Agjentët kufitarë të BE-së nuk po raportojnë shkeljet e të drejtave të kryera ndaj emigrantëve dhe refugjatëve në kufirin shqiptaro-grek.
Në shkurt të vitit të kaluar, Aija Kalnaja, në atë kohë shefja në detyrë e agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Frontex, mori një email të ashpër nga personi përgjegjës që duhet të sigurohet që agjencia t’i përmbahet ligjit të BE-së dhe të drejtave themelore të njeriut në kontrollimin e kufijve të bllokut.
Për këdo që nuk e njeh gjuhën burokratike të Brukselit, titulli i emailit mund të duket i koduar: “Shqipëria, kthime pas ping-pong dhe shmang SIR-et”.
Por përmbajtja ishte e qartë: një oficer i Frontex-it sapo ishte kthyer nga kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë anëtare të BE-së me një “rrëfim shumë shqetësues” të asaj që po ndodhte atje, shkroi Jonas Grimheden, kreu i Zyrës së të Drejtave Themelore të Frontex, FRO, në emailin e siguruar nga BIRN.
“Përveç historive të policisë greke që sillte emigrantë në kufi dhe policisë shqiptare që i kthente ata pas në një lojë ping-pongu të pafund”, shkroi Grimheden, oficeri tha se ai dhe kolegët e tij kishin “udhëzime të nënkuptuara për të mos lëshuar SIR-e”.
Një SIR është një Raport Incidenti të Rëndë, të cilin oficerët e Frontex-it janë “të detyruar” ta paraqesin sapo të marrin dijeni për një shkelje të mundshme të të drejtave themelore ndaj emigrantëve dhe refugjatëve sipas ligjit ndërkombëtar, qoftë këto të kryera nga rojet kufitare të vendeve me të cilat Frontex bashkëpunon ose nga oficerë të vendosur direkt nga agjencia.
Ishte e paqartë se kush i dha “udhëzimet” të cilave i referohej oficeri.
Sipas oficerit, dëshmia e të cilit është marrë gjithashtu nga BIRN në formë të redaktuar, të ashtuquajturat “kthime pas” – në të cilat policia i dërgon azilkërkuesit e mundshëm pas në kufi pa një proces të rregullt, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut – janë “diçka e njohur brenda Frontex-it” dhe të gjithë kolegëve të oficerit “iu tha që të mos shkruanin një raport incidenti të rëndë, sepse ashtu funksiononte aty”. Kthimet pas, thoshte ai, po ndodhnin rregullisht në kufirin shqiptaro-grek.
Frontex është përballur për vite me radhë me kritika për dështim në adresimin e shkeljeve të të drejtave të kryera nga shtetet anëtare në policimin e kufijve të bllokut.
Tani, kjo analizë e BIRN e dokumenteve të brendshme të Frontex-it dhe e raportimit nga terreni ka zbuluar indikacione serioze të kthimeve sistematike në kufirin shqiptaro-grek, si dhe prova të reja që praktika të tilla të paligjshme shpesh shmangin mekanizmin e monitorimit të të drejtave të vetë Frontex-it.
I pyetur nëse shkeljet e të drejtave nuk po raportoheshin plotësisht, një zëdhënës i Frontex-it tha për BIRN se pretendime të tilla ishin “plotësisht dhe dukshëm të rreme”.
Në Frontex, çdo oficer kërkohet të raportojë çdo “shkelje të dyshuar”, tha Chris Boroëski.
Megjithatë, Grimheden, kreu i FRO-së, tha se mungesa e raportimit të plotë mbetet një çështje “shumë problematike” brenda agjencisë. Ajo “minon vetë sistemin nga i cili varemi”, tha ai për BIRN.
Tre kilometra nga Ieropigi, fshati i fundit grek përpara kufirit me Shqipërinë, ndodhet një ndërtesë e ushtrisë greke, e pashfrytëzuar prej dekadash.
Në dyshemenë me bar ka shenja të njerëzve që kanë kaluar aty: pako me ushqime të gatshme; hiri i një zjarri kampi; fjalë të gdhendura në arabisht në mure.
Deri në vjeshtën e vitit të kaluar, dhjetëra emigrantë dhe refugjatë ndalonin këtu çdo ditë rrugës për në Shqipëri, duke shpresuar të hynin më pas në Kosovë ose Mal të Zi, pastaj në Serbi dhe përfundimisht në Kroaci ose Hungari, të dyja pjesë e zonës Shengen të Evropës pa pasaporta. Fillimisht, ata do të kishin arritur në Greqi nga Turqia, qoftë nga toka apo nga deti, por pak e shohin Greqinë si një destinacion përfundimtar.
Kur e vizitoi BIRNi, moti ishte i lagësht dhe mjegulla mbulonte kodrën në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri.
