Dështimet e Programit të Rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit të vitit 2019 kanë lënë mijëra familje në mëdyshje. Megjithëse pati premtime fillestare dhe u alokuan fonde të konsiderueshme, keqmenaxhimi burokratik dhe mungesat financiare kanë penguar përparimin e programit. Autoritetet lokale, tani përgjegjëse për subvencionet e qirasë, përballen me vështirësi për të plotësuar nevojat, duke thelluar më tej mosbesimin e publikut. Mangësitë e thella në proces dhe mungesa e transparencës, mbeten ende probleme të konsiderueshme.
Tashmë në qiell të hapur
Gani Haxhiu, një burrë i ve, 67 vjeç, prej katër vitesh endet i vetëm në rrugët e Milotit.
Laçin, qytetin ku u rrit, u burrërua e u plak, duhet ta braktiste. Apartamenti, që e kishte ndërtuar me duart e tij me kontribut vullnetar në fund-vitet e regjimit komunist në Shqipëri, u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, aq rëndë, sa autoritetet vendosën shembjen e pallatit me 19 hyrjet e tjera.
Vetmia e Haxhiut bëhet edhe më agonike, sepse fëmijët, tre vajzat dhe djali, jetojnë jashtë Shqipërisë, sa në fqinjët jugorë të Greqisë e sa përtej detit Adriatik, në Itali.
Mëngjesin e së premtes së 7 prillit 2023 ai doli nga apartamenti, që ka marrë me qira në Milot, dhe iu drejtua bankomatit për të tërhequr bonusin e qirasë. Në mendjen e tij kishte bërë plane për të festuar të dielën e Pashkëve katolike, pasi djali dhe vajza e vogël do t’i vinin për vizitë. Kishte një vit e gjysmë pa i parë. Bonusi i qirasë, që e merrte rregullisht nga janari 2020, nuk kishte kaluar në llogarinë e tij, bankare.
Telefonatë pas telefonate mësoi se edhe ish-komshinjtë e pallatit në lagjen numër 2 në Laç, te Poligoni i Qitjes, nuk ishin disbursuar për bonusin e qirasë.
Programi i Rindërtimit është kthyer në një vrimë të zezë, që po thith, jo vetëm financat publike, por edhe shpresën e banorëve të prekur nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019, se një ditë do të gëzonin sërish një shtëpi.
Shpresa nisi të venitej në mars të vitit 2023, kur Ministria e Financave njoftoi bashkitë e prekura nga tërmeti i vitit 2019 se, që nga tani e tutje duhet ta paguanin vetë bonusin e qirasë të gjitha familjet përfituese.
Ministria e Financave, pasi e pranon këtë fakt, nuk i jep arsyet e zhvendosjes së përgjegjësisë te pushteti lokal. “Ju informojmë se deri në fund të marsit 2023 subvencioni i qirasë për familjet e prekura nga tërmeti është paguar nga buxheti i shtetit. Në vijim, me shkresën nr. 5897 prot., njësitë e vetëqeverisjes vendore janë njoftuar se programi i subvencionit të qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019 pas muajit mars të vitit 2023 nuk do të mbulohet nga buxhet i shtetit, por njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet ta planifikojnë në buxhetin e tyre vijimësinë e pagesave të qirasë për këto familje”, – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, një përgjigje, e cila ngre një pyetje tjetër: Përse pikërisht në muajin mars?
Ministria e Financave është institucioni që përllogarit paratë bazuar në një vit buxhetor, që nis nga 1 janari deri më 31 dhjetor. Automatikisht, këto njësi vendore nuk i kishin pasur të parashikuara në buxhetin e tyre paratë për bonusin e qirasë.
Në muajin mars bashkitë nuk kishin ku t’i gjenin paratë, aq më shumë kur pjesë e këtyre njësive vendore ishin edhe ato qytete, që konsiderohen të varfra financiarisht, si Shijaku, Mirdita, Kavaja, Rrogozhina apo Kurbini.
