama.