Burgjet, tenderat dhe pasiguritë e sektorit të “mëkatareve”
Drejtoria e Burgjeve mes tenderave dhe mos pagesave të të dënuarve për orët e punës. Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për krime të rënda, qëllon me një pistoletë me mulli në ambientet e burgut dy të burgosur të tjerë. Një i vdekur dhe një i plagosur. Arben Lleshi, objektivi i Mjacajt, ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Indrit Shaqja mbetet i plagosur, duke qenë edhe dëshmitari kryesor i asaj çfarë ndodhi.
Arma, e futur mbi dy javë përpara ngjarjes në qelinë e Mjacajt, kthehet në strumbullarin që fut në qeli të gjithë ekipin drejtues të Burgut të Peqinit, të cilët deri atë ditë kishin detyrë ta mbikëqyrnin Mjacajn dhe shokët e tij.
Nga hetimi i parë rezulton se kamerat nuk pononin. As skaneri nga ku kalon gjithçka drejt qelive të privuarve nga liria nuk funksionon, duke ngritur mjaft pyetje për sigurinë sot në burgje.
Përse dështoi siguria në burgun e Peqinit?
Në tetor 2022, u shpall dhe një tender me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Tenderi ishte në vijim të vendimit që kish marrë qeveria në vitin 2918 për të siguruar monitorim me kamera sigurie 24 orë në ditë për të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë, dhe me anë të tij synohej që burgjet të monitoroheshin me kamera sigurie. Mes këtyre institucioneve ishte dhe burgu në Peqin, ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.
Por vrasja e Arben Lleshit nga Mjacaj me një armë të futur në ambientet e burgut të sigurisë së lartë ngriti disa pyetje njëra pas tjetrës:
Cili ishte porositësi i kësaj vrasjeje dhe a u sabotua vëzhgimi në Peqin? A kishte dështuar garantimi i burgjeve me elementet e sigurisë që kishte paralajmëruar qeveria? A kishte korrupsion në tenderin për vendosjen e elementeve të sigurisë në këtë burg?
Kontrata e firmosur në 19 dhjetor të vitit 2023 parashikonte se shoqëritë do të mirëmbanin sistemin e sigurisë në burgje, përfshirë kamerat e sigurisë në kushte optimale pune 24 orë në 7 ditë.
Tenderi i shpallur në fund të vitit të kaluar dhe kohëzgjatja ishte për 24 muaj. Në vendosjen e elementeve të rinj të sigurisë parashikohej përmirësimi i mëtejshëm i sistemit, përfshirë zëvendësimin e kamerave që mund të ishin amortizuar apo kishin dalë jashtë funksionit.
Advanced Business Solutions është kompania e parë e denoncuar dhe akuzuar publikisht si kompani e oborrit kryeministror nga opozita. ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS –ABS sh.p.k”, ka si aksioner kryesor Gerond Meçen. Kjo kompani gjatë katër viteve të fundit ka përfituar nga buxheti i shtetit plot 13 miliardë lekë.
E dyta kompani, Albascan, është një firmë e cila në vetëm pak vite u shndërrua në “grosiste” e fondeve publike. Kontrata u lidh edhe me kompanitë”, “REAL COM”, e cila në shumicën e rasteve del në tendera me flamur të kuq. Kjo për faktin se sa herë fiton kjo kompani operatorët e tjerë konkurrues skualifikohen.
Ndërsa kompania e katërt në bashkim kopanish është subjekti CSP, i cili në vitin 2018 kishte dalë me minus në bilance, ndonëse deri në vitin 2021 ajo ka arritur të dalë me fitime të larta, siç ka raportuar në QKB. Ndërsa për vitet 2022, 2023, kjo firmë nuk ka asnjë të dhënë rreth transaksioneve të saj. Tashmë që në burgjet shqiptare hyjnë armë apo lëndë narkotike dhe kamerat nuk punojnë, pikëpyetjet janë edhe për mënyrën se si është menaxhuar sektori i sigurisë në burgje dhe përse kamerat dhe skaneri në burgun e Peqinit prej kohësh kanë qenë black out.
“Mungesa e kekesës së llogarisë , largimet e panumërta kanë bërë që të bjerë siguria e institucioneve të burgut. Problemi në Peqinë niste nga mungesa në organikën e punonjësve, elementet e sigurisë dhe ajo që ishte më e rëndësishme ishte se i mungonin kamerat dhe skaneri. Këto elemente ishin bërë të mundur që siguria të cedonte”, shprehet Faik Basha, ish-drejtues i policisë.
Hetimet kanë konfirmuar se, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar të gjitha serverat e kamerave të brendshme dhe të jashtme të burgut si edhe librat e shërbimeve të punonjësve për të kuptuar a janë raportuar në kohë defektet si edhe a kanë mbajtur përgjegjësi kompanitë sipas kontratës. Por, deri në transmetimin e këtij emisioni nuk ka asnjë të dhënë lidhur me përgjegjësinë e këtyre tenderave, përveç shkarkimit dhe prangosjes së drejtorit dhe stafit që ishte në shërbim.
Dan Hutra “teston” sigurinë në burgje
Ende pa u shuar jehona e vrasjes në burgun e Peqinit, viti 2024 nisi me një tentativë arratisje në burgun e Fierit. Koka e organizimit të arratisjes u tha se ishte Dan Hutra, vrasësi i 3 grave, i cili në këtë tentativë kishte edhe 3 të dënuar të tjerë- Martin Kapllanin, Geraldo Veizin dhe Feti Kovaçin. Mjetet prerëse me të cilat janë sharruar hekurat e burgut ishin futur sërish brenda qelive duke rikthyer pikëpyetjet rreth nivelit të sigurisë në burgje dhe cilësisë së pajisjeve që ishin blerë për të krijuar këtë siguri.