Në vitin 2020, kur nisi edhe lëvrimi i bonusit të qirasë nga qeveria qendrore si grant për pushtetin vendor, përfitonin asistencë shtetërore 14.081 familje. Numri i tyre ka zbritur vit pas viti, pasi Programi i Rindërtimit u shoqërua gjithashtu edhe me ndërtime banesash individuale apo kolektive, në të cilat futeshin familjet e prekura nga tërmeti. Por, koha e zbatimit të këtij programi nuk ka qenë në ritmet më të mira të mundshme. Në mars të vitit 2023, në 11 bashkitë e vendit kishte ende 8.528 familje të pasistemuara.
Në vitin 2022 granti për njësitë e vetëqeverisjes vendore ishte rreth 2.2 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro sipas kursit zyrtar të këmbimit (1 euro – 100 lekë), ndërsa për tre muajt e parë të vitit 2023 ishte 500 milionë lekë ose rreth 5 milionë euro. Rrjedhimisht, fondi total, i parashikuar për vitin e shkuar, buxhetor ishte 2 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro, nga të cilat 1.5 miliardë lekë qeverisja qendrore arriti t’i mbante sërish në xhepat e saj, duke mos i dërguar indirekt te 8.528 familjet, që ishin pjesë e skemës së rimbursimit.
Mesatarisht një familje merrte në muaj rreth 19.500 lekë ose rreth 195 euro bonus strehimi, vlerë të cilën tashmë do të duhet ta gjejnë nga burime të tjera.
Premtime agonike për një shtëpi të re
Pas tërmetit qeveria u zotua se do t`i ndërtonte të gjitha shtëpitë, që ishin bërë të pabanueshme. Asokohe në media bëri jehonë shprehja e kryeministrit se do të “lypte rrugëve të botës” dhe paratë do t’i gjente. Kjo shprehje merr vlerë, po të fillosh të krahasosh shifrat që janë shpenzuar deri më tani për Programin e Rindërtimit. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2023, institucionet e ngarkuara për realizimin e Programit të Rindërtimit kanë nxjerrë nga arkat e tyre rreth 80 miliardë lekë, këmbyer në valutën euro kap vlerën e rreth 800 milionë eurove, shumë pranë vlerës 1.15 miliardë euro të përfituar nga Konferenca e Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, më 17 shkurt 2020, në Bruksel.
Por, gjithë këto pará të shpenzuara nuk arrijnë të tregojë qartësisht se ky program po shkon drejt mbylljes, madje situata duket krejt e kundërt.
Nëse analizon punën e bërë nga çdo bashki, duket se jo të gjitha mund ta kalojnë testin e menaxhimit të këtij procesi. Situatë korrekte mund të konsiderohet ajo e Bashkisë së Shijakut, e cila është drejt mbylljes totale të këtij programi rindërtimi, pasi deri në këto momente ka mbyllur ndërtimin e 739 banesave individuale dhe 537 përfituesve të banesave kolektive.
Bashkia e Mirditës në krahun tjetër, ndonëse një zonë që nuk ishte në vijën e parë të lëkundjes sizmike, ka probleme. Në përgjigjen zyrtare ata shprehen se për të konkluduar Programin e Rindërtimit nevojiten fonde nga qeveria qendrore, të cilat i kanë detajuar se për çfarë nevojiten.
- Ndërtimin e 49 apartamenteve të reja, sipas planit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
- Ndërtimin e 46 shtëpive të tjera, të cilat janë dëmtuar në nivelin DS4.
- Financimin e shumës 18.400.000 lekë për dëmshpërblimin për banesat që janë dëmtuar në nivelet DS1, DS2, DS3.
Kurbini është një histori mikse, suksesi dhe dështimi njëkohësisht. Ndërtimi i rreth 500 apartamenteve të financuara nga qeveria turke, që i dha shkëlqim Programit të Rindërtimit në këtë bashki, ndërsa pjesa tjetër e pallateve, që do të ndërtoheshin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit së bashku me banesat kolektive, vijojnë të jenë në një proces agonik, pasi janë 1.086 familje, që presin të përfitojnë nga ky program.