“Takoja emigrantë të rrahur dhe i pyesja nëse kjo ndodhte në Shqipëri dhe ata më përgjigjeshin: ‘Na rrahin dhe na kthejnë pas. Na marrin paratë, celularët, këpucët e shtrenjta. U merrnin çdo gjë të shtrenjtë dhe i kthenin pas”, tha Spyros Trassias, një bari vendas. “Ndonjëherë ata mund të bërtisnin ‘Policia’ dhe të sinjalizonin se po rriheshin. Herë të tjera i rrihnin kontrabandistët, ua merrnin paratë dhe i kthenin mbrapsht.”
Sipas banorëve vendas, numri i refugjatëve dhe emigrantëve që përpiqeshin të kalonin kufirin pranë Ieropigit ra në mënyrë dramatike pasi një rrjet kontrabandistësh u shpërbë në shtator të vitit të kaluar.
BIRN nuk hasi asnjë patrullë kufitare greke, por kreu i Unionit të Rojeve Kufitare të Kastorias, Kyriakos Papoutsidis, tha për BIRN se kufiri ruhet 24 orë në ditë. Shumë nga ata që kapen, tha ai, kanë aplikuar tashmë për azil në ishujt grekë ose në kryeqytetin, Athinë. “Çdo emigrant që vjen në zonë këshillohet të kthehet në qytetin ku ka aplikuar për azil dhe duhet të qëndrojë atje”, tha Papoutsidis.
Paralajmërim për “dëbim kolektiv”
Oficerët e Frontex-it kanë qenë të pranishëm në të dy anët e kufirit, sipas një marrëveshjeje të vitit 2019 që nisi operacionin e parë të përbashkët të agjencisë jashtë bllokut.
Vetëm disa muaj pas dislokimit, Frontex u përball me akuza për kthime pas nga autoritetet shqiptare.
Sipas dokumenteve të para nga BIRN, pak ka ndryshuar gjatë pesë viteve të fundit. FRO-ja ka ngritur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mospajtueshmërinë e Shqipërisë me procedurat e ligjshme të menaxhimit të kufirit, duke paralajmëruar SIR-e të shumta se “kthimet e paligjshme kolektive të karakterizuara nga mungesa e masave mbrojtëse mund të përbëjnë dëbim kolektiv”.
Në një raport të FRO-së nga nëntori 2022, në lidhje me kthimet pas, ata shkuan deri në atë pikë sa thanë se “shuma e fakteve të supozuara mund të tregonte ekzistencën e një modeli që po ndodhte në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë”.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, shprehu shqetësime të ngjashme në raportin e tij të vitit 2023 mbi përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, kur iu referua “mangësive të identifikuara në mekanizmin e tij të kthimit për emigrantët e parregullt” dhe citoi raportime të vazhdueshme të emigrantëve “të kthyer në Greqi pa ekzaminim adekuat paraprak”.
Në korrik 2023, në një vlerësim “due diligence” të planeve për bashkëpunim të zgjeruar midis Frontex dhe Shqipërisë, FRO-ka vuri në dukje “raste keqtrajtimi” dhe “pretendime për kthime të parregullta” të emigrantëve në Greqi. Megjithatë, ajo miratoi marrëveshjen e re, e cila u vulos nga Tirana dhe BE-ja dy muaj më vonë.
I pyetur në lidhje me pretendimin se emigrantët dhe refugjatët kanë ngecur në një lojë “ping-pongu të pafund” midis policisë kufitare greke dhe asaj shqiptare, Grimheden tha për BIRN: “Ne kemi parë dhe në disa vende ende shohim emigrantë që detyrohen të kthehen sa këtej matanë përtej kufijve në vende të ndryshme në Evropë. Kjo është sigurisht problematike dhe ne pjesët ku Frontex mund ose mund të përpiqet të ndikojë në këtë gjë, ne kemi marrë masa. Por çështja është zakonisht larg përfshirjes së Frontex.”
“Ne shohim një sërë shqetësimesh në disa vende ku operojmë dhe Shqipëria është një prej tyre. Disa vende janë më të hapura për trajtimin e problemeve të identifikuara dhe të tjerë më pak, të paktën Shqipëria i përket grupit që nuk po i shpërfill problemet.”
Shqipëria: “Asnjë emigrant i parregullt nuk kthehet pas”
Autoritetet shqiptare mohojnë përfshirjen në shkelje. Sipas ligjit të Shqipërisë për të huajt, kushdo që hyn në mënyrë të parregullt mund të dëbohet, veçanërisht nëse synon vetëm të kalojë tranzit nëpër Shqipëri. Të dhënat nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR, tregojnë se në vitin 2023, vetëm 6.5 për qind e 4,307 emigrantëve të kapur iu referuan procedurës së azilit.