Por, më 13 mars të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm shkarkohet. Pas tij u emërua Klevis Qose, ndërkohë që çështjet e ngritura, madje nën alarm të fortë politik dhe mediatik, duket se janë shuar. Madje, ministri Manja, u angazhua fort për amnistinë, por ende nuk ka dhënë një konkluzion për pasigurinë në këtë sektor, duke lënë pezull si çështjen e sigurisë ashtu edhe atë të cilësisë së pajisjeve të blera për këtë sektor.
- Mjekët refuzojnë të shërbejnë në burgje
Por ndërkohë që disa prej të burgosurve mendojnë ende se si mund të vijojnë aktivitetet e tyre kriminale, të tjerët që janë aty të penduar, kanë krejt tjetër problem. Ajo çfarë u jep ligji, duket e pamundur të mbërrijë realisht te ata.
“Luksi” i parë ligjor për ta janë mjekët, të cilët mungojnë në shumicën e burgjeve. Një raport i KLSH-së ka renditur një seri problemesh lidhur me mënyrën se si trajtohen të burgosurit.
Duket se askush nuk e sheh të arsyeshme se si mund të zgjidhet mungesa e përcaktimit të standardeve për mbikëqyrje të rregullt psikologjike të stafit të angazhuar në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Deri para amnistisë që hyri fuqi në Prill, auditi i KLSH-së ngrinte si çështje rrezikun që vjen nga dyfishi i të dënuarve në qeli, në krahasim me kapacitet që ka ky institucion. Sipas KLSH-së, problem shumë shqetësues mbetet kujdesi shëndetësor, ku nga 53 mjekë, që duhet të ketë në organikë në të gjithë sistemin, ka me kohë të plotë rreth 28 mjekë. 20 mjekë të tjerë janë të angazhuar me kohë të pjesshme, ndërkohë që ka ende pesë vende të paplotësuara me mjekë. Këta 20 mjekë duhet të kujdesen për 1400 të dënuar, që janë me sëmundje kronike dhe për qindra të tjerë që kanë sëmundje të përkohshme.
- Në burgje shkëputet energjia elektrike
Përveç auditit të KLSH-së edhe Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e sistemit të burgjeve, duke ngritur alarmin për garantimin dhe mbarëvajtjen e kushteve jetësore për të burgosurit që vuajnë dënimin në këto institucione. Ky ,ekanizëm ka ngritur alarmin e rasteve të shkëputjes së energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm në burgje, që janë elemente bazë për garantimin e sigurisë dhe jetës.
- “Punojmë, por nuk paguhemi”, u shpreh nje prej të dënuarve.
200 të burgosur në burgun e Drenovës kanë nënshkruar një peticion përmes të cilit evidentojnë problematika dhe shpalosin një sërë kërkesash për jetesën, ushqimin. Mes problematikave për të drejtat më elementare ata kanë ngritur edhe çështjen e pagesës për punën që kryejnë, që ua njeh ligji. Nënshkruesit e peticionit thonë se nuk iu ofrohen as kushtet minimale, si ushqimi, sistemi i ngrohjes apo ftohjes, ndihma mjekësore shëndetësore dhe dentare.
Një prej të burgosurve në këtë institucion ka sqaruar për emisionin Vetting disa nga pikat e parashtruara në peticion.
Përveç kushteve të vështira dhe shërbimeve të mangëta, si e vetmja formë e integrimit për të dënuarit, mbetet puna. Në ndryshimet e fundit në legjislacion, puna në këto sisteme u njoh si një e drejtë e çdo qytetari të republikës së Shqipërisë dhe nga forma e mëparshme vullnetare me përfitim ulje dënimi tashmë të kthehej me pagesë.
Çështjen e mospagimit e ka ngritur një tjetër i burgosur i këtij burgu, i cili kërkoi nga emisioni Vetting që të publikonim këtë shqetësim. I dënuari ka deklaruar se nuk i janë paguar orët e punës nga insitiucioni.
Sipas dëshmisë së të burgosurit ata po përballen me presione nga ana e titullarëve për mos të dal ankesa jashtë mureve të burgut pasi në të kundërt do të nisë diskriminimi dhe përndjekja duke ja vështirësuar jetesën më tepër.
Për këtë problematikë, redaksia e Vetting i dërgoi kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka pranuar faktin që të burgosurit nuk janë paguar edhe pse kanë një kontratë të firmosur.
Për juristen Margarita Kola është e papranueshme që vet shteti mos të qëndrojë korrekt me pagesat për çdo lloj arsye.
“Në qoftëse kjo e drejtë shkelet duhet të ngrihet një padi si çdo qytetarë tjetër”.
Avokatja sqaron se punësimi dhe ndryshimi i ligjit për të dënuarit u rishikua në vitin 2018 pasi puna u pa si një formë rehabilitimi.
“Nëse më parë punoje dhe përfitoje ulje dënimi, tashmë është parë si një e drejtë për të punuar që zbatohen të gjitha rregullat sipas kodit të punës, pra puna është një veprimtari sociale ekonomike që e rehabiliton personin është e rëndësishme që t’i njihen dhe si vjetërsi për pensionin”, thekson avokatja Kola./ Emisioni Vetting në News24