Bashkia e Kavajës dhe ajo e Rrogozhinës nuk iu përgjigjën kërkesës për informacion mbi Programin e Rindërtimit, por nga të dhënat e mbledhura në rrugë operative kuptohet se 433 familjet, që kanë humbur shtëpitë, duhet të presin ende.
Bashkia e Vorës gjithashtu ka një numër të lartë familjesh të prekura nga tërmeti, pa shtëpi e pa mbështetje financiare. Bëhet fjalë për 704 familje, të cilat shohin ditë përditë pallatet e reja në qendër të qytetit, ku punimet duket se nuk kanë fund.
Bashkia e Kamzës në fillim të Programit të Rindërtimit kishte ritmin më të ulët.
Pjesa më e madhe e banesave të dëmtuara nga tërmeti ishin shtëpi individuale dhe kërkoi kohë kompromisi ligjor, që ndërtimi i tyre të bëhej nga vetë pronarët dhe shteti t`i subvenciononte. Në këtë bashki ishin 617 familje që humbën shtëpitë, nga të cilat 262 janë marrë apartamente në zonën e re të zhvillimit, në Valias, ndërsa në pritje janë 92 familje.
Në Bashkinë e Lezhës janë ndërtuar 5 pallate të reja me 193 apartamente, nga të cilat 181 janë shpërndarë për përfituesit e Programit të Rindërtimit.
Bashkia e Krujës është një nga njësitë vendore, që nga lëkundjet sizmike të nëntorit 2019 pati edhe jetë të humbura. Në nisje të Programit të Rindërtimit pranë kësaj bashkie kishte rreth 2 mijë familje të pastreha. Në këtë bashki pati edhe një investim nga donatorë joqeveritarë në ndërtimin e lagjes së re në Thumanë apo në Fushë-Krujë, por jo gjithçka ka përfunduar me ndërtimin e tyre, pasi nga ky program janë ende rreth 1 mijë familje që presin.
Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Tiranës janë njësitë që kanë pasur ritmin më të ngadaltë sa i përket Programit të Rindërtimit. Edhe informacioni i marrë nga këto njësi ishte i paplotë. Bashkia e Durrësit, simboli i tërmetit të 26 nëntorit, nuk ktheu përgjigje se si ka vijuar Programi i Rindërtimit. Këshilli Bashkiak i Durrësit në vendimet e marra në kuadër të rindërtimit ka caktuar 1.098 apartamente të dëmtuara në nivelin DS5 – si të pariparueshme.
Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi për Durrësin zonën e re, zhvillimore të Manzës dhe të Spitallës, por këto dy zona nuk u pranuan nga pjesa më e madhe e durrsakëve, të cilët nuk pranojnë të largohen nga bregdeti në këto zona të bashkisë.
Në zonën e Manzës është planifikuar strehimi i 226 familjeve, ndërsa në Spitallë vijon puna për ndërtimin e 85 pallateve katërkatëshe, me 996 apartamente.
94 pallate të tjera kanë marrë dëmtimin DS4, i cili kërkon përforcim themelesh dhe muraturash. Për këto pallate bashkisë i janë lëvruar fondet, por nuk ka nisur ende zbatimi.
Për të kuptuar vonesën në Programin e Rindërtimit në Durrës, mjafton të shohësh vendimin e qeverisë të datës 3 prill 2024, me numër 206, që tregon se kësaj bashkie i janë dorëzuar çelësat e 24 apartamenteve.
Bashkia e Tiranës nga ana e saj përcjell një informacion të cunguar sa i përket rindërtimit. Kjo bashki, si njësia më e fuqishme, financiare në Shqipëri, nuk e ndërpreu bonusin e qirasë, duke përgjysmuar vuajtjen e familjeve që shpresojnë ende në një shtëpi të re. Kjo bashki shpenzon rreth 32 milionë lekë ose rreth 320 mijë euro për 1.603 familje, duke iu dhënë rreth 20 mijë lekë në muaj.
Programi i Rindërtimit në Bashkinë e Tiranës është shtrirë në dy zona, e para është zona e “5 Majit”, ndërsa e dyta është brenda truallit të ish-Kombinatit të Tekstileve. Në të dyja këto zona janë parashikuar të ndërtohen rreth 6.500 apartamente.