Sipas Raporteve të Incidenteve të Rënda të para nga BIRN, grupe emigrantësh dhe refugjatësh kapen rregullisht ose në kufi ose thellë brenda territorit shqiptar, dërgohen në objektet e përkohshme të mbajtjes, transferohen në pikat e kalimit kufitar aty pranë dhe u thuhet të kalojnë përsëri në Greqi në këmbë.
Në të gjithë rastet përveç njërit, autoritetet shqiptare u përgjigjën se grupet ishin ekzaminuar paraprakisht – duke marrë informacionin e tyre bazë dhe duke bërë një vlerësim fillestar të nevojës së tyre për azil – dhe u ishte dhënë urdhër largimi.
As Ministria Greke e Mbrojtjes së Qytetarëve, as Ministria e Brendshme e Shqipërisë apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Kufitare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Megjithatë, në shkëmbimet me FRO-në të shqyrtuara nga BIRN, autoritetet shqiptare hodhën poshtë pretendimet për dëbime sistematike.
“Asnjë emigrant i parregullt nuk kthete pas”, iu përgjigj Ministria e Brendshme Shqiptare FRO-së në shkëmbimet e shqyrtuara nga BIRN. Kishte vetëm një rast në të cilin katër oficerë shqiptarë u zbulua se kishin “udhëhequr” një grup emigrantësh në drejtim të territorit grek dhe oficerët u ndëshkuan, tha ajo.
Megjithatë, një investigim nga FRO, i qarkulluar në tetor 2023, thoshte se pretendimet për kthime sistematike ishin “konfirmuar nga i gjithë stafi operacional i intervistuar i Frontex”.
Diskutime intensive brenda Frontex-it për shkelje të paraportuara plotësisht
Ndryshe nga përdorimi i përhapur i dhunës i dokumentuar nga FRO-ja në operacionet e Frontex-it në Bullgari ose Greqinë fqinje, shumica e SIR-ve të analizuara nga BIRN nuk përmbanin prova për përdorim të forcës nga policia kufitare shqiptare gjatë kthimeve të supozuara, as përfshirje të drejtpërdrejtë të personelit të Frontex-it.
Një përjashtim ishte një letër dërguar FRO-së në gusht 2022 nga një oficer i Frontex-it që shërben në rajonin kufitar të Kakavijes në Shqipërinë jugore. Oficeri akuzoi një koleg të Frontex-it se kishte keqtrajtuar dy emigrantë duke i “varur” jashtë makinës së tij ndërsa e ngiste atë.
Në letër thuhet se pasi u përball me incidentin, oficeri në fjalë qeshi dhe pretendonte se kishte mbrojtjen e njerëzve të rëndësishëm në selinë e Frontex në Varshavë.
Në vijim të letrës, FRO-ja zbuloi se pavarësisht se incidenti ishte “diskutuar gjerësisht” brenda grupit të oficerëve të Frontex-it në terren, “asnjë Incident i Rëndë nuk u raportua dhe asnjë informacion nuk u nda me ekipin operativ”.
Zyra e Shtypit e Frontex-it tha për BIRN se oficeri i përfshirë u pushua nga operacioni i Frontex-it dhe veprimet e tij u raportuan në vendin e tij.
Incidenti “shërbeu si një mësim jetik dhe tani përdoret në briefing për oficerët e rinj për të nënvizuar standardet e larta që priten prej tyre”, tha zyra e shtypit.
Në emailin e tij të shkurtit 2023 drejtuar Kalnaja-s, kreu i FRO-së Grimheden i kërkoi asaj “t’i dërgojë një mesazh organizatës se duhet të paraqiten SIR-e kur ata bëhen të vetëdijshëm për situatat e mundshme të të drejtave themelore – pa as edhe një lloj justifkimi.”
Nuk është e qartë nga dokumentacioni i siguruar nga BIRN nëse Kalnaja, si ushtruese e detyrës së kreut të Frontex, iu përgjigj emailit të Grimheden. Ajo u zëvendësua 12 ditë më vonë kur Hans Leijtens mori drejtimin e Frontex-it si pasardhës i Leggeri.
Sipas dokumenteve të brendshme të para nga BIRN, çështja e mosraportimit të shkeljeve të të drejtave ka qenë subjekt i diskutimeve intensive brenda Bordit Menaxhues të Frontex-it, organi kryesor vendimmarrës i agjencisë, të paktën që nga shtatori 2023.
Në janar të këtij viti, FRO-ja nxori një opinion zyrtar mbi “adresimin e nënraportimit” në Bord, duke e cilësuar në thelb atë si një çështje serioze që shkon përtej operacioneve të Frontex në Shqipëri./ BIRN