Kësisoj, premtimi i dhënë ndër vite se kur do të përfundonte Programi i Rindërtimit në Bashkinë e Tiranës, është shtyrë herë pas here. Së fundmi ky program është lidhur me ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse, element ky i shprehur publikisht edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
As Durrësi e as Tirana nuk kanë një afat të përcaktuar, ligjor se kur do të përfundojë Programi i Rindërtimit.
Bashkë me dy bashkitë më të mëdha, edhe 9 të tjerat nuk kanë asgjë të mbyllur me siguri, duke shtuar kalvarin e vuajtjeve të familjeve, që presin të kenë mbi kokë çatinë e tyre sërish. Për vitin 2024 janë alokuar 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, të gjitha të dedikuara për ndërtimin apo rindërtimin e banesave individuale apo kolektive, të cilat vijojnë të qëndrojnë në këmbë edhe 4 vjet pas rënies së tërmetit.
Transparenca, plaga e dytë e “Rindërtimit”
Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të Shqipërisë për vitin 2023 ka evidentuar se mënyra e administrimit të fondeve në këtë proces nuk ishte transparente.
“Menaxhimi i shpenzimeve në investimet publike vijon të shfaqë dobësi, pavarësisht se janë ndërmarrë iniciativa të reja. Investimet publike kanë shënuar rritje që nga viti 2017, të nxitura pjesërisht edhe nga Programi i Rindërtimit, megjithatë ato kanë gjeneruar detyrime të prapambetura në tremujorin e fundit të vitit financiar. Shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk ishin të integruara në procedurat e rregullta të financave publike”, – thuhet më konkretisht në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Ironik është fakti se, institucioni i ngarkuar me ligj për Programin e Rindërtimit, Zyra e zëvendëskryeministrit dhe e ministrit të Infrastrukturës dhe të Energjisë, në tri kërkesa zyrtare dhe disa kërkesa konfidenciale nuk kthyen përgjigje mbi ecurinë e Programit të Rindërtimit. Situata bëhet edhe më problematike pas rregullores së re të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtës së Informimit, ku për çdo ankesë kërkon autorizim nga eprori i medias ku punon.
Në mes të kësaj mjegullnaje me të dhënat publike është edhe portali zyrtar i Ministrisë së Financave, i cili ka fshirë të gjithë arkivin e dokumenteve të vjetra, përfshirë këtu edhe seksionet e dedikuara për shpenzimet për rindërtimin. Paradoksale, sa kohë që Programi i Rindërtimit është ndër programet më të kushtueshme në buxhetin e shtetit, 7 miliardë lekë ose rreth 70 milionë euro vetëm për vitin 2024.
Organet shtetërore, të ngarkuara me ligj për të zbatuar Programin e Rindërtimit, duket se kanë relativitetin e tyre në mënyrën e perceptimit të kohës, që duhet për ta bërë publike mënyrën se si i shpenzojnë paratë publike apo implementimin e Programit të Rindërtimit, pasi të njëjtin relativitet duket se nuk e kanë më 8.528 familjet e prekura nga tërmeti, të cilat që nga 26 nëntori i vitit 2019 vijojnë të shpresojnë për një të ardhme, në mos më të mirë, të njëjtë si pjesa tjetër e qytetarëve, që kanë përfituar tashmë nga ky program. Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2020, në nisje të atij viti buxhetor, në listën e përfituesve të bonusit të qirasë ishin 14.018 familje dhe 40% e tyre e kanë ezauruar tashmë këtë proces, ndërsa 60%, jo.
Kjo e dhënë nxjerr në pah trajtimin e pabarabartë të qytetarëve shqiptarë në sytë e institucioneve publike; element ky që del edhe më shumë në dritë, kur sheh se jo të gjitha bashkitë e ndërprenë bonusin e qirasë, si rasti i Tiranës, ku për 1.793 familjet, që ishin pjesë e subvencionimit të bonusit të qirasë, nuk u ndërpre.
/INA MEDIA